25 vjet Partia Demokratike, Basha: Sot jemi më të fortë e të bashkuar

461
Ditë apeli për themeluesit e orëve të para, për ata që qëndruan në PD, por edhe për të rinjtë. Kështu e cilësoi kryedemokrati Basha 11 dhjetorin, ditën kur përkujtojnë 25 vjetorin e krijimit. Ai u shpreh i bindur se sot kjo parti “Me Berishën me të vjetërit e të rinjtë është më e fortë, më e bashkuar, më e urtë më mençur”

BERISHA: SIKUR VETËM 1 TË MBETET NË KËTË PARTI, DO JEM NJËRI PREJ JUSH
“Sot përulem para veprës së Azem Hajdarit, studentëve dhe ideatorëve që 25 vite më parë nxorën shqiptarët nga barbaria më çnjerëzore, mjerimit më të skajshëm, themeluan PD si partia e vërtetë opozitare në tërë memorien tonë kombëtare. Azem ti je gjallë!”. Kështu e nisi fjalën e tij në 25-vjetorin e krijimit të PD-së, një ndër themeluesit dhe lideri i historik i demokratëve.
Sali Berisha e ka cilësuar veten me fat që ka qenë pjesë e PD-së që në gjenezën e saj, ndërsa shprehet se edhe një të mbetet në këtë parti, ai do vijojë të jetë demokrat.
“I them vetes se kam lindur me fat, me këmishë se isha njeri prej jush dhe ne së bashku Shqipërinë e gremisur e hapëm drejt Europës, vendosëm liritë dhe të drejtat e njeriut, e çuam në Këshillin e Europës në NATO, e çuam kandidate për statusin e BE. E nxorëm nga mjerimi ekstrem, të ardhurat për frymë u rritën. Ju them se do vijoj përpjekjet e mia gjithë jetës për lartësimin e vlerave ku besojmë. Miqtë e mi, Viktor Hugo në një vjershë të tij shkruan: Sikur 1 mijë të mbetemi, do mbetem njëri prej jush, sikur vetëm 1 të mbetet, do jem njëri prej jush”.
Më tej Berisha tha se demokracia iu ka dhënë më shumë guxim shqiptarëve dhe i ftoi të ngrihen në lartësinë e guximit, të përmbysin qeverinë e Ramës, por me mjete demokratike siç përmendi ai.
“Ne mblidhemi sot me besimin e palëkundur tek vota e lirë vlerësuam, respektuam votën e shqiptarëve, proceduam me transferim të rregullt të pushtetit pa menduar se liritë e shqiptarëve qenies së tyre do rrokullisej me shpejtësi të madhe, si në kohërat më të zeza të shqiptarëve. Ata që erdhën në pushtet janë hajdutët e pasurive tuaja, përdorën votën e shqiptarëve për të vjedhur. Një kushtrim vjen nga ata që përmbysën diktaturën, ju them se guximi juaj sot është 100 herë më i madh se sa ne në vitet ’90. Ne ishim të rritur në skllavëri, shtypje e barbari, ne me qindra e mijëra herë kishim ndjerë në zemër rrahjet e frikës. Sot jemi 25 herë më të fuqishëm për të mbrojtur liritë, votën dhe qenien tonë. Thirrja ime është të ngrihemi në lartësinë e guximit që kemi. Ky vrasës i shpresës të marrë atë që meriton fundin, koshin e plehrave të etërve të tij. Edi Rama të rrëzohet me të gjitha mjetet demokratike sa më parë”.
“Koha është e jona thirrja është e jona, të mos presim asnjë orë, asnjë ditë po të shohim çdo bëjmë vetë për të organizuar shqiptarët t’ju kthejmë shpresën se Shqipëria s’meriton të largohemi po të punojmë këtu”. Berisha u ribëri thirrje gjithë shqiptarëve që të ngrihen në protestë. “Ju ftoj secilin prej jush për të qëruar së më parë këtë klikë që po largon nga Shqipëria çdo vit qindra mijëra të rinj. Po i vdes njerëzit në burgje dhe në kasolle të ftohta që po i lë pa energji dhe çdo gjë. Në këmbë, në këmbë, rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”, tha ai.

