Av. Idajet Beqiri:Zogaj,agjent i Berishës brenda së Majtës

477
Sigal

Reagimi i koalicionit të majtë ndaj deklaratave të koordinatorit të saj, për projekt-platformën e bashkëpunimit

* Kryetar i PUK

Gjatë zhvillimit të punimeve të tryezës së 35 partive politike të opozitës, të cilat kanë vendosur të bashkëpunojnë për të siguruar domosdoshmërinë e rotacionit të pushtetit në 23 Qershor, nuk ra në sy mungesa e Preç Zogaj. Kjo, mbase për faktin se në tryezën ovale të punës ishin vendosur vetëm emrat e kryetarëve të partive pjesëmarrëse dhe zoti Zogaj nuk është drejtues i ndonjë partie. Të nesërmen e takimit, u njohëm me prononcimin e zotit Zogaj, i prezantuar si Koordinatori i “Opozitës së Bashkuar”, i cili mungesën e tij, në tryezën e thirrur nga kreu socialist Edi Rama me krerët e partive aleate, e kushtëzoi nga përplasja e qëndrimeve lidhur me mënyrën se si duhet të funksionojë koalicioni i majtë.   Zoti Zogaj nuk nguroi ta cilësojë formulën e ndarjes së pushtetit mes PS-së, si forcë e parë e koalicionit dhe aleatëve të saj, si krejtësisht të kundërt me qëndrimin e tij.  Ai e personalizoi projekt-platformën që paraqiti zoti Edi Rama në tryezën e partive të koalicionit, duke theksuar se, ishte një individ dhe se kishte marrë pjesë si një individ në tryezën e opozitës për këto katër vite.  Nga ana tjetër, Zogaj proklamoi se ka një mendim ndryshe për motivet që duhet të frymëzojnë njerëzit për të marrë pushtetin, për të dalë nga kriza, për ndryshimin, për zhvillimin etj.  Në projekt-platformën për bashkëpunimin elektoral dhe postelektoral parashikohej formula, sipas së cilës, shifra minimale për kontribut në qeverisjen në rang qarku shkon nga marrja e 500 votave deri në 1000, ndërsa për pushtetin qendror fillon nga 5000 vota deri në 10.000 vota. Këtë parashikim në projekt-platformë  Zogaj e konsideroi si «motivim me një vend pune në shtet» dhe se ky lloj motivimi nuk është «rroba» e tij. «Nuk kam si të dal kundër vetes në këtë pikë”, – u shpreh Zogaj.   Duke qenë një ndër pjesëtarët e hershëm të koalicionit të majtë opozitar, ndjekës i rregullt i të gjitha veprimtarive që kemi kryer në këtë kuadër, një reagim i tillë i  Zogaj më duket i pa sens, për të mos thënë i stisur, ose thjesht e prerë, një «sebep» për ndonjë hap tjetër të paramenduar.  Në radhë të parë, sepse në takimin e janarit 2013, idenë për të pasqyruar në projekt-platformën  e përgjithshme të koalicionit dhe pastaj në marrëveshjet bilaterale të çdo partie në koalicion PS-në motivimin e partive pjesëmarrëse me numrin e votave që do të marrin në zgjedhje, e hodhi pikërisht Zogaj. Tashmë, që kjo ide e tij u përfshi në projekt-platformë, ai mban një qëndrim të kundërt me të. Në radhë të dytë, në takimin e partive aleate të PS-së të datës 20 mars 2013  Edi Rama prezantoi një projekt-platformë. Ajo ju nënshtrua një diskutimi dhe debati në tryezë. Pjesëmarrësit dhanë një sërë mendimesh dhe bënë vërejtjet përkatëse për te. Në këtë kuadër, edhe zoti Preç Zogaj, pavarësisht se, ishte njohur më parë me këtë projekt-platformë që do t’i paraqitej tryezës, duhet të merrte pjesë në këtë tryezë, dhe përmes argumenteve që kishte, t’i paraqiste këndvështrimet dhe mospajtimit e tij me të, aq më tepër që projekti është projekt. Në se mendimet dhe vlerësimet e tij nuk do të merreshin në konsideratë, ishte e drejta e tij që t’i bënte edhe publike në masmedia. Mirëpo, mospjesëmarrja në tryezë e Zogaj, mos hedhja  për diskutim në këtë mbledhje të kundërshtive të tij me projekt-platformën, por «vrapimi» te TV Klan për të bërë « Shovv » me cilësinë e «koordinatorit  të koalicionit të majtë », gjithkujt i lë një shije të hidhur. Për hir të së vërtetës, platforma e bashkëpunimit ishte e formatuar më së miri.  Ajo paraqiste marrëdhënie të ndershme, mes të gjitha partive aleate, për përmbushjen e një misioni historik për rotacionin pushtetit dhe për largimin e Berishës nga qeverisja. Ishte një marrëveshje motivuese dhe në të ishin reflektuar mirë të gjitha mendimet e partive pjesëmarrëse në koalicion. Me përmirësimin e vërejtjeve që u bënë, do shkojmë drejt nënshkrimit të kësaj platforme, që do na çojë në fitoren e sigurt, si opozitë, në këto zgjedhje. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje bashkëpunimi para dhe pas zgjedhore, do të kemi edhe hapin e dytë, i cili është nënshkrimi i marrëveshjes mes çdo partie të koalicionit dhe PS-së, ku do përcaktohet roli i çdo partie dhe pjesëmarrja në qeverisjen e ardhshme. Sa theksuam, është diametralisht e kundërt me paragjykimin e Zogaj, se thelbi i projekt-platformës na qenka «motivim me një vend pune në shtet»!  Partitë politike pjesëmarrëse në këtë koalicion, janë të ndërgjegjshme se me këtë sistem zgjedhor që kemi në fuqi, me këtë ligj elektoral që po operohet në këto zgjedhje, i kanë të mbyllura dyert për të konkurruar të vetme dhe për t’u përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë. Por ato nuk janë «mish për top» të dy partive të mëdha. Ndaj kontributi i 34 partive pjesëmarrëse në koalicion me PS-në,  për të siguruar fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit, duhet të vlerësohet. Ky vlerësim nuk ka si bëhet ndryshe, veç  në bazë të numrit të votave që sjellin në “thesin e madh” të PS-së  partitë pjesëmarrëse në këtë koalicion. Nëse nuk do të ekzistonte ky motivim, nëse partitë pjesëmarrëse në koalicion nuk do të stimuloheshin për të marrë sa më shumë vota, për  t’u bërë pjesë e qeverisjes lokale dhe qendrore pas zgjedhjeve, për të qeverisur krejt ndryshe  nga  Berisha, përse do të bëheshin pjesë të koalicionit?! Kjo nuk do të thotë, që partitë e koalicionit t’i qëndrojnë strikt vetëm “parimit të numrit të votave” në qeverisjen e nesërme, duke anashkaluar prurjet elektorale, që mund të masivizojnë fitoren e së majtës, prej sjelljeve të partive dhe individëve të së djathtës, në koalicionin e së majtës. Nga ky këndvështrim, pavarësisht se i takon kreut të opozitës ta vlerësojë dhe konkretizojë nesër kontributin e gjithsecilës parti dhe të individëve, që e mundësuan ardhjen e fitores, mendoj se  Zogaj meriton të ketë vendin e vet të merituar. Nuk dua të besoj se ky reagim i zotit Preç Zogaj të jetë thjesht një  “sebep”, për të  përligjur shkuarjen  te “Klani”, jo më si përfaqësues i koalicionit tonë, por si pjesë përbërëse e Berishës, “buka” e të cilëve është thyer dy herë, dhe kërkohet të “ngjitet” për herë të tretë!

