Buxheti 2018, pikat e forta të paketës fiskale dhe propozimi për heqjen e taksës së banesave e ushqimeve

518
LSI: Taksë zero për banesat, ulje e TVSH-së për mallrat e shportës

Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar në Kuvend propozimet e saj në lidhje me projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2018. Në amendamentet që LSI ka dorëzuar në Kuvend kërkohet që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për ushqimet bazë të shportës të ulet nga 20 në 5 %. Një tjetër propozim ka të bëjë me TVSH për biznesin, për të cilin LSI kërkon që pragu përjashtues për biznesin e vogël për skemën e TVSH të mbetet në nivelin 5 milionë lekë, jo të ulet në 2 milionë lekë siç ka propozuar qeveria. LSI shprehet se aktualisht janë 80 mijë biznese që kanë një xhiro nga 2-5 milionë lekë në vit. “Propozimi i qeverisë për uljen e pragut të përjashtuar nga 5 milionë në 2 milionë lekë, përmes një VKM-je dhe jo përmes ndryshimeve ligjore siç përcaktohet nga Kushtetuta, është shkelje flagrante e kompetencave të qeverisë dhe përvetësim i kompetencave ekskluzive të Parlamentit, për sa i përket ndryshimit të nivelit të taksave të përcaktuar me ligj. Por mbi të gjitha, ky ndryshim do të sjellë pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për mbi 80 mijë biznese të vogla që operojnë në këtë fashë xhiroje vjetore”, thuhet në propozimet e depozituara pranë Kuvendit. Sipas LSI-së, argumenti i qeverisë se ky propozim është në linjë me luftën kundër informalitetit është i gabuar, sepse informaliteti buron kryesisht nga evazioni i bizneseve të mëdha, të cilat kanë peshën kryesore në të ardhurat buxhetore. LSI propozon gjithashtu që taksa e banesës së parë të jetë zero, për banesën e dytë dhe më shumë të mbetet propozimi i qeverisë.


Sigal