Berisha: Kemi opsione më të rënda se bojkoti

469
Në një prononcim për gazetarët jashtë ambienteve të sallës së parlamentit, ish kryeministri Berisha tha se debati u bë për Prengën, por ka edhe të tjerë që përdorin mandatin për të vjedhur qytetarët. Duke marrë shkas nga rasti i Prengës, ai nënvizoi se deputetët janë të vendosur që të mos e pranojnë më këtë situatë. “Vërtetë debati u bë për Prengën, por ka Prengë të tjerë aty, Kokëdhima me shokë që mbrohen dhe si gjakpirës që përdorin mandatin për të vjedhur shqiptarët. Ata janë të papranueshëm. Nënkryetarja e Parlamentit, djali i të cilës ka marrë hekurudhën, bënte sikur nuk kishte asnjë lidhje me djalin e saj, sikur nuk ishte djali i saj. Dekusarizimi i Kuvendit duhet të bëhet sa më shpejt. Grupi parlamentar dje dhe kryetari ka vendosur që të bëhet një diskutim i gjerë para vendimit final. Ne jemi të vendosur që këtë situatë të mos e pranojmë. Shumica përdor votat për ti marrë pushtetin Gjykatës Kushtetuese dhe ky është grusht shteti brenda shtetit. Dekusarizimi i parlamentit është kusht për funksionimin e tij. Grupi parlamentar ka lënë opsione më të rënda se bojkoti”, tha Berisha.
Sigal