SELAMI: DO RIKTHEHEMI NË PUSHTET PËR TË KTHYER SHPRESËN
Një nga demokratët dhe themeluesit e Partisë Demokratike, Eduard Selami gjatë fjalës së tij para të pranishmëve deklaroi se lëvizja e Dhjetorit nuk do kishte rezultat për këtë parti. Sipas Selamajt, Shqipëria kaloi nga vendi më i izoluar i Europës, në një vend që u anëtarësua në NATO dhe anëtare në KE.
“Gëzuar festën! Është një nder dhe privilegj i veçantë që t’ju dertohej juve këtu pasi përfaqësoni një nga lëvizjet evropiane, që solli lëvizjen e dhjetorit që solli PD-në. Pa PD kjo lëvizje nuk do kishte këto rezultate. Nga vendi më i izoluar i Evropës, nga përballja me kulturën komuniste, Shqipëria arriti të anëtarësohet në NATO e Këshillin e Europës. Në pjesë janë këtu dhe një pjesë jo, por dua ti falënderojë nga zemra. Siç thoshte edhe John Kenndy: Atij që i bëhet, nga ai më shumë pritet.
Ndaj Shqipëria sot pas 25 vitesh ka nevojë për një rigjallërim të vlerave të shqiptarëve. Shqiptarët për shkak të qeverisës po humbasin shpresat, ndaj ky është detyrimi jonë i përbashkët.”, tha Selami.
Demokrati Selami nuk la pa përmendur dhe faktin se në disa raste ka qenë kritik me qëndrimin e tij, ndërsa shtoi se: “Me të drejtë shqiptarët për shkak të keqqeverisjes po humbasin shpresën. Ku përveç PD-së duhet ta kërkojnë? Nëse ndonjëherë ngre zërin kritik, e ngre mbi këto shpresa që shqiptarët kanë tek PD. Unë mendoj se PD do rikthehet edhe njëherë në pushtet dhe në rrugën e Europës.”, tha Selami.

IMAMI: TË ARRIJMË OBJEKTIVIN, ZGJEDHJE TË REJA, QEVERI TEKNIKE
Arben Imami thotë se krijimi i PD-së ishte “realizimi i ëndrrës së pluralizmit politik shprehjes e një projekti të shqiptarëve për lirinë, për demokracinë, për Europën”.
“Ishim të qartë se duhet të shkonim drejt Europës. Është fat për PD dhe nuk ka ndodhur për shumë parti të ish- lindjes komuniste që të mbetet ende një forcë e madhe, kjo për shkak të sakrificës së shumë drejtuesve të saj, veçanërisht doktor Berisha.
Imami tha se sot PD kërkon të arrijë objektivin e saj, për përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe zgjidhje mbeten vetëm zgjedhjet e parakohshme dhe një qeveri teknike.
“Shtet policor, krimi mbretëron në zyrën e kryeministrit dhe ministrit, mbretëron korrupsioni burgosen të mjerë, të varfër, përdhosen zgjedhjet e lira, prandaj nuk ka zgjidhje tjetër për Shqipërinë veçse PD. Mësimi është të ecim ashtu sikurse e proklamua nga zoti Basha në mitingun e fundit, të ecim drejt objektivit qeveri teknike, zgjedhje të parakohshme”.

VOKSHI: KONTRIBUTI NE PD I DEDIKOHET LIDERIT HISTORIK SALI BERISHA
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi falënderoi publikisht ish-kreun e selisë blu, Sali Berishën për kontributin e tij të çmuar në këtë forcë politike. “Është e vështirë të flasësh pas zotit Sali Berisha, për të gjitha emocionet që ai përçon tek njerëzit në këtë sallë, dhe jo vetëm. Fjalën time dua ta nis me mirënjohje dhe respekt për themeluesit e forcës më të madhe politike, e cila ka në themel të saj demokracinë. Mirënjohje dhe nderim për heroin e demokracisë, Azem Hajdarin. Sot përkulemi me respekt për studentët që sollën lirinë. Demokratët ja dedikojnë këtë punë, liderit historik, Sali Berishës, i cili u dha shqiptarëve lirinë.”, tha Vokshi.

