Kryetari i Kuvendit: “Reforma në drejtësi mbetet kryefjala e angazhimit tonë politik”

485
Kryeparlamentari Ilir Meta priti në një takim zyrtar Ministrin e Punëve të Jashtme të Vendeve të Ulëta, Bert Koenders 
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti ditën e djeshme Ministrin e Punëve të Jashtme të Vendeve të Ulëta, Bert Koenders me të cilin biseduan mbi marrëdhëniet dypalëshe, procesin e integrimit evropian dhe zhvillimet në rajon. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u shpreh se Holanda përfaqëson një vend domethënës për Shqipërinë brenda Bashkimit Evropian dhe në këtë kuadër Kuvendi i Shqipërisë mirëpret intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare, bashkëpunimit qeveritar dhe ekonomik mes dy vendeve. Pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen holandeze Meta ndau bindjen me Koenders se procesi i integrimit evropian kërkon përshpejtimin cilësor të reformave të ndërmarra ku reformimi i sistemit të drejtësisë mbetet kryefjalë e angazhimit politik. Në këtë drejtim, theksoi Meta, Kuvendi mbetet vendi i dialogut politik dhe i besimit reciprok. Ministri i Jashtëm i Vendeve të Ulëta Koenders shprehu kënaqësinë e vizitës së tij në Tiranë dhe vuri në dukje se BE inkurajon zbatimin e plotë të reformës në drejtësi si dhe krijimin e një klime mirëbesimi dhe kompromisi për organizmin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në përfundim Kryetari Meta dhe Ministri Koenders biseduan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, duke ndarë bindjen se stabiliteti, konsolidimi demokratik dhe integrimi evropian i vendeve të Ballkanit i shërben sigurisë mbarë-evropiane dhe axhendës euro-atlantike të tërë rajonit.
Sigal