Altin Goxhaj/ Krizë Analistësh në kohën e Tritolit!

43

Nga Ditari i një Analisti dt. 27 shkurt 2014

Çfarë të bëj sot…për çfarë ta shkruaj editorialin…Ta shkruaj për Fazlliçin, që për 4 vjet me radhë që Rama, Tahiri, Braçja, Veliaj, Balla, Xhafa, Ahmetaj, Shalsi, s’lanë gjë pa thënë si spiun i UDB-së, mafia serbe, trafikant armësh dhe sot i dhanë linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë?! Të shkruaj për shpërthimin ditor të tritolit që dogji të gjallë shoferin m’u para Bashkisë Vorë?! Apo për një biznesmen tjetër të vrarë në makinën e tij te Liqeni i Thatë pranë Tiranës? Apo të shkruaj për Zana Xhukën, që e vunë demokratët dhe e hoqën socialistët që të mos u kontrollonte pasurinë dhe konfliktin e interesit? Apo të shkruaj për protestën sot të të pushuarve nga puna para Parlamentit dhe nesër para Kryeministrisë, tani që pushimet nga puna bëhen në mënyrë masive me lista dy apo treshifrore në çdo zyrë qeverie në tërë Shqipërinë? Apo të shkruaj për grevën masive që do pushtojë nesër Tiranën nga shoferët e furgonave të licencuar 8+1 që do mblidhen nga gjithë Shqipëria para Kryeministrisë? Apo të shkruaj për frikën që i ka zënë agjencitë e turizmit për sezonin që po vjen me këtë klimë tritoli që po frikëson këdo? Apo të shkruaj për hapjen e dosjeve të komunizmit që ka përgatitur Veliaj me një komision me 5 veta, që do e caktojë Kryeministri, që do nxjerrë listën e spiunëve shumica dërrmuese nga radhët e të persekutuarve si pasojë e presioneve dhe torturimeve të kohës? Apo të shkruaj për krizën e dritave që ka kap gjithë Shqipërinë ku është kthyer koha e errësirës gjithkund? Apo për faturat e dritave aforfe prej 75 dollarësh për pensionistët që mallojnë çdo ditë në sportelet e CEZ-it? Apo për mbajtjen të fshehtë për gati një javë të gripit të derrit që po përhapet gjithkund? Apo për ilaçet e skaduara që po shiten kontrabandë në të katër anët e vendit? Apo për rritjen e çmimit të ushqimeve në çdo minimarket dhe supermarket? Apo për Maturën Shtetërore që ende 18- vjeçarët dhe prindërit e tyre s’ia kanë idenë se çfarë kriteresh do ndiqen megjithëse po vjen marsi? Apo për integrimin europian dhe marrjen e statusit që po bëhet si vija e horizontit që sa më shumë i afrohesh aq më shumë i largohesh? Apo për Ina Ramën, ish-Kryeprokurore që i drejtohet ministrit të Drejtësisë dhe Kryeministrit me një shkresë të shkruar keq për më tepër për t’u bërë gjykatëse Apeli? Apo për ushtrinë, forcat speciale dhe oficerët e lartë që janë kthyer në Ndërmarrje Pastrim -Gjelbërimi dhe askush s’u jep as dieta dhe as shtesë rroge për punën e papaguar jashtë orarit dhe jashtë funksionit? Apo për konkursin “ndërkombëtar” të Lungo Mares, që e fituan bashkëpunëtorët e ngushtë të ish-Kryebashkiakut të Kryeqytetit tani Kryeministër, të cilët i përfaqëson krahu i tij i Djathtë, Anri Sala, që dikur njëri rrinte në juri dhe tjetri fitonte dhe tani njëri fiton dhe tjetri është në juri? Apo për takimin e djeshëm të Kryeministrit me Presidentin tashmë që hapur maxhoranca e anashkalon dhe e lufton në çdo drejtim sa edhe në protokollet shtetërore, si rasti i dhënies së emrit të shkollës së dëshmorit të vetëm të vrarë në luftë këto 20 vjet, ku as ministrja e Mbrojtjes dhe as ajo e Arsimit s’u dukën, dhe Prefekti jo e jo? Apo për shumë gjëra të tjera që mund t’i shkruaj edhe nesër? … Në fakt mendoj se e bëra editorialin… Kriza ime për të shkruar për sot është vetë Editoriali për nesër! Krizë Analistësh në kohën e Tritolit!