Berisha: Rama nuk jep dorëheqjen, duhet ta shporrim

500
Ish-kryeministri për herë të parë pranon se largimi vullnetar i shefit të qeverisë është i pamundur, por nuk saktëson hapat e ardhshëm të demokratëve
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi dje për herë të parë se shefi aktual i qeverisë, Edi Rama, nuk do të japë dorëheqje, pavarësisht një kërkese insistuese të demokratëve, të cilët e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje me ngritjen e një qeverie teknike. Berisha u bëri thirrje mbështetësve të opozitës, të mbledhur në çadrën e ngritur në bulevard, se Rama duhet shporrur, ndonëse nuk saktësoi se çfarë hapash mund të ndërmerren në këtë drejtim. Ai kritikoi edhe zyrtarët e Komisionit Evropian për përpjekje që synojnë përçarjen e opozitës. 

Të dërguarit e Brukselit
“Ka presione, shantazhe të ndryshme, por prapë e vërteta na detyron, misioni ynë na detyron të qëndrojmë të palëkundur. Këtu para 5¬6 ditësh erdhi një misionar, një i dërguar, erdhi dhe mblodhi partitë e tjera të opozitës. Ta kish dërguar Kominterni i Josif Stalinit, ndryshe nuk mund t’u fliste. Çfarë u tha drejtori që erdhi nga Brukseli kryetarëve të partive opozitare? U tha – tani lëreni PD, ta kalbin PD dhe Lul Bashën në çadër dhe futuni merrni ato mandate, se u erdhi radha. Erdhi me misionin të shkatërroje opozitën, erdhi pra me misionin të ndërtojë opozitën e emëruar sipas Ramës. Dy gjëra do i them atij; sigurisht ti nuk erdhe nga Kominterni, se Kominterni ka dekada që ka përfunduar në koshin e plehrave të historisë, i sigurt jam se nuk more porosi nga Komisioni i BE, sepse ky është institucion që ndërtohet mbi vlera dhe ligje demokratike, por ti erdhe këtu ose si anëtar i klubit 4700 euro m2 ose erdhe si anëtar i klubit të kanabisit të Edi Ramës”, u shpreh Berisha. Ai i kërkoi Komisionit Evropian ta largojnë këtë zyrtar. “Nuk ka imunitet askush nga korrupsioni por ky është një akt i shëmtuar, i turpshëm që nuk i bën nder as Komisionit e as vendit nga i cili ka ardhur, s’i bën nder asnjë njeriu. Ky është peng dhe skllav i klubit 4700 euro m2 ose i klubit kanabisit të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

Dorëheqja e Ramës
“Nuk duhet të kemi asnjë iluzion, Edi Rama s’jep dorëheqjen, çka do të thotë që ne duhet ta kërrejmë andej, duhet ta shporrim, ta qërojmë”, u shpreh Berisha. Ai shpjegoi më pas edhe arsyet për të cilat, sipas tij, Rama nuk do të largohet vullnetarisht nga drejtimi i qeverisë. “Pse Edi Rama nuk jep dorëheqjen? Dy javë më parë Edi Rama u tha ministrave të tij se, ne jemi para alternativës; pushteti ose burgu. Ose të mbajmë pushtetin me çdo kush, ose na pret burgu. Madje dhe për këtë duhet të na falënderojë, se meriton më shumë se burgun”, nënvizoi Berisha. Ai shtoi se një javë më parë Rama miratoi ligjin për të amnistuar politikanët për të gjitha veprat penale që kanë kryer para kalimit të këtij ligji. “Kaloi ligjin në parlament pra për të amnistuar veten e tij, për të amnistuar ministrat e tij, që të gjithë pa përjashtim janë një organizatë kriminale nga më të rrezikshmet në Evropë”, u shpreh Berisha. Sipas tij, Edi Rama nuk jep dorëheqjen, pasi atë nuk e lënë bandat e krimit, sepse ata e kanë të regjistruar atë me qindra e qindra herë duke u kërkuar atyre paratë e krimit, duke u porositur tek ata krime. “Natyrisht ai është skllav i tyre dhe në mënyrë absolute ai nuk mund të japi dorëheqjen. Edi Rama ka vetëm një vend; burgun, burgun dhe vetëm burgun”, këmbënguli Berisha.

Ish-kryeministri u bëri thirrje shqiptarëve të frymëzuar nga Çadra e Lirisë, “far i dritës, guximit, vendosmërinë së qytetarëve shqiptarë, të përgatitemi që kjo betejë të njohë nivele të tjera, të cilat të shporrin, të qërojnë nga faqja e dheut Edi Ramën dhe organizatën e tij kriminale, qeverinë e tij!”. Partia Demokratike ka bojkotuar Kuvendin prej muajit shkurt dhe çdo të enjte deputetët e saj flasin te çadra e ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. 
Sigal