BE shpërndan fondet, Shqipëria 89 mil Euro, Serbia merr 196 mil Euro

67
Komisioni Evropian miratoi sot, 11 dhjetor, paketën e tij për vitin 2015 të programeve të asistencës para anëtarësimit në mbështetje të reformave dhe bashkëpunimit rajonal në vendet që dëshirojnë t’i bashkohen BE-së që arrin përafërsisht në 1 miliard €.
Financimet vijnë në kuadrin e Instrumentit të Asistencës para Anëtarësimit (IPA II), dhe do të jenë të disponueshme për Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë. Ato do të mbështesin reformat e mëtejshme demokratike dhe ekonomike, modernizimin e gjyqësorit dhe administratës publike, si dhe bashkëpunimin rajonal.
Shqipëria përfiton 89 900 000 Euro dhe sektorët kryesorë të financuar janë Demokracia dhe Qeverisja, Shteti Ligjor dhe të Drejtat Themelore, Arsimi, Punësimi dhe Politikat Sociale
Serbia ka marrë dyfishin 196,600,000 Euro, informohet në faqen zyrtare të Komisionit Europian.
Ndërsa Turqia është shteti që merr 255,100,000 Euro.
“Kjo paketë shpreh angazhimin tonë të madh ndaj perspektivës së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Është një investim afatgjatë për stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien e vetë BE-së, si dhe do të mbështesë procesin e reformës politike dhe ekonomike të vendeve në udhën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, tha Johannes Hahn, Komisioneri Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.”
Paketa përfshin veçanërisht një program prej 155 milionë € në ndihmë të financimit të projekteve të mëdha rajonale të infrastrukturës në sektorët e energjisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor: katër linja për energjinë, dy projekte rrugësh dhe dy projekte hekurudhore, të cilat do t’i afrojnë edhe më shumë ekonomitë dhe shoqëritë. Kontributi i BE-së pritet të sjellë hua nga institucione financiare partnere në një total prej 540 milionë €.