Afrim Krasniqi:PS-LSI, Rilindje me bllok në dorë

215

Dje LSI-ja pranoi ftesën e PS-së për bashkëpunim parazgjedhor, duke krijuar raporte të reja politike. Afrim Krasniqi, studiues i politikës, në intervistën për “Telegraf”, duke analizuar marrëveshjet politike PD-LSI në 2009-n dhe PSL-SI në 2013-n, thotë se, këto marrëveshje nuk kanë transparencë me elektoratin dhe nuk kanë prurje pozitive në sistemin e vlerave politik. Njëkohësisht, zoti Krasniqi, argumenton se axhenda politike e Rama-Meta nuk do të merr përsipër të zgjidhë sfidat që shtron nevoja e integrimit të Shqipërisë në BE. Ndërkohë, pas 23 Qershorit, Kryeministri Berisha, sipas zotit Krasniqi, përfundon edhe karrierën e tij politike dhe se FRD-ja ofron një projekt politik  të ri për reformimin dhe përfaqësimin politik të  së djathtës.

– Zoti Krasniqi, mund të jetë brenda normalitetit demokratik këto kthesa të mëdha politike, sikurse aleanca PD-LSI në 2009 dhe PS-LSI në 2013-n?

– Janë koalicione të panatyrshme dhe personale. Si më 2009-n dhe tani nuk ka analizë, nuk ka marrëveshje të shkruar parimesh dhe programesh, nuk ka transparencë me elektoratin dhe nuk ka prurje pozitive në sistemin e vlerave politike. Janë raste tipike sesi parti që punojnë në fushata elektorale kundër njëra- tjetrës, tensionojnë fushatën dhe jetën politike, bëhen së bashku kur kanë interesa pushteti duke injoruar identitetin politik, votën elektorale dhe motivin për të cilin kanë deklaruar se janë në politikë.

– Cila do të jetë nevoja e ndryshimit të Shqipërisë, që do të kërkohet nga ky rotacion, derisa ekipi i ri do të përmbajë një pjesë të maxhorancës së sotme?

– Shqipëria ka nevojë për stabilitet dhe demokraci funksionale dhe baza për këtë, janë zgjedhjet e lira, transparenca, shteti ligjor dhe lufta ndaj korrupsionit. Axhenda që ofron pazari politik Berisha – Meta apo Rama – Meta nuk merr përsipër të zgjidhë asnjë prej këtyre sfidave, përkundrazi, vetëm sa i ushqen ato. Nevoja primare për rotacion nuk mund të jetë thjesht rotacion në numra, por duhet të jetë në ide, në vizion, në projekt politik europian të Shqipërisë, pra për një sistem të ri politik që funksionon mbi ato parime që meriton një vend kandidat real për në BE.

– A ka premtim për Rilindje Kombëtare nga PS-ja, nëse aleaton me LSI-në?

– Rilindja nuk ekziston më, nuk ka më askush të drejtë morale ta shqiptojë atë. Do të ishte njësoj sikur rilindësit tanë që luftuan për gjuhën shqipe dhe pavarësinë në fund të nënshkruanin rikthimin e vendit nën Perandorinë Otomane. E njëjta gjë ndodhi edhe me rilindjen e fundit të PS-së dhe aleatit të saj të vjetër dhe të ri, LSI. Slogani më i denjë do të ishte “rilindje me bllok në dorë”, duke bashkuar identitetin elektoral të PS-së dhe të LSI-së, gjë që, e cila përbalt politikën dhe vlerat e saj në perceptimin qytetar.

– Nga një realitet politik i tillë, a mund  të themi se politikanëve tanë  u mungon vizioni i ndryshimeve të vërteta dhe çështja e pushtetit është kthyer në një kauzë në vetvete?

– Padyshim që po. Rasti konkret tregoi, ashtu si më 2009-n dhe plot raste të tjera të ngjashme se kjo klasë politike nuk ka vizion, nuk ka vullnet ndryshimi, nuk ka ideale dhe as vlera morale të denja për të përfaqësuar qytetarët dhe vendin.

– Cili është përfitimi i Ramës nga kjo marrëveshje? Po i socialistëve?

– Rama ka shansin e fundit për të mbijetuar në politikë. Nëse humbet më 2013 ai nuk do të mund të kishte të ardhme politike, ndaj ai vendosi të zgjedhë të kundërtën e misionit politik 7 vjeçar të tij, – kalkulimet në tavolinë me çdo kusht e mjet për të mbijetuar dhe për të marrë personalisht pushtetin. Me siguri bashkimi i partive PS-LSInuk do të shoqërohet me bashkim votash mekanik midis dy palëve, do të ketë rrjedhje të dukshme dhe kjo përben sot të panjohurën e madhe për krushqinë e re.

– A është Edi Rama njeriu i duhur i së ardhmes?

– Rama e quan veten misionar, por nga sot nuk do të mund të quhet i tillë. Është një nga të shumtët që kanë marrë rrogën në politikën shqiptare. Por ajo që është e dukshme është fakti se ai, si lider opozite, nuk arriti ta rrëzojë qeverinë me vota, por me marrëveshje dhe ka dështuar.

– Kjo ftesë, i jep fund lidershipit të Edi Ramës në të majtën shqiptare?

– Varet nga rezultati zgjedhor. Unë nuk i besoj tezës se e majta ka ndonjë lider tjetër përveç kryetarit të saj do të ketë ndonjë lider tjetër. Kush e njeh politikën dhe paritë e di se vetëm kryetari është lider dhe vetëm një kryetar i ri mund të bëhet lider. Lideri partiak nuk zgjidhet në kafe, në pazare personale, në media dhe as në studiot televizive; ai zgjidhet në parti dhe merr mandat, të cilin siç koha ka treguar, askush nuk e rrezikon dhe as e kërcënon. Gjithsesi e majta shqiptare ka prodhuar shumë figura në këto vite, madje, edhe Kryeministri aktual është produkt i saj direkt dhe indirekt, në sjelljen e tij politike, në aktivitetin politik, në zgjedhjen e tij dy herë Kryeministër dhe për forcimin e pushtetit të tij personal nga ndryshimet kushtetuese 2008-s.