BELIND KËLLICI: TË VENDOSUR TË NDALOJMË KËTË QEVERI
Kreu i sapozgjedhur i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi deklaroi sot se rinia e sotme, ashtu si para 25 vitesh, nuk do të lejojnë që kjo qeveri të vrasë shpresat e shqiptarëve. Ai theksoi se PD-ja me punë do rikthehet në krye të vendit, për t’u marrë me punët e vendit. “PD i solli vendit tim lirinë. Në atë kohë kam qenë vetëm 3 vjeç, e ishte meritë e Sali Berishës. Unë jam krenar që jam produkt i këtij standardi. Edhe në këtë proces në dëshmuam se jemi ndryshe. 25 vite më parë, politika ishte pronë e një pushteti të pafytyrë. Studentët e dhjetorit besuan se politika është një mundësi për të rrëzuar një sistem korruptim. Ashtu është dhe sot. Sot gjendemi para një qeveri që po vret shpresën e shqiptarëve. Ne të rinjtë demokratë nuk do ta pranojmë, dhe në këtë 25 vjetor jemi të vendosur ashtu sikur 25 vite më parë, të ndalojmë këtë qeveri.”, tha Këlliçi.

Flasin për “Telegraf
Gert Bogdani, deputet: 25 vite më parë, nuk lindi thjesht PD, 25 vite më parë lindi Liria dhe Demokracia
Kjo është një festë jo vetëm e të të gjithë demokratëve, por e të gjithë brezave, të të gjithë moshave, në të gjithë Shqipërinë dhe në diasporë ku jetojnë, por është një festë e të gjithë shqiptarëve, sepse 25 vite më parë, nuk lindi thjesht PD, 25 vite më parë lindi Liria dhe Demokracia. Në këtë 25 vjetor të lavdishëm, një mirënjohje të thellë gjithë atyre studentëve, intelektualëve të kohës dhe qytetarëve të Tiranës që mbështetën Lëvizjen Studentore dhe krijimin e PD dhe një mirënjohje të thellë të gjithë atyre që sot e çojnë përpara këtë ëndërr të 25 viteve të mëparshme. Misioni politik i PD është të mbrojë fort, pa u përkulur e paepur të gjitha vlera, me të cilat ajo u themelua. Të mbrojë fort ëndrrën europiane të shqiptarëve, standardet e Lirisë dhe Demokracisë në Shqipëri dhe gjithashtu të punojë fort për një Shqipëri më demokratike nga sot dhe për një të ardhme më të mirë për shqiptarët. 

Jamarbër Malltezi, student i Lëvizjes Studentore 1990: Ditëlindja e PD është ditëlindja e Demokracisë
11 Dhjetori, dita e lindjes së PD është Ditëlindja e Demokracisë. Data që shënon hapin e parë drejt udhës së gjatë “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”. PD u dëshmua si lokomotiva e transformimit rrënjësor, zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë. Me PD janë lidhur hapja e Shqipërisë me botën, ekonomia e tregut, privatizimi i banesave, kthimi i pronës, NATO, liberalizimi i vizave, liritë dhe të Drejtat e Njeriut. 
Ina Zhupa: PD pas 25 viteve lufton përsëri për të njëjtat ideale për lirinë, demokracinë dhe të ardhmen europiane
25 vjetori i Partisë Demokratike është datë e shënuar për demokratët, por edhe për shqiptarët, të cilët falë kësaj date gëzojnë të mirat e pluralizmit politik në vend. Kjo datë është e rëndësishme për të kujtuar të gjithë ata dëshmorë të demokracisë, si Azem Hajdari, Arben Broci, që ranë për idealet e vendit, datë e rëndësishme për të kujtuar arritjet e qeverisjes së djathtë me liderin historik Prof. Dr. Sali Berisha. Por gjithashtu për të nisur rrugen tonë të re drejt fitoreve me në krye një lider europian si Lulzim Basha, përballë një qeverisje që është kthyer në tiraninë e korrupsionit dhe krimit në vend. PD pas 25 viteve lufton përsëri për të njëjtat ideale për lirinë, demokracinë dhe të ardhmen europiane, të cilat po rrezikohen nga kjo qeverisje.Jam krenare që jam pjesë e kësaj force politike dhe do luftoj çdo ditë për realizimin e idealeve të djathta.
Sigal