Arben Malaj: “Rritja e borxhit – demagogjia dhe dështimi i qeverisë”

512
Sigal

INTERVISTA/Arben Malaj, deputeti i PS-së: ” Debati është të shkurtohen deficitet  dhe borxhet publike, duke mos dëmtuar rritjen ekonomike”

Specialisti i ekonomisë, Arben Malaj, në intervistën për “Telegraf”, analizon politikën e borxheve,  rritja e pakontrolluar e tyre po ndikon në frenimin e rritjes së ekonomisë, ndaj pohon se, “rritja e borxhit, është demagogjia dhe dështimi i qeverisë”.

– Zoti Malaj, Kryeministri Berisha, deklaroi para pak kohësh, që rritja ekonomike është në dorën e popullit dhe jo të qeverisë. Si ta kuptojmë?

– Deklarimi i Kryeministrit se rritja ekonomike nuk është në dorë të qeverisë, por të popullit, është një abuzim populist. Nuk ka ndonjë eksperiencë që populli i një vendi t`i vendosë vetes objektiva, se rritja ekonomike do të jetë  4 apo 5 % , se do të rrisë punësimin e tij në 300 mijë vende pune, se do të mbajë inflacionin në nivelin nga 2-4%, deficitin 3% dhe borxhin jo më shumë se 60%.  Me këto objektiva  konkurrojnë partitë politike, këto objektiva janë për qeveritë që zgjidhen, të cilat, kur nuk i arrijnë ato, në çdo vend të botës konsiderohen të dështuara. I vetmi objektiv i çdo populli, për të cilin duhet të jetë i përgjegjshëm është të mos i mbajë gjatë mbi shpatulla  qeveritë e dështuara. Njerëzit e duan punën, por e kanë të vështirë ta gjejnë atë, njerëzit nuk duan të mbyten në borxhe, por  pa punë dhe pa të ardhura nuk e kanë të mundur të jetojnë. Njerëzit nuk i duan borxhet, por po rëndohen gjithnjë e më shumë nga borxhet e tyre  dhe nga borxhet e qeverisë së tyre.

– A mund të ketë vlerë ekonomike politika qeveritare për të argumentuar (në të mirë të ekonomisë) rritjen e borxhit?

– Fakti që qeveria po dështon në mbledhjen e të ardhurave, edhe pse i konsideron taksat më të ulëta në botë, ndërsa administrimi fiskal po bëhet gjithnjë e më shumë një makth për biznesin, fakti që borxhet e qeverisë ndaj biznesit po rriten, që borxhet e biznesit ndaj bankave po përkeqësohen, është e mjaftueshme të kuptohet që ekonomia është në një situatë të vështirë të rritjes së saj dhe, që qeveria ka  dështuar në menaxhimin e vendit, sidomos në ruajtjen e stabilitetit të financave publike. Të analizuara në ndërlidhjen e tyre logjike, treguesit e ekonomisë dhe financave vërtetojnë shqetësimet e opozitës për situatën e përkeqësuar. Qeveria dhe ekspertë të saj kanë intensifikuar debatin për të argumentuar rritjen e borxhit. Argumentet e tyre kanë disa kontradikta të theksuara. E para, nëse ekonomia rritet, sipas tyre, me një rritje ekonomike nga 3-4%, nuk janë të nevojshme rritjet e defiçitit dhe borxhit, por është momenti për të qenë të kujdesshëm. E dyta, nëse rritja e borxhit argumentohet  se  duhet të mbështesë rritjen ekonomike dhe të ndalë recesionin apo krizën ekonomike, kjo kërkon  politika buxhetore,  që nuk  cenojnë rritjen afatgjatë. Politikat e rritjes së mirëqenies, nëpërmjet rritjes së borxheve, janë të dështuara. E treta, nëse në vendet e zhvilluara rritja e përkohshme e defiçiteve dhe borxheve  financohet me norma interesi afër zeros, edhe në këtë rast, një pjesë të konsiderueshme të  kostos e paguajnë taksapaguesit. Ekonomia nuk ka para me kosto zero, kjo kosto indirekt transferohet tek taksapaguesit. E katërta, edhe në debatet akademike nuk justifikohet në asnjë rast rritja e deficitit dhe borxhit pa pasur një strategji afatmesme dhe afatgjatë të reduktimit të tyre.

– Gjithashtu, Kryeministri na ka “qetësuar” duke thënë se, rritja e borxhit nuk është shqetësues për rritjen e ekonomisë tonë.  Rritja e borxhit a nuk është dëshmues i gjendjes së keqe të ekonomisë?

– Debati po zhvillohet se sa dhe si duhet të shkurtohen defiçitet  dhe borxhet publike, duke mos dëmtuar rritjen ekonomike, pa të cilën nuk arrihet  stabiliteti financiar. Ne e konstatojmë në Greqi, Spanjë, por edhe në Britani se, pa rritje ekonomike stabiliteti i financave  përkeqësohet. Greqia, në fillimet e krizës së saj, e kishte borxhin publik rreth 116% të GDP-së. Sot, pas disa vite masash shtrënguese, paketash të vështira të shkurtimit të pagave e pensioneve, përfitimeve sociale, por edhe të investimeve publike, nuk ka arritur të ketë rritje ekonomike, ndaj borxhi i saj publik  po arrin në 189%. Këto eksperienca negative dhe debatet profesionale për raportin midis rritjes ekonomike dhe stabilitetit të financave publike, midis efekteve pozitive dhe negative të paketave fiskale, midis vështirësisë për të kontrolluar borxhin dhe domosdoshmërisë për të mbështetur rritjen ekonomike, kanë një rëndësi të veçantë për vendin tonë, si të parandalojmë përkeqësimin e  tyre pasi borxhi ynë po rritet  në nivele kritike dhe kërcënuese për ekonominë  tonë dhe për taksapaguesit.

