Aeroporti i Vlorës për turqit, debate të ashpra qeveri-opozitë

321
Ministrat Gjiknuri e Ahmetaj paraqesin projektin. Deputeti Spaho: Fshehje nën maskën e investimit strategjik
Debate të ashpra janë zhvilluar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, ku ministrat Ahmetaj e Gjiknuri kishin paraqitur projektligjin, që i jep autorizimin qeverisë të negociojë me një grup investitorësh turq për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Deputeti i PD-së Edmond Spaho ka shkëmbyer replika të forta me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, sa i takon kontratës për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Në fjalën e tij, Spaho ka deklaruar se ky është pazari i radhës i qeverisë dhe në rast se në aeroport nuk garantohet fluks qytetarësh, investitori paguhet me paratë e buxhetit të shtetit. “Duhet të kesh me mijëra ishuj si Greqia që të ndërtosh dhjetëra aeroporte. Aeroporti i Tiranës del me këpucë të kuqe. Janë të nevojshme ca llogari para se të japim autorizimin për kontratën. Dhe atje ku fle lepuri janë garancitë financiare. S’ka asnjë risk, tha ministri vetëm një gjë të vogël ka: “Nëse nuk i del fluksi i qytetarëve, atëherë do të paguajmë ne”. “Prandaj këtu do transparencë, do studime, para se t’u hyjmë aventurave të reja. Ky është pazari i ri që po mundoheni të fshihni nën maskën e ‘investimit strategjik’, ‘investim i ri’, etj”, tha Spaho. Ndërkohë, në përgjigjen e tij Ahmetaj shprehet se ”risku që qeveria në potencë merr është brenda standardit dhe manualeve të institucioneve ndërkombëtare”. Ai pranoi se qeveria do të paguajë në vit rreth 2,5 milionë dollarë. Më herët deputetja e PD-së, Jorida Tabaku kërkoi të shohë studimin, ndërsa ministri Gjiknuri vijoi t’i qëndronte idesë se nuk mund të japë detaje mbi ofertën pasi cenohen bisedimet. Ai tha se në studimin e fizibilitetit janë dhe këto detaje.

Replikat
Ahmetaj: Ne presim autorizimin për të nisur negociimin.
Spaho: Kërkoni autorizim pa prezantuar ofertën. Humb Rinasi që të përfitojë privati, Aeroporti i Vlorës. Nuk të lejoj të tallesh me mua…
Ahmetaj: Detajet i keni të shkruara. Vlora është aeroport me kredibilitet, jo si ai i Sarandës, kemi marrë një ofertë që nuk do të miratohet pa e miratuar ju si komision, sepse ne po bëjmë trasparencën e plotë.
Spaho: “Këtu do transparencë, do studime, para se t’u hyjmë aventurave të reja. Ky është pazari i ri që po mundoheni të fshihni nën maskën e ‘investimit strategjik’, ‘investim i ri’”.
Gjiknuri: Këto do të jenë pjesë e negociatave dhe ju do të keni fatin e mirë, që kur të vijë kontrata të shikoni elementët e tarifimit dhe modelit ekonomik dhe tarifat për përdoruesit. Na lini që të shkojmë aty. Ato që kemi shkruar dhe nga të dhënat paraprake propozimet janë shumë më të lira se nga Rinasi.
Tabaku: Qeveria nuk ka asnjë copë letër që duhet një aeroport në këtë zonë?! Nuk ka Ministria studim të vetin?!
Braçe: Është mbushur Shqipëria në çdo rrëke uji me hidrocentrale, me studime të vetë operatorëve dhe asnjëherë nuk është kërkuar kjo gjë, ndërsa për një aeroport e kërkoni.