Astrit Patozi: Kur të nderojnë edhe ata që nuk të duan

478
Sigal

Ka shumë njerëz në Shqipëri, që jo vetëm nuk e
lexojnë, por as që duan  të përmendet fare emri i RD-së. Arsyet,
përgjithësisht, nuk janë profesionale dhe nuk kanë të bëjnë pothuajse hiç me
nivelin e gazetës. Ato janë qartësisht politike.

Duke e identifikuar me Partinë Demokratike,
kundërshtarët e saj e kanë shumë të lehtë ta përjashtojnë dhe refuzojnë, por,
për fat më mirë, jo ta nxjerrin nga qarkullimi. Dhe kjo, sipas meje, është një
taksë që nuk ka pse ta bëjë të ndjehet keq gazetën, e cila me daljen e saj të
parë më 5 janar 1991, shënoi njëkohësisht edhe lindjen e shtypit të lirë në
Shqipëri.

Mendoj se kjo para së gjithash është një mënyrë
nderimi ndaj një date të shënuar, sepse RD-ja, pavarësisht historisë së saj të
gjatë dhe plot zigzake, u krijua si një nevojë e fortë e shoqërisë shqiptare që
e vërteta të mos ishte ekskluzivitet i një pale. Dhe pavarësisht debatit që
mund të hajë, sot mund të pranohet pa shumë mëdyshje, se të paktën ai qëllim
është arritur.

Megjithë sulmet e egra nga qielli, nga ajri dhe nga
toka, qeveritë e kanë pasur deri tani të pamundur t’i burgosin mendimin dhe
idetë e kundërta. Sado të jetë tkurrur prej goditjeve të forta hapësira e
lirisë, është gjendur gjithmonë një oaz apo një dritare, ku e vërteta, jo vetëm
të thuhet, por edhe të shpërthejë.

Betejat e dështuara të kryeministrit me shtypin, që
nga dita kur erdhi në pushtet, dhe sidomos lufta frontale e tij me portalet e
“kazanit”  tregojnë se kohëra të vështira kanë ardhur për ata që kanë
zgjedhur të përcjellin zërin e opozitës. Jo thjesht të Partisë Demokratike, atë
të gjithkujt që është i revoltuar dhe nuk e pranon këtë qeveri. Por është
jashtë çdo dyshimi, gjithashtu, se mbijetesa e lirisë së shtypit dhe triumfi i
saj është i garantuar.

Ndaj mendoj se në gjithë këto vite tranzicioni të
vështirë më çdo 5 janar “Rilindja Demokratike” vlerësohet dhe respektohet edhe
nga ata që nuk e duan. Dhe kjo do të vazhdojë të bëhet pafundësisht, aq kohë sa
të ekzistojë arsyeja pse RD u themelua, nevoja për të pranuar dhe dëgjuar
kundërshtarin.

Për shkak se kalova një kohë shumë me të, unë
natyrisht kam shumë arsye për të qenë nostalgjik ndaj gazetës, siç jam
tërësisht i vetëdijshëm për kufizimet e mëdha të saj, që lidhen kryesisht me
statusin e vet të korracuar. Por edhe me sëmundje apo vështirësi të tjera, që
ka kaluar dhe po kalon në përgjithësi shtypi shqiptar i këtyre viteve.

Eshtë e kotë dhe patetike t’i kërkohet një gazete
partiake të ketë mbi supe përgjegjësinë dhe lavdinë e 26 vjetëve të shkuara, në
kohën, që për shkak të avancimit të teknologjisë, sot ndjehen të kërcënuar edhe
gjigandët botërorë të informimit si “New York Times” apo “Le Monde”. Por kur
qeveria e ngushton lakun për shprehjen e të vërtetës, duhet respektuar dyfish
cdo platformë mediatike dhe cdo idivid, që merr përsipër të sakrifikojë, sado
modest qoftë ajo ose ai.

Askush nuk mund të thotë sot se edhe sa do të
vazhdojë historia e Rilindjes Demokratike, pasi jo thjesht e ardhmja e shtypit
partiak nuk është më një opsion, por sot duket e zymtë edhe vetë perspektiva e
shtypit të shkruar kudo në botë. Mund të shkojë edhe dy vjet, ndoshta edhe më
tepër, por mund të jetojë edhe shumë më gjatë, kjo nuk ka shumë rëndësi.

E rëndësishme është që, sado kohë të kalojë, dhe
cilido qoftë fati i gazetave në botë, ajo do të kujtohet gjithmonë si dita e
parë e lirisë për të thënë të vërtetën në Shqipëri. Dhe ne që e kemi zakon të
ndahemi për shumë data, të paktën për 5 janarin do të biem përherë të gjithë
dakord. Si ne që e duam, por po ashtu edhe ata që nuk e pranojnë fare gazetën
“Rilindja Demokratike.”