– Sa jemi në gjendje të llogaritim saktë borxhin?

Ne, akoma nuk jemi në gjendje të përllogarisim saktë borxhin. Qeveria i manipulon dhe i fsheh shifrat. Nuk ka një shifër publike për shumën e mos pagesave ndaj biznesit privat. Nuk  ka një shifër konkrete për borxhet në rritje të kompanive publike ndaj bizneseve private, por edhe ndaj bankave. Qeveria duhet urgjentisht të vërë nën kontroll huamarrjen e kompanive publike, që ato marrin nga bankat tregtare për të mbuluar krizën e tyre të likuiditeteve. Nëse është e vërtetë që rreth 80% e kredive të KESH ndaj bankave të nivelit të dytë janë në overdraft, kjo do të thotë që borxhi i saj është me një kosto shumë të lartë, duke rrezikuar kompaninë dhe borxhin publik. Siç ndodhi para pak ditësh që u rrit me ligj niveli i borxhit për të garantuar kreditë në rritje të KESH për të importuar energji.  Analizat për kompani të tilla publike, duhet të bëhen të plota. Ato duhet të njohin, qartësojnë dhe parandalojnë risqet në rritje mbi stabilitetin e  vendit.

– Cilat janë pasojat zinxhir të rritjes së borxheve?

– Nëse borxhi i keq ndaj bankave  po rritet, kjo  do të thotë se rritja ekonomike është më e vogël se sa e deklaron qeveria dhe, kriza e likuiditeteve në ekonomi është shumë më e madhe. Nëse kreditë e këqija po shkojnë 25% e totalit, ky është një nivel kërcënues për ekonominë tonë. Bankat do të kenë nevojë për likuiditete me kosto financimi sa më të lira, ato kanë pak ose shumë pak mundësi për rritje kapitali. Në rast të kundërt, financimi i biznesit dhe konsumatorit privat  do të bëhet më i vështirë, me e vështirë do të jetë dhe ringritja e rritjes ekonomike në nivele të larta, pa të cilën nuk mund të luftohet papunësia, nuk mund të luftohet  varfëria dhe nuk mund të ulet risku mbi stabilitetin e financave publike. Borxhi mund të rritet në nivele shumë të kontrolluara për të lehtësuar krizën e energjisë, por edhe kjo rritje duhet të jetë vetë për situata të veçanta, mund të rriten për të zgjidhur çështjet e krizës së likuiditeteve në ekonomi, duke shlyer kompanitë  që kanë bërë investime publike, që ato të ri-investojnë paratë e tyre në ekonomi, që ato të shlyejnë borxhet ndaj punonjësve dhe kjo e ul varfërinë, që të shlyejnë borxhet ndaj njëra tjetrës duke e rritur efektin multiplikator të likuiditeteve në ekonomi.

– Cila është politika ekonomike që duhet ndjekur ndaj  borxheve?

– Shteti duke i paguar borxhet kompanive private, ato dhe individët do të paguajnë kreditë e këqija ndaj bankave, kjo rrit kredidhënien e bankave duke mbështetur më mirë rritjen ekonomike. Borxhi nuk duhet rritur për projekte populiste me efekt elektoral të copëzimit të investimeve. Borxhi duhet ulur duke kontrolluar e shkurtuar shpenzimet dhe duke rritur të ardhurat. Borxhi duhet ulur duke i përdorur me shumë përgjegjësi dhe efikasitet të ardhurat nga privatizimet dhe jo duke i  keqpërdorur këto të ardhura të përkohshme për deformime të përhershme të pagave, pensioneve apo investimeve elektorale. Ne duhet të mos e lejojmë përkeqësimin e borxhit publik, i cili, nëse vazhdon kështu, do të mbërrijë në nivele të larta që e vrasin rritjen ekonomike dhe që përkeqësojnë më shumë  pabarazinë, papunësinë dhe varfërinë.

– Faleminderit!

ARBEN MALAJ PËR BORXHIN

1.  Deklarimi i Kryeministrit se rritja ekonomike nuk është në dorë të qeverisë, por të popullit,  është një abuzim populist. Nuk ka ndonjë eksperiencë që populli i një vendi t`i vendosë vetes objektiva, se rritja ekonomike do të jetë  4 apo 5 % , se do të rrisë punësimin e tij në 300 mijë vende punë, se do të mbajë inflacionin në nivelin nga 2-4%, deficitin 3% dhe borxhin jo më shumë se 60%.

2. Ne duhet të mos e lejojmë përkeqësimin e borxhit publik, i cili, nëse vazhdon kështu, do të mbërrijë në nivele të larta që e vrasin rritjen ekonomike dhe që përkeqësojnë më shumë  pabarazinë, papunësinë dhe varfërinë.

3. Ne, akoma nuk jemi në gjendje të përllogarisim saktë borxhin. Qeveria i manipulon dhe i fsheh shifrat. Nuk ka një shifër publike për shumën e mospagesave ndaj biznesit privat. Nuk  ka një shifër konkrete për borxhet në rritje të kompanive publike ndaj bizneseve private, por edhe ndaj bankave.

4.  Borxhi nuk duhet rritur për projekte populiste me efekt elektoral të copëzimit të investimeve. Borxhi duhet ulur duke kontrolluar e shkurtuar shpenzimet dhe duke rritur të ardhurat. Borxhi duhet ulur duke i përdorur me shumë përgjegjësi dhe efikasitet të ardhurat nga privatizimet dhe jo duke i  keqpërdorur këto të ardhura të përkohshme për deformime të përhershme të pagave, pensioneve apo investimeve elektorale.