Berat, zbardhen kandidatët për deputet të PD, PS dhe LSI

2749
Sigal

ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT/ Aktualisht qarku ka 8 mandate. Ja kandidatët paraprakë të tre forcave politike

Edhe pse ende nuk mund të flitet për listën përfundimtare të kandidatëve për deputet në Qarkun e Beratit, nga selitë e tri partive, më të mëdha parlamentare PD, PS dhe LSI, vijnë sinjalet e para, të paktën për deputetët që do të jenë në renditjen numerike të zonës fituese. Aktualisht, Qarku i Beratit ka 8 deputetë. Nga këta, 4 i përkasin PS-së, 3 PD-së dhe 1 LSI-së. Beteja politike e të tria grupimeve synon që në zgjedhjet e 23 Qershorit t’i shkëputin 1 mandat deputeti, njëra-tjetrës. Drejtuesit e lartë të tre partive politike duhet t’i bëjnë mirë llogaritë pasi në Qarkun e Beratit, mendohet të jetë një fushatë shumë e egër dhe me pretendime të madha, se kush do të marrë deputetë më shumë. Kështu burime nga tri selitë e partive që tashmë janë të përfaqësuara në Parlament kanë filluar të zbardhin emrat që do të garojnë në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013.

Partia Socialiste

Sipas burimeve thuhet se, PS-ja pretendon të marrë 6 deputetë dhe për këtë arsye po kërkon të vendosë kandidat me reputacion të lartë. Kjo ka tronditur dhe tre drejtuesit e forcave politike në këtë qark. Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se, Rama është përqendruar tek dy figurat më të spikatura që aktualisht janë deputetët Fidel Ylli dhe Ermonela Felaj, të cilët thuajse janë të konfirmuar. Burime nga selia rozë e Beratit, thonë se, kandidat do të jetë edhe Namik Dokle, aktualisht drejtues politik i PSSH, për Qarkun e Beratit. Namik Dokle preferohet si njeri me përvojë të gjatë politike dhe që me urtësinë e kulturën e tij popullore është e vështirë ta dallosh, nëse është nga veriu apo nga jugu i Shqipërisë. Ai ka zgjidhur mjaft probleme të brendshme në strukturat  lokale të PS, që tani thuajse janë të konsoliduara dhe të gatshme për betejën e re elektorale. Sipas selisë rozë, vendi i katërt dhe i pestë do të ndahet midis dy personaliteteve të njohura në Qarkun e Beratit, kirurgut të njohur Eduard Bejko, i cili ka një reputacion shumë të madhe në Berat e më gjerë pasi me sjelljen dhe kontributet që ai ka dhënë në Partin Socialiste, por dhe tek të sëmurët, ka bërë që ky emër, tashmë të jetë i njohur në tërë Qarkun e Beratit dhe Çlirim Brisku, Kryetar i PS-së së Bashkisë Berat si dhe figura të tjera që nuk janë bërë të njohura. Burimet shprehen se lufta do të bëhet për të fituar deputetin e 6-të, pasi ai tashmë është bërë mollë sherri për të tre forcat politike.

Partia Demokratike

Por edhe Kryetari Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkon që ta zaptojë Beratin dhe ka piketuar figura, të cilët kanë reputacion në këtë qark. Berisha ka shfrytëzuar edhe një nga ato figura që ka dhënë kontribute të mëdha në këtë qytet, siç është Presidentin i Universitetit të Beratit, Astrit Veliaj, i cili është shpallur dhe qytetar nderi në Qarkun e Beratit, ku është votuar edhe nga këshilltarët socialistë. Sipas këtyre burimeve listën e PD-së do ta kryesoj, Genc Pollo, i dyti në listën e kandidatëve të PD është Astrit Veliaj, “Qytetar Nderi” i Qarkut të Beratit, më pas Arenc Berati, avokati i njohur beratas, ish-kryetar i Këshillit Bashkiak, aktualisht kryetar i degës së PD, të rrethit Berat. Ndonëse PD, në Qarkun e Beratit pretendon për katër deputet nga tetë gjithsej, e bindur në marrjen e tre mandateve në zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit, vendi i tretë do të ndahet midis deputetëve aktual Lefter Maliqi  dhe Ferdinad Pone, ky i fundit aktualisht zëvendës/ Ministri i Brendshëm, një beratas që mendohet të ketë mbështetjen sidomos të komunitetit çam.

Lëvizja Socialiste për Integrim

Ndërsa kreu i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta shpresat më të mëdha të fitores i ka mbështetur në dy drejtime. Në atë të figurës së z. Nasip Naço, i cili është deputet aktual në Qarkun e Beratit, ku dhe ka shumë reputacion dhe drejtimi i dytë i Metës, mbështetet tek 20 përqindëshi i punësimit të LSI- s, ku janë punësuar një numër i madh intelektualësh dhe punëtorësh. LSI, pretendon marrjen e dy mandateve në Qarkun e Beratit, ka shpallur si kandidat të mundshëm deputetin aktual Nasip Naço dhe Tomor Kapllani, drejtor i një banke në Berat.

3 deputet PD

1.Genc Pollo

2. Astrit Veliaj

3. Ferdinand Pone

– Arenc Beratit

-Lefter Maliqi

4 deputet PS

1.Fidel Ylli

2. Ermonela Felaj

3. Namik Dokle

4. Eduard Bejko

-Çlirim Brisku

1 deputet LSI

1.Nasip Naço

– Tomorr  Kapllani