Bushati: Qeveria Berisha e zhyti vendin në borxhe, arriti 720 milionë dollarë

42
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, akuzon ish-qeverinë Berisha si përgjegjëse për deficitin buxhetor dhe borxhet që arritën deri në 720 milionë dollarë. Deputeti i Partisë Socialiste, Bushati, në një deklaratë për mediat të mërkurën, u shpreh se “Lulzim Basha mund të mos ta pranojë, por shqiptarët e dinë se borxhi i trashëguar nga qeveria e tij dhe Sali Berishës ishte plotë 720 milionë dollarë dhe e zhytën Shqipërinë në borxhe si në spitale, borxhe në arsim, borxhe në rrugë, borxhe në fshat, borxhe deri edhe tek personat me aftësi të kufizuara”.

“720 milionë dollarë borxhe të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës janë shlyer thuajse tërësisht nga kjo qeveri. Ndaj Luli, përpara se të pyesë se ku shkojnë paratë, të japë llogari për borxhet që krijoi ai vet dhe qeveria e vjetër ku bënte pjesë”, tha Bushati. Ai solli shifrat krahasuese duke ia ballafaquar opozitës. “Sot mblidhen më shumë të ardhura: plotë 242 milionë dollarë më shumë se viti i tyre më i mirë i qeverisjes. 

Atëherë, nëse të ardhurat mund të mblidhen, siç po tregohet vit pas viti, përse Partia Demokratike në pushtet nuk i mblidhte dot këto të ardhura? Nuk donin, apo nuk dinin? Në vitin 2013 numri i personave të punësuar ishte 471 248. Sot, falë formalizimit dhe hapjes së vendeve të reja, të punësuarit janë 156,000 më shumë”, theksoi Bushati.