Bardhyl Berberi/ Politikanët tanë, ustallarë të këqij; kanë ndërtuar një shtëpi që po na zë brenda

49
Takova një burrë të mençur dhe moshuar nga Mokra. – Dëgjo më tha, – këta politikanët tanë na kanë ndërtuar një shtëpi të ndërtuar keq, e cila rrezikon të na zëri të gjithëve brenda… Dhe patjetër një ditë do të na zëri brenda kështu siç e kanë filluar këta politikanë si ustallarë të këqij. Një ngrehinë e ndërtuar keq, mund të shkojë kohë duke u lëkundur, por ajo patjetër një ditë do të rrëzohet. Zakonisht, muratorët e këqij mundohen të shfajësojnë veten se që të qëndrojë një shtëpi në këmbë duhet që të gjithë banorët e kësaj shtëpie të kujdesen për të… Ku është reforma në drejtësi ka disa ditë që nuk e zë kush në gojë, pse kush po e saboton atë? Kjo që po ndodhë aktualisht në Shqipëri është rezultat i një klase politike të paaftë. Mendimet e lira të intelektualëve i konsiderojnë si anti demokratike shtypin e quajnë si moçal. Tashmë po lulëzon një tezë se ‘ata intelektualë që nuk janë me ne, janë kundër nesh’. Natyrshëm lind pyetja A ka rrezik që antagonizmi mes atyre që duan të mbrojnë ligjin dhe atyre që abuzojnë me të, të përshkallëzohet në kufijtë e një kaosi më të madh qytetar? 


Nëse presidenti i Republikës “Le dasmën dhe shkon për shkarpa “nuk merr pjesë në takimin për reformën në drejtësi, si Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, së bashku me faktorin ndërkombëtar por shkon tek liqeni të zgjidhi hallin e këndit të lojnave! Ndërkohë që kryeministri nis silura drejt Amerikës se cili do AI të jetë president i SHBA, çfarë pune ka kryeministri ynë se kush zgjidhet president i SHBA atë e di populli amerikan! Faktori ndërkombëtar një kohë të gjatë është marrë me Shqipërinë si me një fëmijë të llastuar dhe grindavec. Atë që ka kapur me vonesë faktori ndërkombëtar për Shqipërinë është mungesa e sensit për të evidentuar rrezikun që i kanoset stabilitetit nga demokracia e rrënuar. Formula “stabilitet, demokraci dhe luftë korrupsionit” mund të ketë pasur efektet e pritshme në vitet para të trazicionit. Demokracia tek ne po paraqitet si një pasqyrë e thyer që nuk reflekton progres. Një gjë nuk kanë të qartë politikanët tanë se Demokraci do të thotë kompromis që të jesh në shërbim të qytetarëve Shqipëria është një vend i vogël për t’u dukur e madhe në hartën e marrëzive që i bën vet. Politikanët tanë të paaftë asnjëherë nuk na kanë treguar të ardhmen ata po na çojnë nëpër hone humnerash që duhet vetëm një shtytje e vogël të përfundojmë në fund të greminës. A ka mbetur edhe shumë kohë që udhën të na I mbajnë të zënë ky takëm të paaftësh . Kur do të vijë ajo ditë që të mençurit të na tregojnë rrugën e drejtë dhe hapat e tyre të jenë vendimtare drejt integrimit europian… Kohë për të pritur s’ka shumë, madje kemi humbur shumë trena nëpër stacione. Është e domosdoshme që të kemi një trup të fuqishëm, që do të mbante drejtpeshimin midis marrëzisë së politikës dhe shpresës qytetare po tregohet shumë emergjente. Sërish emergjencë, por kësaj radhe, shpirtërore, për të liruar politikbërjen nga virusi i kaosit, korrupsionit dhe njerëzve të paaftë që kanë zënë pikat kyçe dhe drejtojnë vendin dhe ekonominë në mënyrë amatoreske.