Avni Rustemi i shpëton atentatit në mesnatë

444
Sigal

Këshilli Bashkiak i Kryeqytet nuk ia heq emrin sheshit që mban emrin e heroit që vrau Esat Toptanin

Mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit ka qenë një komedi më vete. E paralajmëruar si një mbledhje e tensionuar, ku do të diskutohej heqja e emrit të sheshit “Avni Rustemi” dhe për ta zëvendësuar me emrin “Çamëria”, afër mesnatës mbledhja përfundoi me një fiasko të vërtetë. Pjesa demokrate e Këshillit dhe vetë Kryebashkiaku Basha, që kishin propozuar heqjen e Avni Rustemit nga sheshi që për dekada me radhë mban emrin dhe bustin e “Heroit të Popullit” Avni Rustemi, janë tërhequr. Kjo mbledhje u parapri nga një zhurmë dhe reaksion i fortë mediatik, ku zërat kundër heqjes së emrit të heroit që vrau Esat Toptanin dominuan. Në mbrojtje të Avniut u ngritën atdhetarët, veteranët, Lëvizja Çame, një opinion i tërë, duke e quajtur këtë akt një turp në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Pas një sërë turpesh në emër të rishikimit dhe rivlerësimit të historisë kombëtare, ky me Avniun do t’i vinte vulën dhe do të mbushte kupën. Mirëpo duket se përveç këshilltarëve socialistë, kundër kanë qenë edhe disa aleatë të PD-së në qeveri, si LSI e ndonjë tjetër. Duke parë se nuk do t’i plotësonte dot votat për heqjen e emrit, mbase duke llogaritur edhe pasojat e këtij akti, demokratët u tërhoqën në minutën e fundit. Kështu, Heroi Avni Rustemi i shpëtoi një atentati të mirorganizuar. Përfytyroni: Mbledhja mbaroi afër mesnatës. Sikur të miratohej dëshira e demokratëve në Bashki, në mesnatë do të turreshin vinça dhe makineri për të hequr bustin e heroit. Zhurma e matrapikëve do t’i ngjante krismave të revolverit të të shiturve mbi trupin e heroit. Sot ai shesh do të gdhihej pa bustin e Avniut.

Sidoqoftë, mbledhja e djeshme u shndërrua në komedi. Së paku kështu mendon shkrimtari Kiço Blushi, anëtar i këtij Këshilli Bashkiak. Dhe komedia ndodhi me sheshin “Çamëria”. Pas dështimit me atentatin ndaj “Avni Rustemit” u kërkua një shesh tjetër. Dhe u gjet. Plani që ky emër t’i vihej një sheshi pranë ish-stadiumit “Dinamo” u prish sërish në minutën e fundit. Nga injoranca, ata që kishin menduar t’i vinin emrin “Çamëria” sheshit pranë Dinamos, nuk e dinin se ai shesh mbante emrin e një heroi tjetër, Isa Boletinit. Ndaj me vrap kërkuan një shesh tjetër. Dhe e gjetën. Një shesh në rrugën “Ali Demi” do të mbajë emrin “Çamëria”.

Tërheqja

Kryetari i këshilltarëve të PDIU në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Tahir Muhedini, ka deklaruar se kërkesa për të ndryshuar emrin e Sheshit “Avni Rustemi” nuk ka qenë në kohën e duhur. Në këtë mënyrë çamët janë zmbrapsur nga kërkesa e tyre pas një presioni të madh jo vetëm nga opinioni, por edhe nga vetë aleatët e qeverisë. Lëvizja Socialiste për Integrim ishte shprehur kundër ndryshimit të emrit të Sheshit “Avni Rustemi”, duke deklaruar se ai shesh është larë me gjakun e tij. Ndërsa PD kishte shprehur mbështetjen e saj për këtë iniciativë të PDIU-së.

LËVIZJA ÇAME: “IDRIZI PO PËRÇAN ÇAMËT”

Mbas propozimit antikombëtar dhe dritëshkurtër për ndryshimin e emërtimit të Sheshit ‘Avni Rustemi’ dje u luajt Estrada e radhës e Idrizit. Duke e parë veten nën vlerësimin negativ të të gjithë opinionit mbarëkombëtar shqiptar, përfaqësuesit e PDIU bënë një dredhi të turpshme taktike për të shpëtuar fytyrën, përsëri në kurriz të Çamërisë. Tërhiqen nga ideja e tyre shterpë e Sheshit ‘Avni Rustemi’ për të kaluar në një shesh tjetër imagjinar, sheshin përballë me Stadiumin Dinamo. Lëvizja Çame dënon ashpër tentativën për heqjen e emërtimit të Sheshit Avni Rustemi, sheshi ky i larë me gjakun e heroit të Kombit “Avni Rustemi”. Lëvizja Çame dënon çdo tentativë të këtyre rrugëhumburve që çon në përçarje Kombëtare dhe cenon pronën private të bashkëqytetarëve të nderuar. Nisi gjithçka me një propozim antikombëtar duke përdhosur figurën e Heroit Avni Rustemi, vijoji duke propozuar ca zgëqe e baltore pranë Stadiumit Dinamo të merrnin emrin Çamëria dhe tani, për të humbur gjurmët e tradhtisë se tyre shkojnë dhe i ‘Bien’ një heroi të Çamërisë siç është Ali Demi. Vendimi i fundit dhe më i arriri deri tani është që të zëvendësojnë një hero çam me emrin Çamëria. Asnjë vlerë nuk ka ky propozim. Ali Demi vjen nga familja e nderuar e Dematëve. Si ai edhe familja e tij janë figura të nderuara të historiografisë sonë çame. Asnjë vlerë s’ka ky propozim, sepse nuk u shtua ndonjë toponim i ri çam, hoqën një toponim çam të vjetër dhe vunë një të ri. U duk sikur u la goja me çamët sepse në Tiranë nuk paska një vend të ri t’i nxëj ata, por për t’i bërë qejfin Idrizit dhe shpurës se vet që ecën qorrazi na i kthejnë çamët njeri kundër tjetrit tani. Idrizi vazhdon përçarjen, përplasjen dhe diskriminimin brenda komunitetit dhe llojit të vet. Njerëz që kanë bërë historinë, kanë dhënë gjakun për këtë komb përfundojnë të përdhosur nga anonim soj sojesh që as nami e nishani nuk do të ngelet në histori (të paktën jo për ndonjë gjë pozitive). Përfundimisht PDIU nuk është parti, por një telenovelë spanjolle.