A duhet të dorëhiqet kryeministri Rama, që t’i hapë rrugën Shqipërisë në BE?

488
Petraq Barjami 

Gjermanët kanë të dhëna, se trafikantët e drogës në Shqipëri kanë bashkëpunim me qeverinë
Kryeministri Rama, pas dorëzimit të Rekomandimit të Komisionit Evropian, u nxitua të deklarojë se qeveria e tij “I ka kryer të gjitha detyrimet e integrimit”, dhe se tashmë, siç pohon kryeministri Rama, “është detyrim i BE-së që të bëjë ajo detyrat e saj ndaj Shqipërisë. Madje, duke pranuar se ende Shqipëria është larg standardeve demokratike, (për shkak të keqqeverisjes së vet). Kryeministri Rama gjithherë, u ka kërkuar Bashkimit Evropian, që vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë të jetë politik dhe të mos ndikohet nga shkalla e realizimit të reformave integruese, as nga standardet e demokracisë në Shqipëri. Për t’u justifikuar për këtë, kryeministri Rama u kujton sa herë Brukselit rrezikun e ndikimit rus në Ballkan, nëse Shqipërinë nuk e pranojnë siç është. 
Bllofet politike të Ramës me Brukselin për rrezikun rus në Ballkan dhe Lindjen turke
Kryeministri Rama, duke e ditur shumë mirë se Evropianët, sidomos Gjermanët nuk do ta pranojnë Shqipërinë, kështu siç e ka katandisur qeverisja e tij, bllofon ndaj tyre, duke luajtur kartat e rrezikut rus dhe të Lindjes turke. Në fakt, kryeministri Rama, de fakto orientimin ekonomik dhe politik e ka më shumë nga Lindja turke, jo vetëm sepse sa herë e thekson që Turqia është partner strategjik i Shqipërisë, në drejtimin e kundër që duhet të ketë me Perëndimin, por edhe se në Shqipëri kompanitë turke kanë shtënë në dorë, me koncesione, me PPP thuajse gjithë pasuritë e Shqipërisë, ndërkohë, që mungojnë investimet nga vendet perëndimore. As kjo politikë pro Lindjes turke e Kryeministrit Rama, nuk mund të mos ndikojë në qëndrimet e Brukselit, e sidomos të Gjermanisë. 
Gjermanët dinë gjithçka për lidhjet e trafikantëve me qeverinë shqiptare
Nëse bëjmë një rikthim në kohë, dhe kujtojmë “laboratorin e drogës në Xibrakë”, ishin shërbimet e fshehta gjermane, që erdhën në Tiranë dhe bënë ato arrestimet, duke pasur dosjen e plotë të trafikantëve, lidhjet e tyre, veprimtarinë e tyre kriminale. Shërbimet informative gjermane nuk kishin aspak besim te qeveria shqiptare, sepse e dinin që trafikantët e drogës kanë lidhje me qeveritarë shqiptarë. Ndoshta gjermanët që atëherë kishin informacion për bashkëpunimin e ministrit të Brendshëm Tahiri me grupet kriminale të trafikimeve të drogave. Në prapaskenën politike, ishte këmbëngulja e qeverisë gjermane, që Tahiri të mos futej më në qeverinë e dytë të kryeministrit Rama. Jo më kot mediat gjermane shkruajnë që “Çështja Tahiri prish imazhin e Shqipërisë”, sepse e dinë që qeveria gjermane i ka kushtëzuar kryeministrit Rama, arrestimin e tij, si dëshmi që Shqipëria lufton krimin e organizuar. Pas Tahirit, si ministër, janë edhe drejtorët e policive, ata që u bënë bashkëpunëtorë të krimit. Nuk mundet Gjermania, Budenstangu të pranojnë Shqipërinë si partnere në Bashkimin Evropian, kur një ministër dhe drejtorët e policisë, që kanë bashkëpunuar me krimin, të jenë i lirë, që ish-ministri të jetë në parlament dhe jo në burg. Ndoshta kancelarja gjermane, deputetët e Bundestangut, kur theksuan se Shqipëria ka ende shumë për të bërë, kuptojnë, që ka ardhur koha, që kryeministri Rama, duhet të dorëhiqet, si shkaktari i mosrealizimit të reformave të integrimit, dhe, dorëheqja e tij, ndoshta do bindë edhe evropianët skeptikë, që Shqipëria po reflekton, po tregon vërtet vullnet politik për ndryshime të thella politike, e jo reforma fasade. 
