Administrata e “Rilindjes” hedh në rrugë 7800 shqiptarë

472
Ndërsa vazhdon të flitet për punësime masive të shqiptarëve brenda e jashtë vendit, ndërsa vazhdon të flitet për politika sociale rehabilituese, për rritje të mirëqenies e vende pune me bollëk, por që nuk plotësohen sepse sipas kreut të qeverisë “ka dembelizëm shqiptarësh e punonjës të pakualifikuar”, gazeta “Telegraf” ka mësuar se pas dy ditësh është bërë gati, do të shpallet e do të futet në veprim një “projekt” qeveritar asocial, që hedh në rrugë mijëra punonjës shqiptarë, të punësuar në institucionet e larta shtetërore si shëndetësi, polici, ushtri, arsim, kulturë, energji, naftë, dogana, tatime, nëpër bashki e në shumë sektorë të tjerë publik të çdo niveli. Pritet të shpërthej një “ciklon” papunësie jo i vogël, i cili vepron në një situatë varfërie e papunësie ekstreme që do të shtoj “ushtrinë” e të papunëve. Motivet zyrtare të këtij “projekti” shtesë papunësie, shpjegohen nga kupola e qeverisë me “terma, leksione, citate e sqarime shkencore” që serviren për të fshehur të vërtetën e këtij largimi masiv nga puna. Sa do të largohen nga puna? Përse bëhen këto largime? Cili shkak, i dikton këto largime?
Largimet bëhen prej paaftësisë paguese dhe jo prej “rilindjes së administratës”
Faktikisht, këto janë largime nga puna që bëhen për shkak të paaftësisë paguese të punonjësve të sektorëve e institucioneve shtetërore. Qeveria do t’i paraqes këto largime të tjera masive nga puna për shkak të “reformimit produktiv e cilësor të administratës shtetërore”. Por nuk është ky shkaku. Shteti i zhytur në borxhe që rriten e të ardhura që ulen, nuk ka asnjë mundësi faktike të përballoj dot as pagat, aq sa edhe kur merr borxhe te reja e konsideron “arritje ekonomike” e jo faliment! Në rastin konkret, largimi i 7830 punonjësve të administratës e dhe sektorëve të shërbimeve publike, përbën një sinjal alarmi me pasojë shkarkime të tjera vendesh në vazhdim. Sipas projektit qeveritar rezulton se 22% e të larguarve do të jenë nga sektori i shëndetësisë, 31% nga administrata publike, 19% nga sektori arsimit, 28% nga sektorët tatime, dogana, transport dhe sektorë shërbimesh, ndërsa 10% nga bujqësia, kultura, administrata dhe shërbimet e pushtetit lokal! Sipas projektit të largimeve masive nga puna, që do të firmoset nesër në datën 1 qershor 2016 nga qeveria, thuhet se është planifikuar që 7830 kryefamiljarë të lënë vendet e punës e t’i drejtohen listës së asistencës sociale. Kjo goditje social-ekonomike do të shpallet nesër më 1 Qershor, duke dhënë mesazhin që këtyre familjeve u hiqet buka e fëmijëve në “Ditën e Fëmijëve”. 
Dy fakte që tregojnë se ka të papunë, por nuk ka punë
Janë dy shifra të tjera problematike të papunësisë në Shqipëri, që dëshmojnë qartazi se në Shqipëri ka kërkesa masive për punë, por nuk ka punë, se ka specialistë të aftë për çdo sektorë shërbimesh e administrate, por nuk ka vende pune!
Shifra e parë është kjo: Në Shqipëri janë 261 mijë e 100 të rinj të aftë për punë, të moshës 18-20 vjeç, të cilët gjenden të papunë. Kjo shifër papunësie të rinjsh është tepër alarmante dhe për vende e ekonomi të fuqishme. Por në Shqipëri tentohet të mbulohet me mashtrime zyrtare shifrash false.
Shifra e dytë, ka lidhje me sektorin e bujqësisë shqiptare. Në këtë sektorë, thuhet se nuk paska të papunë, mbasi sipas saj, janë të vetëpunësuar në tokat dhe aktivitet si fermerë! Por realiteti tregon të kundërtën Vetëm numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike nga shteti si “familje pa të ardhura” në zonat rurale (në fshat e ish-qendra bujqësore) përfshin 39% të totalit të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike në shkallë vendi. 
Forca e aftë për punë, por e papunë që gjendet në Shqipëri, sipas grup-moshave 
– Janë 123 mijë e 100 të rinj të aftë për punë, të moshës 18-20 vjeç.
– Janë 101 mijë e 342 të rinj të aftë për punë, të moshës 21-30 vjeç.
– Janë 179 mijë e 259 të rinj të aftë për punë, të moshës 31-35 vjeç.
– Janë 366 mijë e 878 persona të aftë për punë, të moshës 36-45 vjeç.
– Janë 234 mijë e 220 persona të aftë për punë, të moshës 46-55 vjeç
– Janë 109 mijë e 873 persona të aftë për punë, të moshës 56-65 vjeç.
Sigal