Sigal

Më 1 Korrik 2018 Austria merr presidencën e BE-së dhe me këtë për herë të parë e ka kryesinë një koalicion populistësh të djathtë në Bashkimin Evropian. Migrimi do të jetë tema qendrore e kësaj presidence. Grindja për një politikë të përbashkët migrimi në BE nuk ka marrë fund. Madje në Gjermani qeveria ndodhet para një krize, shtetet e Vishegradit vazhdojnë kursin e konfrontimit me BE, Italia mbyll portet për anijet me refugjatët e shpëtuar në det. Në samitin e BE-së u arrit me mundim një ujdi që të mbrohen më mirë kufijtë e jashtëm të BE. Çështja, se si do të shpërndahen migrantët mbeti pa përgjigje në samit. Pikërisht në këto kohë, Austria merr presidencën e radhës në BE. Një vend që në çështjen e migracionit, nuk ka treguar shumë gatishmëri për kompromis. Kancelari i partisë konservatore, ÖVP qeveris në Vjenë bashkë me partinë populiste, armiqësore ndaj të huajve, FPÖ Besoj se njerëzit kanë të drejtë që janë ngopur duke dëgjuar gjithmonë të flitet për migrimin në nivel evropian dhe të mos ndodhë faktikisht asgjë”, tha para pak ditësh, kancelari Kurz. Presidenca austriake gjashtëmujore zhvillohet nën moton: “Një Evropë që mbron.” Kreu i qeverisë austriake kërkon me këtë moto të reduktojë imigrimin në të gjitha itineraret. Vendimi i fundit i BE për të ndërtuar kampe në Afrikën e Veriut për migrantët e shpëtuar në det, është për kreun e qeverisë austriake drejtimi i duhur. Sepse mbylla është ndërkohë një qëllim i përbashkët, thotë Sebastian Kurz. Një zhvillim pozitiv për të. „Në vitin 2015 nuk ishte kështu”, thotë ai. Austria kërkon përmirësimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE dhe një zgjerim masiv të Frontex-it. Komisioni Evropian do të shtojë personelin e kësaj agjencie me 10.000 vetë deri në vitin 2027. Për Austrinë e vende të tjera duhet vepruar më shpejt. Sepse edhe rritja e fundit e personelit me 1500 vetë ende nuk ka përfunduar. Vendet e BE ofrojnë me shumë hezitim policë në dispozicion për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së. Saskia Stachowitsch, drejtuese e Institutit për Politikën Ndërkombëtare në Vjenë e sheh si jo realiste rritjen e numrit me roje kufitare të Frontex-it. „Duke e ditur, se sa e vështirë ishte rritja e numrit të personelit të Frontex, nuk e besoj se kjo ka për të qenë e lehtë.”