Reforma për të kapur pushtetet, jo për integrim
Qeveria e kryeministrit Rama, edhe pse u mundua të bëjë propagandë, se i ka bërë detyrat, domethënë, i ka kryer reformat e kushtëzuara nga BE-ja, e vërteta është krejt ndryshe. Sado që kryeministri Rama, edhe pardje në Berlin, u mundua të bindë deputetët gjermanë, qeverinë gjermane, se Shqipëria po bën reformë të thellë në drejtësi, dhe me vettingun, ka filluar edhe lufta kundër korrupsionit, prapëseprapë, kryeministri Rama nuk mund të bindë asnjë, as me vettingun, si reformë e thellë në drejtësi, as si luftë kundër korrupsionit, derisa ky lloj vettingu, ka pezulluar institucionet e Gjyqësorit, si Gjykatën Kushtetuese, si Gjykatën e Lartë, kur ende nuk janë ndërtuar institucionet e reja të Gjyqësorit. Kjo amullti, kjo ngrirje e Gjyqësorit, i shërben vetëm një qeverie të korruptuar. Madje, deputetët gjermanë kanë bindjen se kryeministri Rama, reformën në drejtësi e shfrytëzon për kapjen e drejtësisë. 
Raportet e ndërkombëtarëve për blerje votash dhe inkriminim të parlamentit
Bashkimi Evropian, sidomos shtetet që e udhëheqin atë, sikurse Gjermania, Franca, Holanda, etj, e panë që në zgjedhjet parlamentare të 2017-s, por edhe në zgjedhjet vendore të 2015-s, votat e blenë. Raportet e OSBE-ODIHR, shkruan qartazi edhe mekanizmat e blerje-shitjes së votave, edhe presionet, edhe manipulimet e votave nga pushteti. Parlamenti i kaluar u detyrua, sidomos nga presioni i madh i ndërkombëtarëve, të miratonte ligjin e dekriminalizimit, pasi kishte shumë deputetë me rekorde kriminale. Përgjegjësia e madhe politike e kriminalizimit të Parlamentit dhe të pushtetit vendor (pasi u shkarkuan kryebashkiakë socialistë me rekorde kriminale) ra drejtpërdrejt mbi kryeministrin Rama, jo vetëm për zgjedhjen e këtyre personave me rekorde kriminale, që i bëri deputetë dhe kryebashkiakë, por edhe për përkrahjen politike që u dha kryeministri Rama, deri në ditën e largimit të tyre nga detyra sit ë inkriminuar. 
Reporterët pa kufi dhe Fredoom House: Shqipëria ka ende censurë në lirinë e shtypit
Qeveria e Rilindjes nuk ka dashur të bëjë detyrat e shtëpisë, asnjë nga pesë kushtet e BE-së për integrimit, sikurse është të drejtat e Njeriut, të Medias, liria e fjalës. Organizmat ndërkombëtare, sikur se “Reporterët pa kufi: dhe “Fredoom House” në raportet që publikuan këto ditë shkruajnë qartazi, se në Shqipëri, ka censurë në lirinë e shtypit. “Standardet rregullatorë manipulohen në interesat e qeverisë dhe pronësia e mediave elektronike përqendrohet në duart e disa biznesmenëve të mëdhenj. Gazetarë janë të ekspozuar ndaj klimës së fyerjeve, disa prej të cilëve vijnë nga kryeministri Edi Rama, i cili i ka quajtur gazetarët “plehra”, “helme” dhe “armiq publikë”.
FMN dhe BE kritikojnë qeverinë për koncesionet dhe PPP-të
Organizmat ndërkombëtarë ekonomikë, që operojnë në Shqipëri dhe që kanë ndihmuar në ekonominë shqiptare, kanë dhënë alarmin dhe kanë këshilluar qeverinë e kryeministrit Rama, që të heqë dorë nga koncesionet, nga PPP-ja. 
Sigal