Preç Zogaj, diversionisti i së Djathtës brenda lëvizjes së Majtë

Propozimet dhe dilemat e ish- deputetit demokrat dhe ish- ministrit socialist, Preç Zogaj duket se kanë krijuar një pështjellim në qarqet e majta të politikës shqiptare. Madje, duke sqaruar alternativat e hedhura prej tij, Zogaj hodhi idenë e një koalicioni të gjerë midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. “Unë mendoj se ky koalicion, i përbashkët,  i cili mund të ishte edhe në formën e një qeverisjeje teknike, do të garantonte me kohë integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Zogaj, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetares Ilva Tare. Zogaj tha gjithashtu se: “Nëse ky koalicion do të bëhej qysh në zgjedhjet e vitit 2009, atëherë, Shqipëria do të ishte integruar me kohë në strukturat ndërkombëtare duke i fituar të gjitha shanset e humbura. Ideja e hedhur nga Zogaj, gjatë ditës së mbrëmshme, ka hapur shumë diskutime në lidhje me rolin, kontributin dhe pasojat e “bombave” që ai hedh në gjirin e koalicionit rozë. Kjo duhet të ishte realizuar më parë, por çdo vonesë i ka kushtuar integrimit”, përfundoi ai.

 Udhëkryqi politik i Preç Zogaj

Preç Zogaj në karrierën e tij politike dhe shoqërore ka pasur shumë turbulencë dhe mungesë të stabilitetit politiko-shoqëror. Në vitet ‘90 ka qenë ndër nismëtarët kryesorë të Lëvizjes  Dhjetoriste dhe krijuesit e parë të PD-së. Në vitet 1994 ndahet nga PD-ja dhe krijojn me një grup anëtarësh të PD-së partinë “Aleanca Demokratike”. Ai është përfolur gjatë kësaj  kohe nga vetë drejtuesit e PD-së për lidhje me ish- Sigurimin e Shtetit.  Në 1997-n ka qenë mjaft aktivë me forcat rebele  në rrëzimin  e Berishës.   Me ardhjen e socialistëve në pushtet, u bë ministër, por që u shkarkua shpejt nga Meta. Më vonë, në zgjedhjet  që u fituan nga PD-ja, u propozua nga kjo e fundit në listën për deputetë në Shkodër,  por që nuk pranoi pasi donte në radhët e para, megjithëse ai që e zëvendësoi e kapi pragun. U bashkua me Ngjelën në partinë Ligj dhe Drejtësi dhe para pak kohësh në ditëlindjen e tij  u dukën shumë të djathtë, nga ku u hodhën hije dyshimi për një kapërcim të mundshëm të tij shpejt, apo vonë. Qëndrimi aktual është më tepër pranë së djathtës, duke u kthyer atje ku e filloi me shokët e tij Lëvizjen e Dhjetorit 1990.

 Petro Koçi: “Zogaj nuk ka fuqi të përçajë të majtën”

I pyetur nga gazeta “Telegraf”, në lidhje me mundësinë e realizimit të një koalicioni midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, kreu i PSV’91, Petro Koçi ka thënë se “ky është absurditeti më i madh që kam dëgjuar”. Më tej, ai ka plotësuar mendimin e tij duke thënë se: “Nëse ndodh ky absurditet, atëherë nuk ka nevojë të shkojmë në zgjedhje”. Nga ana tjetër, i pyetur nëse Preç Zogaj mund të ndikonte në përçarjen e së Majtës, Koçi u shpreh se, Zogaj nuk ka aq fuqi sa që të dëmtojë të majtën. “Kjo që thoni ju nuk ndodh, sepse ai nuk ka ndonjë ndikim për të bërë ndonjë dëm tek ne”.