Babëzia e fitimit maksimal rrezikon jetën e pacientëve me ilaçet e skaduara në QSUT

246

Petraq BARJAMI

Në spitalin më të madh të vendit tonë, në “Nënë Tereza” në Tiranë, i cili është njëkohësisht edhe Qendër Universitare, 93 % të ilaçeve që janë në farmacinë spitalit janë të …skaduara! Medikamentet që gjenden në QSUT u përkasin viteve 2012-2018 dhe kapin një kosto totale kontabël prej 481.8 milionë lekësh [rreth 3.9 milionë euro]. Nga këto, ilaçe me vlerë kontabël 447 milionë lekë rezultojnë të skaduara dhe vetëm 34.7 milionë brenda afatit të përdorimit. Grumbullimi i stokut të madh të ilaçeve të skaduara në farmacinë qendrore të QSUT është konsideruar një problem serioz edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH. Në dy raporte auditi për vitet 2014 dhe 2015, KLSH konstatoi se kishin shkuar dëm tonelata medikamentesh të tenderuara, apo të dhuruara në Qendrën Spitalore Universitare dhe fajësonte për këtë keqmenaxhimin, por edhe praktikën e tenderimit të medikamenteve në prag të datës së tyre të skadencës. Rreth 60 për qind e tyre rezultojnë të jenë blerë në vitet 2011-2013 dhe kanë dalë jashtë përdorimit në vitet 2014 dhe 2015. Pjesa tjetër rezulton të ketë skaduar gjatë viteve 2016-2018. Në raportin e auditimit të publikuar në mars 2016, Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentonte faktin se situata në vitet 2014-2015 paraqitej tejet e rënduar me rreth 520 mijë medikamente të skaduara. . “..Sasia e barnave të skaduara është 172.705.615 lekë, nga të cilat 48 366 589 lekë medikamente të kontraktuara me fonde të buxhetit të shtetit. Pjesën kryesore e përbëjnë donacionet, të cilat nuk arrijnë të përdoren brenda afatit të tyre të skadimit,” thuhet në raportin e KLSH-së.

Skema abuzive me ilaçet e skaduara të QSUT

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk iu përgjigj pyetjeve mbi arsyet e krijimit të stokut në farmacinë qendrore si dhe dëmin e dyfishtë të shkaktuar ndaj pacientëve dhe buxhetit të shteti. Barnat sillen në kufijtë e skadencës, me afat 6 muaj apo maksimumi 1 vit,” – thotë një zyrtar i QSUT-së. Sipas burimeve të mirinformuar nga QSUT-ja bëjnë me dije, se ilaçet e skaduara qëndrojnë në depot e farmacisë, për gjendje. Kur koncesionarët e ilaçeve duan të sjellin ilaçet sipas kontratës, njerëzit në QSUT u thonë atyre që të sjellin gjendje të vogla ilaçesh, ndërsa sasinë tjetër nuk e marrin, por ndajnë bashkërisht paratë, duke shkruar në defterë, sikur janë dorëzuar sasitë e ilaçeve, sipas kontratës. Mjekët shkruajnë receta pacientëve dhe u thonë që të shkojnë të blejnë ilaçe në farmaci jashtë QSUT-së, sepse ilaçet …mungojnë në QSUT, edhe pse DETYRIMISHT QSUT-ja duhet t’jua japë pacientëve. Pasi pacientët i blejnë ilaçet që mjekët u rekomandojnë, ato ilaçe që përdorin pacientët në QSUT, por që i blejnë vetë në farmacitë jashtë spitalit, mjekët i regjistrojnë në defterë sikur ua jep spitali. Këto ilaçe, që pacientët i blejnë me paratë e tyre, por që mjekët në QSUT i regjistrojnë sikur ua jep spitali, janë ato ilaçe, që nuk i marrin nga koncesionarët që furnizojnë QSUT-në, por sasinë e parave që përmban kontrata, e ndajnë bashkërisht. Ndërsa ilaçet e skaduara qëndrojnë në raftet e farmacisë të QSUT-së edhe thjesht për …inventar!!!

Ilaçe për përdorim vetëm për ….Shqipërinë

Një mjek shqiptar që punon në një nga spitalet më të mëdha të Athinës, më pohon se kompanitë farmaceutike në Greqi prodhojnë medikamente vetëm për përdorim jashtë BE-së. Një pjesë e këtyre ilaçeve vjen edhe në Shqipëri. Këto kompani farmaceutike prodhojnë ilaçe për vendet jashtë BE-së, sepse nuk përdorin gjithë dozën aktive që parashikohet në përqindjen e formulës kimike të medikamentit përkatës. Kjo ul koston e prodhimit, por edhe ul dozën e veprimit ndaj sëmundjes. Matrapazëve të ilaçeve kjo është një nga mënyrat më fitimprurëse, sepse blejnë ilaçe me kosto shumë të ulët dhe i shesin ën Shqipëri me çmime shumë të larta. Prandaj, shumë ilaçe që përdorim në Shqipëri nuk japin efektin e duhur kurues, nëse i përdorim sipas udhëzimeve të shkruara në ambalazhin e ilaçeve, por duhet t’i marrim 3 – 4 herë më shumë në doza, që të japin efekt, kaq sa u është hequr doza e lëndëve aktive në prodhimin e tyre. Gazeta “Telegraf” do të vazhdojë investigimin e mëtejshëm në pazaret e babëzitjes të matrapazëve të ilaçeve në dëm të shëndetit të pacientëve.