Berisha në Zvicër, merr pjesë në Forumin e Crans Montanës

513
Ish-kryeministri Sali Berisha u nis sot për në Gjenevë të Zvicrës për të marrë pjesë në Forumin e Crans Montanës në kuadër të Samitit të 17-të Ndërkombëtar mbi Krimin Transnacional dhe Sigurinë e Brendshme dhe Globale. Ky Samit, që zhvillohet nga 14-16 tetor, do të fokusojë në lidhje me krizat botërore dhe rajonale të sigurisë dhe ndikimin e tyre mbi ekonominë dhe biznesin ndërkombëtar. Në fokus do të jenë mundësia për të ulur ndikimin e rreziqeve të sigurisë globale nëpërmjet bashkëpunimit rajonal dhe parandalimit të krizave, ndikimi i marrëdhënieve BE – Rusi mbi sektorin e transportit dhe energjisë dhe mbrojtja e rrugëve ndërkombëtare të furnizimit me energji, si dhe roli i korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit ekonomik në vendet e Lindjes së Mesme në lidhje me terrorin dhe organizatat terroriste.

Një fokus i veçantë i dedikohet kërcënimeve që sjell migracioni masiv në Mesdhe, panel në të cilin do të mbajë një fjalë ish Kryeministri Berisha. Në këtë panel do të trajtohet nevoja për të shqyrtuar dhe adresuar rrënjët reale të kësaj krize humanitare, kthimin e Ballkanit në një rrugë të këtij migracioni si dhe nevojën për luftuar trafiqet e qenieve njerëzore. Gjithashtu do të trajtohet shqetësimi nëse Europa është në gjendje ta përballojë këtë krizë përballë një mosqeverisje të qartë ne Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Sigal