Regjistrohet atentati i radhës me tritol, i dyti brenda 24 orëve. Vendi, në gjendje kaosi dhe pasigurie

551
Sigal

Vorë, hidhet në erë automjeti, gjen vdekjen 40-vjeçari

Regjistrohet atentati i radhës me tritol. Një person ka gjetur vdekjen nga një shpërthim i fuqishëm me tritol. Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme në qendër të qytetit të Vorës, vetëm pak metra larg Bashkisë, ku një automjet tip “Renault” targë AA 154 DZ është hedhur në erë së bashku me drejtuesin e saj, i identifikuar si shtetasi Baki Xhabafti 40 vjeç, banues në Selitë Tiranë. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se mjeti ka qenë i parkuar dhe në momentin që viktima ka hipur në mjet dhe e ka ndezur atë, ka ndodhur dhe shpërthimi, i cili ka rezultuar fatal për 40- vjeçarin. Mendohet se, shpërthimi ka qenë i komanduar në distancë dhe objekti i atentatit ka qenë pikërisht viktima Xhabafati Ndërkaq, dyshohet se, kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë, që po kalonin rastësisht. Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje, sëbashku me një zjarrfikëse dhe dy autoambulanca. Sipas policisë, dyshohet se, në mjet është vendosur një sasi e konsiderueshme eksplozivi pasi dëmet në mjet kanë qe shumë të mëdha. Forcat zjarrfikëse punuan për shuarjen e flakëve, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Hetimet e policisë ndërkaq kanë nisur në vendngjarje dhe po hetohet rreth konflikteve që mund të ketë pasur viktima. Nga hetimet paraprake dyshohet se kemi të bëjmë me një hakmarrje. Policia dyshon se ngjarja mund të ketë ndodhur për hasmëri. Drejt vendngjarjes mësohet se është nisur edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi. Ky është atentati i dytë brenda 24 orëve, ku vetëm dy ditë më parë nga shpërthimi me tritol në një lokal në kryeqytet mbetën të plagosur rëndë tre persona. Ngjarja ndodhi në qytetin e Tiranës, në lokalin e biznesmenit të ndërtimit Armando Ceka, në rrugën “Budi”, pranë Institutit të Higjienës. Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm janë plagosur rëndë biznesmeni Armando Ceka, truproja e tij Artur Sharra dhe juristi Julian Çela. Sipas mjekëve, Julian Çela dhe Armando Ceka janë në gjendje më të rëndë dhe rrezikojnë të humbasin të dyja këmbët, ndërsa gjendja e truprojës së biznesmenit është më e stabilizuar. Lënda shpërthyese ishte vendosur në hyrjen e lokalit dhe dyshohet se ka qenë një sasi e konsiderueshme, pasi edhe dëmet në ndërtesë kanë qenë të shumta dhe vetëm fati ka shmangur një tragjedi të vërtetë, duke qenë një zonë me shumë lëvizje makinash dhe këmbësorësh. Pista kryesore e hetimeve u përqendrua në mosmarrëveshjet që biznesmeni kishte me banorët e një pallati të ndërtuar prej tij, të cilët e kanë kallëzuar disa herë në polici duke e akuzuar për shitjen e pallateve dy herë. Lista e atentateve po merr përmasa të frikshme, pasi vetëm dy muajt e fundit janë shënuar rreth 20 viktima të vrarë dhe të gjymtuar. Mesa duket Shqipëria po zhytet në një gjendje kaosi dhe pasigurie, ku çdo ditë shënohen shpërthime të reja dhe aksidente. Ende nuk kemi rezultate reale të kapjes së autoreve të këtyre ngjarjeve. Policia po punon për zbardhjen e çështjeve dhe vënien në pranga të atentatorëve.

Detaje të ngjarjes

Mësohet se, viktima kishte udhëtuar nga Tirana në Vorë dhe po i afrohej banesës së tij kur ka ndodhur shpërthimi i telekomanduar. Sipas policisë, në pjesën e poshtme të mjetit ishte vendosur një sasi prej 350 gramësh tritol, që ka shkatërruar plotësisht automjetin e për pasojë ka shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme të biznesmenit. Baki Xhabafti rezulton të jetë pronar i dy subjekteve private në zonën e Selitës dhe një pike servisi automjetesh në Vorë. Ai ishte 40 vjeç, i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Pista kryesore ku janë përqendruar hetimet është ajo e hakmarrjes që vjen pas një konflikti të gjatë pronësie mes familjeve Xhabafti dhe Ymeri të nisur që në vitin 1997. Mësohet se, për shkak të këtij konflikti kanë humbur jetën 7 pjesëtarë të dy familjeve. Ndërkaq, nuk përjashtohet as pista e ndonjë hasmërie për shkak të konflikteve që mund të ketë vëllai i viktimës, i cili ndodhet në emigracion, por mësohet se ka precedent penale.