Amnesty International, thirrje qeverisë për dialog

431
Sigal

Greva e ish të përndjekurve/ Replika në distancë midis Kryeministrit dhe shefit të opozitës

Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International i bëri thirrje dje qeverisë shqiptare të takohet me grevistët për të vendosur dialogun dhe për të zgjidhur shqetësimet e tyre. Këtë thirrje Amnesty International e bëri para pak çastesh përmes një deklarate. Ish të përndjekurit politik kanë hyrë dje në ditën e 25-të të grevës së urisë, ndërsa nata e shkuar ka qenë shumë e vështirë për ta për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Pas daljes së një tjetër grevisti një ditë më parë, tashmë janë vetëm 7 ish të burgosur politikë të cilët po vazhdojnë grevën në çadra. Po dje Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore thirri në një seancë dëgjimore ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi për të raportuar lidhur me dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, seancë kjo e cila erdhi pas një kërkesë të deputetëve të Partisë Socialiste. Ndërsa ka raportuar situatën e dëmshpërblimit për këtë shtresë të shoqërisë, Ministri Halimi tha se, gjatë kësaj kohe kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit 11 759 ish të përndjekur, ndërsa është dhënë kësti i dytë për ata, të cilët janë mbi 65 vjeç. Pas raportimit të situatës, deputetët e opozitës , të cilët e thirrën në seancë dëgjimore ministrin e drejtësisë nuk kanë bërë asnjë pyetje sa i përket këtij raporti.

Ish-të përndjekurit, Rama: “S’më vjen çudi për gjuhën vulgare të Berishës”

Kryetari i PS-së Edi Rama ka reaguar sot nga Tvvitter-i për deklaratat e kryeministrit Berisha në lidhje me grevën e ish-të përndjekurve politikë. Rama tha që nuk çuditet nga këto deklarata. “Asnjë çudi për gjuhën vulgare të kryeministrit ndaj të burgosurve politikë! Në dhjetor ’90 i quante llumi i shoqërisë, sot trafikantë dhe fundërrina”, tha ai. “Kryeministri që tha fola me Zotin dhe u bëmë aleatë për zgjedhje, na tregoi se sa më afër zgjedhjeve aq më shumë shpifje e marrëzi do dëgjojmë nga ai”, vijoi Rama. Kreu i PS-së deklaroi më tej se viti 2013 do jetë viti i ndryshimit edhe për mijëra të burgosur politikë që e kanë mbështetur në vite “këtë përbuzës gojështhurur të tyre”, nënvizoi ai.