Ben Blushi: Kosovarët na dhanë shkëlqim e sedër

452
Deputeti Partisë Socialiste, Ben Blushi, është përfshirë së fundmi në debatin mes varësisë së Kosovës nga Shqipëria, së fundmi pasi disa futbollistë lanë kuqezinjtë për t’u bashkuar me ekipin e Kosovës. Në një shkrim me titull “Pavarësia e Kosovës nga Shqipëria”, Blushi shkruan se në Kosovë ka funksionuar raporti me lirinë dhe kjo është arsyeja se përse ana tjetër e kufirit është më e suksesshme në kulturë dhe në sport në krahasim me Shqipërinë.
“Sot kosovarishtja është gjuha e muzikës shqiptare. Nuk ka këngëtar shqiptar që të mos këndojë kosovarisht. Je nga Shkodra knon. Je nga Tirana e bon. Je nga Korça, nuk do, por don. Nëse e bën je. Nëse nuk e bën nuk je. Nëse e bën shijohesh, nëse nuk e bën nuk shikohesh. Tregu shqiptar i muzikës dhe showbizit është i gjithi kosovar. Prej aty lind ritmi, lirika, vlimi, frymëzimi, hedhja dhe përdredhja.
Kosovarët kanë humor, kanë refren, kanë pasion dhe harmoni. Pa dyshim kanë edhe diçka që nuk e besoja që e kishin: disiplinën. 
Arti dhe sporti kërkon përkushtim dhe kosovarët dinë ta bëjnë si yje edhe pse janë të vegjël. Ne u kemi dhënë stilit të tyre një treg, ata i kanë dhënë artit tonë një shteg”, shkruan Blushi. Blushi shton se “ajo që kanë bërë me futbollin tonë, është një marrëzi që lind nga një popull me fantazi. 
Edhe pa futbollistët e Kosovës, Shqipëria do kishte futboll, por pa shkëlqim, pa qëllim dhe pa sedër. Ata na dhanë atë që kishim humbur për disa dekada. Forcën për t’u ndjerë të barabartë me të tjerët. Na çuan në Evropian duke i dhënë kombëtares së Shqipërisë një ritëm që raca jonë nuk e kishte njohur. Kosovarët janë një popull që di të përdorë muskujt”, ka përfunduar Blushi.
Sigal