“Bondsteel”, kthim në një bazë të përhershme amerikane

90
Pasiviteti evropian dhe amerikan ka bërë që progresi i Ballkanit Perëndimor të jetë në rrezik, sidomos pas dy viteve të fundit të mbushura me përpjekje nga Moska për të shkatërruar projektin evropian. Jo më kot, Këshilli i Atlantikut, në një raport të publikuar propozon hapat që SHBA duhet të marrë në rajon për të sjellë stabilitet. Damon Uilson, zëvendës/president Ekzekutiv i Këshillit të Atlantikut, deklaroi se prirjet shqetësuese që janë vënë re kohët e fundit në rajon, si përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi, mosfunksionimi i qeverisjes në Bosnje, apo përparimi i ngadaltë në bisedimet Prishtinë-Beograd, tregojnë se ka ardhur koha për një angazhim të ri të Shteteve të Bashkuara në rajon. Mes propozimeve të Këshillit, bie në sy ai për një prani të përhershme ushtarake amerikane në Evropën Juglindore. “Kjo prani ushtarake duhet të shkojë përtej KFOR-it për të projektuar ndikimin amerikan dhe për të thënë se ne jemi aty”, thotë Damon Uilson. Këshilli mendon se baza “Bondsteel” në Kosovë është vendi ideal për këtë plan dhe sipas Uillson, kjo komandë do të ndërlidhet me disa forca të tjera në rajon, si në Rumani, Turqi apo Greqi për t’u bërë pjesë e ekuacionit për të pasur forca të stacionuara në Ballkan, diçka që lejon ndërtimin e kapaciteteve veçanërisht me Serbinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Shqipërinë. Këshilli gjithashtu rekomandoi që SHBA të jetë pjesë e çështjeve problematike në rajon si dialogu Kosovë-Serbi dhe çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.