Bashkitë bëjnë “rrush e kumbulla” 820 miliardë lekë

567
Sigal

Dështon Reforma Territoriale me 61 bashki. Qëllimi i qeverisë për riorganizimin lokal ishte përfitimi elektoral dhe krijimi i bejlerëve lokalë. Shumica e parave 205 miliardë ikën për rroga dhe 200 miliardë për shpërblime dhe luksin e zyrtarëve

Pushteti vendor shpenzoi gjatë 2018-s, 82 miliardë lekë

Bashkitë bëjnë “rrush e kumbulla” taksat

 

Pavarësisht burimit të financimit, në funksion të qeverisjes vendore u shpenzuan rreth 82.1 miliardë lekë në fund të vitit 2018. Kjo vlerë rezulton në rritje me rreth 2.4% në terma vjetorë, përcaktuar nga zgjerimi i shpenzimeve korrente. Sipas analizës së Co Plan, në ndarjen sipas natyrës ekonomike, shpenzimet korrente përfaqësuan rreth 72.6% dhe shpenzimet kapitale, rreth 27.4% të shpenzimeve totale të kryera në vitin 2018. Nga totali i shpenzimeve prej 82 miliardë lekësh nga pushteti vendor, shpenzimet e kryera me fonde të veta të bashkive regjistruan një nivel prej rreth 48.3 miliardë lekësh, në rritje të lehtë me rreth 0.9% krahasuar me vitin e mëparshëm. Shpenzimet korrente shënuan një nivel prej rreth 35.2 miliardë lekësh në fund të vitit 2018, në rritje me rreth 17.2% në terma vjetorë. Kahu i zhvillimeve në shpenzimet me fonde të veta gjatë tre viteve të fundit është përcaktuar gjerësisht nga ecuria e shpenzimeve korrente. Në vitin 2018, zgjerimi i shpenzimeve korrente përbënte përcaktuesin kryesor në normën e rritjes me 0.9% të shpenzimeve me fonde të veta. Në të kundërt, ecuria e shpenzimeve kapitale me fonde të veta kontribuoi negativisht në ecurinë e shpenzimeve totale. Analiza e buxhetit të bashkive tregon se ndër përbërësit e shpenzimeve korrente, shpenzimet për personelin (paga dhe sigurime) përbënë rreth 20.5 miliardë lekë gjatë periudhës së konsideruar, në rritje me rreth 8.5% krahasuar me vitin 2017. Shpenzimet për personelin vijojnë të ndjekin prirje rritëse vjetore, ndonëse me ritme më të moderuara, ndikuar dhe nga shuarja e efektit të rritjes së numrit të punonjësve si pasojë e transferimit të funksioneve të reja. Kështu, në vijim të rritjes me rreth 53.4% në vitin 2016 norma e rritjes u moderua në mënyrë progresive në 21.2% në vitin 2017 dhe në rreth 8.5% në vitin 2018. Shpenzimet operative dhe të tjera regjistruan një nivel prej rreth 14.7 miliardë lekësh në fund të vitit 2018, me një rritje prej 32.0% krahasuar me një vit më parë. Në nivel të detajuar, shpenzimet operative të kryera me fonde të veta për këtë periudhë shënuan një vlerë prej rreth 13.4 miliardë lekësh, në rritje me rreth 32.9% në terma vjetorë. Shpenzimet për materiale zyre u rritën me +31.3%, shërbime nga të tretët me 24.5%, shpenzime transporti +24.8%, shpenzime udhëtimi 12.1%, shpenzime të tjera operative +46.2% dhe mirëmbajtje e zakonshme 49.3%. Duke filluar prej vitit 2015, ecuria e shpenzimeve operative qartësisht po ndjek një trajektore rritëse, ku fundi i vitit 2018 shënoi nivelin maksimal të tyre. Ndonëse, rritja e shpenzimeve në këtë kategori rezulton të jetë e shpërndarë në thuajse të gjithë nënzërat përbërës, ecuria e tyre në terma afatmesëm dhe afatgjatë duhet monitoruar me kujdes, pasi mund të krijojë probleme qëndrueshmërie financiare për bashkitë, thuhet në analizën e Co Plan. Shpenzimet kapitale ose investimet, përbëjnë një zë të rëndësishëm të buxheteve vendore dhe një parakusht për zhvillim ekonomik afatgjatë në pushtetin vendor. Ndër vite, niveli i shpenzimeve kapitale ka qenë i luhatshëm, edhe pse paraqet një korrelacion të mirë me ecurinë e burimeve financiare të veta të bashkisë, veçanërisht me të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja. Pas rritjes së përshpejtuar në vitin 2017, shpenzimet për investime shënuan një vlerë prej rreth 13.1 miliardë lekësh në fund të vitit 2018, në rënie me rreth 26.7% në terma vjetorë.

