Basha: Rama-Meta kontratë me krimin, nëna e gjithë të këqijave

60
Nga Kavaja kreu i demokratëve Lulzim Basha ka kërkuar sërish dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, pas akuzave të bëra nga deputeti Tom Doshi. Ndërsa ka mbajtur protestën e radhës në këtë qytet, Basha ka deklaruar se Rama dhe Meta kanë grisur kontratën me zgjedhësit dhe kanë lidhur kontratë më krimin.
“Mesazhi është tik-taku i ri, për një rend të ri, për një ofertë të re, për një qeverisje të re në krah të qytetarëve, për një qeverisje që nuk sundon. Siç lindi pranvera demokratike 25 vjet më parë ashtu do vij sërish. E keqja më e madhe që ka mbërthyer vendin e ka emrin mashtrim, braktisje, krim dhe korrupsion i nivelit të lartë. Këto nuk janë fjalë, nuk janë parrulla, janë jeta juaj e përditshme. Kriminalizim i pashembullt deri në palcë i qeverisjes, krimi i veshur me pushtet. Rama dhe Meta e grisën kontratën me zgjedhësit, rritën taksat, rritën çmimin e energjisë, nuk hapën asnjë vend të ri pune por e zhytën ekonominë në krizë. Ata lidhën kontratën me krmin. I hapën krahun njerëzve me rekorde kriminale në administratë. E kthyen Shqipërinë në Kolumbinë e Europës. Këta janë nëna e gjithë të këqijave. Ju e shihni teatrin kriminal që është në krye të vendi, pas prishjes për hesape dhe pazaret e tyre”, deklaroi Basha. 
Kreu i demokratëve tha se Ilir Meta duhet të ikë nga karrigia numër dy e shtetit e të përballet me drejtësinë. Sipas tij në 21 qershor njerëzit me votën e tyre do largojnë nga zyrat e shtetit personat me të kaluar krminale, që sipas tij i ka sjellë vetë Rama dhe Meta.
“Nuk mund të pranojmë ta kenë sot jetën tonë dhe të fëmijëve tonë në duart e një regjimi krimnal. Do t’i largojmë nga zyrat e shtetit me hir apo me pahir. Do të largojmë personat që kanë sjellë Edi Rama dhe Ilir Meta, personat me të kaluar kriminale. Është ai që i ka përzgjedhur, i ka promovuar dhe i ka emëruar në institucionet e shtetit. Qytetarët do të ndëshkojnë me votë mjerimin, mungesën e shpresës. Vota e 21 qershorit është përgjigjja e vërtëtë, unë e di që ju mezi e prisni, ora e drejtësisë po vjen”, deklaroi Basha.