Basha në Fier: Shqiptarët nuk kanë para për bukë, Rama jep 350 mijë euro për kondicionerë

504
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është ndalur sot në Fier në kuadër të 27-vjetorit të themelimit të degës së partisë në këtë qytet. Duke u shprehur se “PD është aleanca e vlerave më të mira të shqiptarëve”, basha tha se “PD ka bërë sakrifica këto 27 vjet dhe i tillë ishte viti 2017. Beteja jone do të vazhdojë çdo ditë, sepse interesi ynë nuk është pushteti, por interesi i vendit dhe çdo qytetari”.
Kryedemokrati Basha përmendi edhe rastin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Saimiri Tahiri përfitoi miliona nga trafiku i drogës dhe është i lirë, ndërsa Estref Halili, i riu 22-vjeçar, vari veten në burg një vit më parë per 2 gramë hashash. Sot e gjithë qeveria është ngritur në këmbë për Saimir Tahirin, por asnjë nuk tha një fjalë për 22-vjeçarin që ndërpreu jetën për 1 cigare hashash. Edi Rama u bë edhe prokuror, edhe gjykatës për të mbrojtur Saimir Tahirin. Menjëherë pas emërimit të Ramës Kryeprokuror, Saimir Tahirit ia kthyen pasaportën. Orest Sota u la i lirë sepse Edi Rama e do me çdo kusht mbylljen e dosjes, sepse ky është fundi i qeverisjes së tij.
Rama bëri fushatë 1 vit duke akuzuar opozitën se nuk donte vettingun. Sot e zgjodhi kryeprokurorin pa vetting. Sepse e kanë jetike pengimin e reformës së vërtetë në drejtësi. Por ne nuk do ta lëmë vendin peng të korrupsionit, të krimit. Është iluzion për këdo që të besojë se një kryeministër i kapur nga krimi, do të ketë vullnet të luftojë krimin dhe të bëjë reformën zgjedhore. E kundërta është e vërtetë”, u shpreh Basha.
Sakaq, ai nuk ka kursyer akuzat ndaj kryeministrit Rama. Teksa ndalet tek situata ekonomike në vend, Basha tha se shqiptarët nuk kana para për t’u ushqyer, ndërsa kryeministri Rama sipas tij ka dhënë para për palma e kondicionerë.
“Në Shqipëri janë 300 mijë shqiptarë që nuk ushqehen dot, 43 % e shqiptarëve që nuk ngrohen dot. Kjo është fatura e korrupsionit të qeverisë se Edi Ramës, që ka para për palma dhe 350 mijë euro për kondicionerë për kryeministrin, por nuk ka para për shqiptarët. Korrupsioni, krimi, kapja e drejtësisë dhe vjedhja e zgjedhjeve janë produkt i një qeverie ilegjitime. I bëjmë thirrje kurajos më të lartë të qytetarëve, t’i bashkohen Partisë Demokratike për rrugën e daljes nga kjo situatë. Partia Demokratike do të tregojë me vepra dhe jo me fjalë se është gati t’i prijë shqiptarëve për të rikthyer shpresën se të nesërmen do ta ndërtojmë në vend”, u shpreh Basha.
Sigal