Analizë nga Prof. Elmaz Sherifi: Shteti i së drejtës nuk funksionon pa Gjykatë Kushtetuese

120

Rendin kushtetues nuk mund ta zërë as partia në pushtet, as kryeministri. Çdo tentativë për të gjetur një zgjidhje ligjore është marrëzi, padituri. Paligjshmëria prodhon një tjetër paligjshmëri. Edhe Rilindja do shkulet nga pozicionet antikushtetuese. Të gjithë do futen në “vrimën e gjilpërës”!

Shteti i së drejtës nuk funksionon pa Gjykatën Kushtetuese

“Leksion i hapur”! Leksioni është për ata që duan të merren me politikë, për politikanët, opinion-kërkuesit dhe opinion-bërësit. Sepse këtu nuk njeh qeni të zonë. Të paditurit japin orientime si të zgjidhet kriza, duke lëvduar e adhuruar krijuesit e krizës.

Ky sistem politik duhet të funksionojë vetëm mbi normat juridike kushtetuese dhe normat ligjore e nënligjore, të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga pushtetet e shtetit dhe Institucionet e shtetit.

Nëse duhet të flisja me terminologjinë e filozofisë të së drejtës, do të thosha, se duhet të respektohet Piramida e Hans Kelzenit. Ky filozof i madh austriak, më 1920 hartoi edhe kapitullin për krijimin e Gjykatës Kushtetuese që ishte edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të ish-Perandorisë Austro-Hungarisë.

Për sa kohë në Shqipëri nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk mund të funksionojë shteti i së Drejtës. Vendin e saj nuk mund ta zërë as Palmer, as partia në pushtet, as kryeministri. Çdo tentativë për të gjetur një zgjidhje ligjore është marrëzi, padituri. Paligjshmëria prodhon një tjetër paligjshmëri. Zgjidhja do të jetë vetëm politike!

Zgjedhjet vendore u zhvilluan pa dekret të Kryetarit të Shtetit. Çdo veprim e mosveprim për zhvillimin e tyre dhe kontestimi i procesit zgjedhor në gjykatë e KQZ, është non sens juridik, sepse, çdo kërkesë synon legjitimitetin e votimeve. Në Shqipëri nuk ka pasur zgjedhje, por është votuar dhe ky proces nuk mund të legjitimohet, sado ta deklarojë Palmer si legjitim. Ndoshta mund të kem vlerësim për aftësitë e tij, por këtë kompetencë nuk ia ka dhënë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë!

Palmer nuk është SHBA, sepse nuk është institucion. Institucion është Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili nuk ka bërë ndonjë deklaratë dhe as ka nxjerrë ndonjë raport, si bëri pardje: që Shqipërinë e klasifikon si shtetin më të korruptuar në Ballkan. Institucion konsideroj Komisionin e Jashtëm të Kongresit Amerikan me kryetar Eliot Engell që deklaroi, se zgjedhjet vendore nuk duhet bërë pa konsensus politik, por nuk e ka marrë në konsideratë, sepse nuk ka një opinion të Komisionit, por vetëm i kryetarit.

Politikanë e opinionistë! Mos bini në nivelin e njerëzve të pa shkolluar, qofte edhe të shkolluar, por që iu mungon kultura politike e juridike, por i “tërhiqni” në rrugën kushtetuese e institucionale.

Gjërat do lëvizin me shpejtësi në sensin e shtetit të së Drejtës. Edhe Rilindja do shkulet nga pozicionet antikushtetuese. Shikoni si hoqën dorë nga imuniteti parlamentar, të cilin donin ta mbronin edhe me ndryshime në Rregulloren e Kuvendit. Të gjithë do futen në “vrimën e gjilpërës”! Nuk keni parë gjë akoma!