Sipas funksioneve të qeverisjes, shpenzimet kapitale për funksionet “çështjet ekonomike” (ku përfshihet infrastruktura e transportit) dhe “strehimi dhe komoditetet e komunitetit” (ku përfshihen shpenzimet për strehimin dhe urbanistikë, ujësjellës dhe kanalizime vendore, ndriçimi publik) zënë peshën kryesore të shpenzimeve kapitale në të gjitha periudhat e marra në analizë (50.1% dhe 25.7% respektivisht). Megjithatë, në vitin 2018, shpenzimet për investime në funksionin e “çështjeve ekonomike” u përgjysmuan në vitin 2018 duke regjistruar një nivel uljeje me rreth 6.6 miliardë lekësh nga rreth 13.0 miliardë lekë në vitin 2017 (në rënie vjetore me rreth 49.4%). Ndërkohë, investimet në funksionin “strehimi dhe komoditetet e komunitetit” kanë shënuar një rritje të konsiderueshme me rreth 37.7% në terma vjetorë. Me transferimin e kompetencave të reja në lidhje me arsimin parashkollor dhe atë parauniversitar, bashkitë kanë rritur nivelin e investimeve në infrastrukturat arsimore. Përkatësisht, investimet në arsim në vitin 2018 regjistruan një nivel prej rreth 1.3 miliardë lekësh, në rritje me rreth 75.2% në terma vjetorë.

Qëllimi i vërtetë ishte për përfitime elektorale dhe të përqendronte pushtetin lokal në një dorë të hekurt

Dështon Reforma Territoriale, kushtoi 350 milionë dollarë, nga 90 milionë dollarë të planifikuara

Petraq BARJAMI

Reforma Territoriale, e ndërmarrë menjëherë pasi Rilindja fitoi zgjedhjet parlamentare të 2013-s u ndërmor me qëllimin e vetëm, që të shkurtoheshin fondet buxhetore, pasi nga 360 bashki dhe komuna që ishin në ato kohë, u përzgjodhën vetëm 61 bashki, u shkrinë komunat. Qëllimi i dytë, sikurse u tha atëherë, ishte që qytetarëve t;u ofrohen edhe më mirë, edhe më shumë, edhe më shpejt shërbimi. Mirëpo, cila është e vërteta? Sipas statistikave të INSTAT në vitin 2018 u shpenzuan 350 milionë dollarë për pushtetin vendore, me një rritje 17,2 % nga 2017-ta. Kur në fillim të miratimit të Reformës Territoriale u pretendua se shpenzimet do të ishin vetëm 80 – 90 milionë dollarë.

Fryrja e administratës bashkiake

Nga 300 komuna dhe 60 bashki që ishin deri në 2013, sot kemi 61 bashki dhe qendra administrative të bashkive, por kjo solli edhe fryrje të administratës bashkiake aktuale, rritjen e shpenzimeve operative për personelin, që shkon deri në 200 milion dollarë në vit. Këtu futen shpenzimet për materiale zyre që u rritën me +31.3%, shërbime nga të tretët me +24.5%, shpenzime transporti +24.8%, shpenzime udhëtimi +12.1%, shpenzime të tjera operative +46.2% dhe mirëmbajtje e zakonshme +49.3%. Rritja është për vitin 2018, dhe nëse e krahasojmë me 2013 kjo është shumë më lartë. Ndërkohë shpenzimet për investime që duhet të ishin parësore, shënuan një vlerë prej rreth 130 milion dollarësh në fund të vitit 2018, në rënie me rreth 26.7% në terma vjetorë. Qytetarët tashmë e kanë shumë të vështirë që të kryejnë shërbimet në qendrat e bashkive, pasi vendbanimet e tyre janë larg dhe humbasin shumë kohë, edhe për shërbime të vogla e të thjeshta. Qytetarët në zonat e largëta rurale nuk kanë më qendra shëndetësore, po mbyllen edhe shkollat e ciklit 9 vjeçar, për t’u përqendruar në qendër, rrugët rurale janë braktisur, investime në zonat rurale nuk bëhen. Për shembull, nëse do të rritej efektiviteti i punës, meqë jemi edhe në epokën e digjitalizimit, kërkesa për të marrë një certifikatë, duhet të bëhet edhe me telefon dhe dërgimi i saj mund të bëhej edhe me postë elektronike, me email, që do të shkurtonte fondet, kohën, etj. Mirëpo kjo nuk ndodh.

Përfitimet elektorale

Në fakt, Reforma Territoriale, 3-fishoi shpenzimet administrative, përqendroi pushtetin vendor në një dorë të vetme, fondet përdoren më shumë në qytet dhe braktisen zonat rurale. Por qëllimi kryesor është se qeveria përfitoi nga bashkimi i zonave të ndryshme në fushata elektorale, duke krijuar zona të reja elektorale, sipas sferës së ndikimit elektoral në favor të elektoratit të saj.