Presidenti Meta: Nderim çdo mësuesi që është sot në ballë të Pranverës Kuqezi

426
Sigal

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një urimi të veçantë, ka shprehur nderimet për çdo mësues në këtë 7 mars. Kreu i Shtetit vlerëson misionin fisnik të mëkimit të dijes, vlerave qytetare, atdhetare e patriotike.

Nga ana tjetër, Presidenti ka shprehur faleminderit për të gjithë mësuesit, pedagogët dhe profesorët që janë vënë sot në ballë të Pranverës Kuqezi.

”Lavdi përjetë atyrë që dhanë jetën për gjuhën tonë të shenjtë! Të mos harrojmë kurrë amanetin e Petro Nini Luarasit: “Mblidheni gjakun tim që ta përdorin fëmijët për të shkruar shqip!”‘,-shkruan presidenti Meta në facebook.

Urimi i plotë i Presidentit Ilir Meta

Gëzuar 7 marsin, Ditën e Mësuesit!

Gëzuar këtë ditë nderimi të madh për çdo mësues, pedagog dhe profesor shqiptar dhe shumë sukese në misionin fisnik të mëkimit të dijes, vlerave qytetare, atdhetare e patriotike! Një urim dhe një falenderim të veçantë kam sot për mësuesen time të parë Lenin, mësueset e mia tek “Kongresi i Lushnjës”, “Fan Noli” dhe “Sami Frashëri”, Kadrie Dibra, Kasiani Nikolla, Afërdita Saraçi, Dolorez Cipo, Mirjana Hoxhasi, Nafie Ciu, Ana Papa, Fatmira Kocani, Enis Terhati, Edmond Gega e shumë të tjerë, si dhe për të gjithë profesorët e pedagogët e mi të dashur të cilët i kujtoj me shumë respekt dhe nostalgji.

Nderim përjetë dhe mirënjohje gjeneratave të mësuesve shqiptarë që me sakrifica sublime u vunë në ballë të lëvizjeve kombëtare, jo vetëm për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për demokratizimin e saj, duke i prirë zhvillimit, emancipimit dhe demokratizimit të vendit!

Faleminderit edhe të gjithë mësuesve, pedagogëve e profesorëve të nderuar që së bashku me ajkën e elitës së intelektualëve shqiptarë janë vënë sot në ballë të PRANVERËS KUQEZI! Lavdi përjetë atyrë që dhanë jetën për gjuhën tonë të shenjtë! Të mos harrojmë kurrë amanetin e Petro Nini Luarasit: “Mblidheni gjakun tim që ta përdorin fëmijët për të shkruar shqip!”