5 Maji, politika përkujton e ndarë Dëshmorët e Atdheut. Garda ndalon komunistët

48

Maxhoranca e opozita zhvillojnë homazhe të ndara, nuk u bashkuan as në ditë përkujtimesh

U përkujtua dje Dita e Dëshmorëve të Atdheut. Pranë memorialit “Nënë Shqipëri”, te Varrezat e Dëshmorëve, krerët e politikës zhvilluan homazhe në nderim të Dëshmorëve të Atdheut. Ashtu si çdo vit, maxhoranca e opozita nuk u bashkuan as në këtë ditë, duke zhvilluar homazhe të ndara. Asnjë përfaqësues i opozitës nuk merrte pjesë në ceremoninë zyrtare. Rreth orës 10:00, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli, por edhe politikanë e tjerë mbërritën tek “Varrezat e Dëshmorëve”, ku zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë memorialit, si dhe u përulën në nderim të dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Në homazhe merrnin pjesë edhe ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, ai i Britanisë Nicholas Cannon, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Jeronim Bazo, prefekti Sadi Vorpsi etj..

Kjo datë shënohet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe trevat tjera në shenjë nderi për këto njerëz që sakrifikuan jetën e tyre për atdheun në luftërat, duke nisur nga Lufta e Dytë Botërore, luftërat e UÇK-ve dhe UÇPMB-së.

LSI homazhe te busti i Qemal Safës

Pas homazheve në Varrezat e Dëshmorëve, përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Deputetët Petrit Vasili dhe Luan Rama zhvilluan homazhe tek busti i Qemal Stafës, i cili ndodhet në krah të Presidencës. Në një prononcim për mediat, Luan Rama tha se, LSI prej kohësh ka apeluar që të ketë një vëmendje më të madhe shtetërorë dhe një përkujdesje të veçantë për të gjitha referentët e Luftës Nacional Çlirimtare dhe heroizmit partizan.

Berisha viziton familjen e Hajdarit: Bëri më shumë se çdokush për lirinë!

Në Ditën e Dëshmorëve, ish-Kryeministri Sali Berisha vizitoi familjen e “Heroit të Demokracisë”, Azem Hajdari. Në bisedën me bashkëshorten e fëmijët e Hajdarit, ish-kryeministri Berisha tha se: “Azemi bëri më shumë se çdokush për lirinë. Ishte një zog që vdiq duke fluturuar.”

Opozita ceremoni të veçantë tek varrezat e Dëshmorëve, Basha: të mos tradhtohen idealet e tyre

Përfaqësuesit e opozitës, të kryesuar nga kreu i PD-së Lulzim Basha kanë përkujtuar në një ceremoni të veçantë Dëshmorët e Atdheut. Në ceremoninë e të djathtëve merrte pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, kreu i grupit të PD-së Edi Paloka si edhe deputetë të tjerë. Basha e Berisha kanë vendosur kurora me lule në memorialin “Nënë Shqipëri” dhe janë përulur para tyre. Ajo që binte në sy në këtë ceremoni ishte ndryshimi i ngjyrës së tapetit ku parakaluan opozitarët, i cili ishte në ngjyrë jeshile, në ndryshim nga ai i kuqi i përdorur nga krerët e qeverisë. Pas nderimeve, Kryetari i PD-së Basha u shpreh se duhen ende përpjekje që të jetësohet ideali për të cilin këta dëshmorë dhanë jetën, që është demokracia. “Sot është dita kur shqiptarët nderojnë Dëshmorët e Kombit. Heronjtë të cilët luftuan për idealet e larta të Shqipërisë dhe shqiptarëve, bashkimit kombëtar, dinjitetin e Kombit tonë dhe Demokracinë. Sot, 70-të vite pas përfundimit të luftës antifashiste shqiptarët janë më të bashkuar dhe ideali i të rënëve në luftë antifashiste, i errësuar për dekada po lartësohet sërish”,- theksoi Basha. Kreu i PD-së, shtoi se, ëndrra për lirinë kombëtare u forcua edhe më tej me pavarësinë e Kosovës. “Duhen ende përpjekje për konsolidimin e idealit të lirisë, prandaj sot jo vetëm t’i kujtojmë, por duhet të bashkëpunojmë e të bashkohemi për të mos i tradhtuar idealet e tyre, por t’i shërbejmë ëndrrës dhe bindjeve të personave që dhanë gjakun për Shqipërinë e lirë e të bashkuar. Lavdi Dëshmorëve të Kombit, i paharruar kujtimi i tyre”, përfundoi Kreu i Partisë Demokratike, Kryebashkiaku Lulzim Basha.

Garda nuk lejon komunistët me portretet e Enver Hoxhës

Mësohet se, mbështetës të Partisë Komuniste të Shqipërisë nuk u lejuan nga Garda e Republikës të kryejnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve me rastin e 5 Majit, duke mbajtur në duar portretet e diktatorit Enver Hoxha. Garda ndaloi një grup të vogël anëtarësh të PKSH të kryejnë homazhet në të njëjtën kohë kur Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta po vendosnin kurorat me lule në memorialin “Nënë Shqipëri”. Shkak për ndërhyrjen e Gardës ishin portretet e diktatorit, që pjesëtarët e PKSH kishin në duar.

Meta: Përulemi me nder para veprës së tyre

Pas homazheve kreu i Kuvendit Ilir Meta e cilësoi 5 Majin një ditë të jashtëzakonshme për të nderuar veprën e dëshmorëve që sakrifikuan jetën për Shqipërinë. “Kjo është një ditë e jashtëzakonshme, është dita e dëshmorëve, dita e atyre që sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën, në emër të lirisë dhe dinjitetit të çdo shqiptari. Është një 5 Maj i veçantë, pasi është në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit, ditë ku të gjithë përulemi me mirënjohje para veprës së Qemal Stafës, Vojo Kushit, Margarita Tutulanit dhe mijëra e mijëra dëshmorë që i dhanë Shqipërisë gjakun, ëndrrat dhe jetën e tyre”,- u shpreh Meta.

Bujar Nishani, nderon Dëshmorin e Atdheut, Feti Vogli

 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëkohësisht edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, përkujtoi dje me nderim dhe respekt sakrificën dhe veprën heroike të Kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës në Afganistan. Presidenti Nishani u përul me respekt para bustit të ngritur për nder të Dëshmorit të Atdheut në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Feti Vogli” të Baldushkut, duke vendosur një kurorë me lule në nderim të heroit të Forcave të Armatosura Shqiptare. Po ashtu, Nishani zhvilloi një vizitë në familjen e Vogli, ku u shpreh se: “Ceremonia ishte e veçantë, por më i veçantë ishte nderimi. Fjalët e nderimit dhe të mirat janë thënë dhe do të vazhdojnë të thuhen gjithë jetën. E para është dhimbja, është dhimbja për familjen, dhimbja për të afërmit, për shokët, për miqtë, por kjo dhimbje kalohet dhe njeriu bëhet i fortë kur nderi dhe nderimi është i madh, sepse Fetiu është nga ata njerëz që ka fituar pavdekësinë”.