– Aleanca PS-LSI, amniston oponencën e PS-së për korrupsionin, politikën e  skandaleve të privatizimeve?

– Fatkeqësisht po. Ndaj është pazar karrigesh, jo marrëveshje parimesh. Ata që deri dje ishin pjesë thelbësore e sistemit të korrupsionit, sot na paraqiten si shpëtimtarët e kombit dhe integrimit. Është një raport i denjë për mafia-politikën.

– Kohë më parë, Edi Rama kishte deklaruar se që të bënte ftesën te LSI-ja për aleancë parazgjedhore, kushti i parë ishte që LSI-ja të dilte nga qeverisja. Ku ka gabuar Edi Rama? Kur deklaroi atëherë, apo tani, me ftesën?

– Ndodhemi në një situatë paradoksale.LSI-ja ikën nga qeveria, por zyrtarët eLSI-së vijojnë të jenë në qeveri. Janë larguar ministrat, por nuk është deklaruar se kjo parti do të votojë kundër saj dhe për më tepër, mijëra drejtues të saj të emëruar në mënyrë të paligjshme në administratën publike do të vazhdojnë të paguhen me taksat tona. Opozita, megjithëse ka numrat, nuk ka vullnet për mocion mosbesimi, pra, pranon që Berisha të jetë edhe më tej Kryeministër, çfarë do të thotë, pranon t’i ofrojë atij personalisht garanci dhe amnisti për pushtetin e së nesërmes.

– Ftesa që  Rama i dërgoi Metës, shpreh domosdoshmërinë e rikompozimit të së majtës apo panikun e tij për një humbje të re dhe si një përpjekje e tij e fundit për të shpëtuar karrierën e tij politike?

– Bashkimi me platforma morale përbën bashkim force, bashkimi me numra e zyrtarë përbën bashkim frike.LSI-ja e votoi Berishën në çdo votim të tij për uzurpimin e institucioneve kushtetuese, tani del e thotë se bashkohet me PS-në për të kthyer balancën midis pushteteve. Në fakt, ajo shkon për të kundërtën, për të përfituar garanci për të dhe klientelën e saj edhe për qeverisjen e ardhshme, synim që përkoi edhe me atë të PS-së dhe kështu, ishin klientë ekonomike dhe politike e padukshme për publikun, të cilat imponuan pazarin më të ri politik.

– Kujt do t’i faturohen të vrarët e 21 Janarit?

– Protesta u bë për shkak të denoncimit të korrupsionit tëLSI-së, ajo u organizua nga PS-ja dhe vrasja u realizua nga Kryeministri. Pra, janë tre individë, tre modele që sollën të njëjtin produkt; – rastin e parë në historinë moderne europiane kur një shtet demokratik ekzekuton qytetarët e pafajshëm të tij.

– Një politikë pa moral, a mund të mbartë dot misionin e ngritjes së demokracisë, të jetë promotore e emancipimit demokratik të një shoqërie?

– Nuk kemi prekur ende fundin. Janë qytetarët që do ta përcaktojnë këtë më 23 Qershor. Me siguri ka qytetarë aq shumë të përgjegjshëm, sa me votë të ndëshkojnë secilën palë të përfshirë në këtë sistem korruptiv të ndarjes së pushtetit dhe të votojnë e mbështesin alternativat e reja politike që premtojnë dhe duhet të ofrojnë të kundërtën e modelit të tyre.

– Cila do të jetë e ardhmja e të djathtës pas  23 Qershorit?

–  Qeveria e sotme nuk do të qeverisë më. Pas qershorit, Berisha nuk ka më shans të mbijetojë si figurë dominuese në politikën shqiptare, edhe nëse ai vendos të marrë peng PD-në edhe në opozitë. Demokratët duhet ta dinë se ata do të jenë në opozitë jo për shkak të ikjes apo ardhjes së Metës, por për shkak të sistemit korruptiv, abuziv, provincial dhe personal që krijoi dhe drejtoi Kryeministri Berisha dhe shpura e tij besnike në katër vitet e fundit. Ndaj e ardhmja e të djathtës duhet parë jashtë oborrit dhe projektit personal të Berishës, tek tiparet dhe shtresat mbështetëse të së djathtës, të cilat aktualisht janë të shpërndara në disa parti politike, kryesisht në FRD dhe më pak në nivelet dytësore të PD. Zhvillimet e fundit e ndihmojnë sidomos FRD-në të ofrojë një projekt politik të ri për reformimin dhe përfaqësimin politik të së djathtës dhe bashkë me të edhe të sistemit politik në vend.

– Ky rotacion qeverisës, në bashkëqeverisje me një pjesë të kësaj maxhorance, a do t’i vlejë shoqërisë dhe integrimit të vendit?

– Integrimi? Nuk janë 3 ligje teknike peng i integrimit, është kriteri i mirëqeverisjes. Duke ofruar pjesën më të kalbur të qeverisjes aktuale në koalicionin opozitar, realisht kemi investimin më të keq për procesin integrues. Nëse kemi parasysh se kjo do shoqërohet me problematika të dukshme zgjedhore, të paralajmëruara tashmë nga PS-ja me deklarimet se nuk mbron votën e aktorëve të tjerë politikë, atëherë çështja e integrimit bëhet edhe më komplekse dhe pesimiste.

 – Faleminderit!