15 miliardë lekë dëme ndaj shtetit në 15 muaj

473
Rinisja e protestës ekonomike prej naftëtarëve për pagat e pa dhëna prej afro 4 muajve, ka si tregues pazaret e shtetit me koncensionarët që nuk zbatojnë detyrimet kontraktuale
KLSH zbardh “ziftin” e abuzimeve shtetërore në sektorin e naftës, 15 miliardë lekë dëme ndaj shtetit në 15 muaj
Ndërkohë që naftëtarët punojnë në kushte të vështira e me paga tepër të ulëta dhe që prej disa muajsh nuk u jepen këto paga që u takojnë me ligj, mësohet se sektori shtetëror i nxjerrjes, përpunimit dhe tregtimit të naftës, përfshirë këtu edhe koncesionet që u janë dhënë kompanive të huaja private të llojit “Bankers”, ka qenë një “gropë e zezë” abuzimesh ekonomike-financiare, me bazë korrupsionin e zyrtarëve të këtij sektori, emëruar në detyra politikisht si klientë të pushteteve e jo si drejtues që menaxhojnë punët sipas ligjit dhe detyrimeve të sektorit përkatës, por sipas “porosive” private të shefave partiakë e shtetërorë. Po çfarë ka ndodh e vazhdon të ndodh me drejtimin dhe menaxhimin e sektorit të naftës? Ç’bëhet me prodhimin, kontratat, tenderët, pagesat, shpenzimet, financat ed eri tek qindarka që është produkt i punëve në këtë sektor? përgjigjen e radhës e jep një raport auditivi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ushtruar në sektorin e naftës,në zbatim të Programit të Auditimit Nr. 814/1, datë 06.09.2016, i ndryshuar. Ky auditim është kryer në kompaninë shtetërore të naftës “Albpetrol” sh.a, ku janë hapur “letrat” e aktivitetit ekonomik financiar të kësaj kompanie për periudhën nga data 01.07.2015, deri në datën 30.09.2016. 
Në 15 muaj, janë shkaktuar 15 miliardë lekë dëme ekonomike 
Nga auditimi ka rezultuar se Albpetrol SHA ka shkaktuar një dëm total ekonomik në vlerën 15,108,418 mijë lekë dhe një efekt financiar negativ në vlerën 3,010,832 mijë lekë, si më poshtë:
Dëmi ekonomik
– Në zbatimin e kontratave të marrëveshjeve hidrokarbure me vlerë 14,956,009 mijë lekë, nga të cilat: 
– Detyrime të kontraktorëve për naftën bruto pjesë e Albpetrol nga ndarja e prodhimit me vlerë 6,706,916 mijë lekë.
-Diferenca të prodhimit të naftës bruto rezultuar nga testimi i prodhimit të puseve me vlerë 4,245,693 mijë lekë.
– Shpenzime të përfshira në kostot hidrokarbure në kundërshtim me përcaktimet e marrëveshjeve hidrokarbure, me vlerë 2,780,252 mijë lekë.
– Diferencë transporti me çmime shumë më të larta se tregu me vlerë 796,043 mijë lekë.
– Diferencë e krijuar nga vlera shitjes në ankande të naftës bruto pjesë e Albpetrol nga detyrimet e kontraktorëve, krahasuar me çmimin e naftës bruto në momentin e krijimit të detyrimeve, me vlerë 427,105 mijë lekë.
– Në fushë e pagave dhe shpërblimeve me vlerë 89,576 mijë lekë.
– Në fushën e prokurimeve dhe zbatimin e kontratave me vlerë 60,157 mijë lekë.
– Firo transporti me vlerë 2,676 mijë lekë.
Efekti Financiar Negativ
– Diferencë e detyrimeve të shoqërisë në dividend nga mos pasqyrimi i saktë i rezultatit financiar të shoqërisë me vlerë 1,788,727 mijë lekë.
– Kamatëvonesa të likuiduara për mos shlyerjen në kohë të energjisë elektrike me vlerë 564,402 mijë lekë.
– Detyrime të krijuara nga shoqëria për furnitorët me vlerë 644,031 mijë lekë.
– Pagesa për shpërblime grupe pune me vlerë 11,496 mijë lekë.
– Në zbatimin e procedurave të prokurimit me vlerë 2,176 mijë lekë.
Nga auditimi rezultuan edhe një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi, ndër të cilat më kryesoret janë:
Nga aktiviteti i shoqërisë, proceset në konflikte gjyqësore
Për periudhën 1.01.2015 deri më 30.09.2016 mbi çështjet gjyqësore të punonjësve, rezulton se në Gjykatën e Lartë kanë përfunduar 12 çështje në favor të punonjësve për të dëmshpërblyer nga 8 – 17.5 paga vjetore secilin, si dhe kanë përfunduar 8 çështje në Gjykatën e Apelit. Gjithashtu, janë në proces 143 raste të tjera, nga të cilët 33 janë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe 110 punonjës të tjerë janë në Gjykatën e Apelit.
Në periudhën nga data 01.07.2015 deri me 30.09.2016 janë paguar 79 punonjës për vendime gjyqësore të largimeve nga puna pa shkaqe të arsyeshme të periudhave të mëparshme në shumën 58,448,661 lekë, e cila ka rritur kostot e shoqërisë. Në 40 raste zbatimi i vendimeve gjyqësore është bërë nëpërmjet zyrave përmbarimore duke rritur akoma më shumë koston e këtyre largimeve pa shkaqe të përligjura.
– Është dhënë karburant për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës në kundërshtim me ligjin me vlerë 1,800,120 lekë.
– Për vitin 2015, punonjësve të Albpetrol u janë likuiduar shpenzime transporti në kundërshtim me ligjin me vlerë 26,122 mijë lekë.
– Albpetrol SHA nuk ka zbatuar shkronjën “b” të nenit 1 të ligjit nr. 7598, datë 01.09.1992 “Për krijimin e fondit të veçantë monetar për ish-të dënuarit e të përndjekurit politikë” dhe VKM nr. 392, datë 12.08.1999 “Për administrimin e fondit të veçantë monetar, të krijuar sipas ligjit nr. 7598, datë 01.09.1992 “Për krijimin e fondit të veçantë monetar për ish-të dënuarit e të përndjekurit politikë”derdhur në Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë për të arkëtuar për llogari të Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë shumën 1 % të fondit të pagave për vitin 2015. 
– QASHNG ka paraqitur në pasqyrat financiare të viti 2015, llogarinë “Provizione” në vlerën 38,833,280 lekë. Nga auditimi i kartelës së kësaj llogarie, u konstatua se kjo llogari gjatë viteve ushtrimore 2013-2015, nuk ka patur asnjë lëvizje kreditore ose debitore. Për më tepër nga ana e QASHNG Patos, për këtë llogari, nuk disponohej asnjë dokumentacion, veprime në kundërshtim me Ligjin nr. 9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, neni 6 “Evidenca mbështetëse”. 
– Nga ana e Albpetrol SHA nuk është bërë arkëtimi i detyrimit prej 3,445,021,679 lekë të ARMO SHA në zbatim të vendimit të gjykatës nr. 1480 datë 29.02.2016. Në detyrim e mësipërm janë të përfshira kamatat e arritura që rrjedhin nga mos shlyerja në kohë e kësteve të maturuara prej 20,269,908 lekë. Ky vendim është marrë me ekzekutim të përkohshëm, çka i jep mundësi shoqërisë për arkëtimin e detyrimit. Megjithëse uzina e përpunimit të thellë të naftës prone e ARMO sha është vënë në punë (kjo e konfirmuar dhe nëpërmjet mediave), Albpetrol SHA nuk ka kryer asnjë veprim arkëtimin e detyrimeve të mësipërme.
– Gjatë vitit 2015 nё Albpetrol SHA janë shpenzuar 6,296,379 lekë pёr sigurimin e automjeteve. Blerja e shërbimit është kryer pa u zbatuar procedurat ligjore të prokurimeve, nuk është nxjerrë urdhri i prokurimit, përcaktimi i fondit, ngritja e komisionit të vlerësimit si dhe njësia e prokurimit, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
Kosto e shtuar shpenzimesh financiare me 4 milionë euro, në letrat e marrëveshjes së hidrokarbureve në Patos-Marinzë
Mbi hartimin, miratimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve të lidhura me kompanitë e huaja që operojnë në sektorin e kërkimit dhe nxjerrjes së hidrokarbureve. Për vitin 2015 ashtu dhe periudhën respektive 2016, kontraktori ka rritur ndjeshëm shpenzimet administrative si dhe ka zvogëluar shpenzimet kapitale referuar planit vjetor. Sipas planit të paraqitur nga kontraktori por të pa miratuar nga Albpetrol për vitin 2016 (janar-qershor), janë parashikuar shpenzime transporti me vlerë 9.4 milionë USD dhe në fakt janë paraqitur shpenzime me vlerë 13.59 milionë USD, me një rritje rreth 30 %. Kjo rritje nuk justifikohet me prodhimin i cili është në nivele të njëjta me programimin. Krahas rritjes së shpenzimeve të pa argumentuara për transport, Kontraktori realizon këtë shërbim me çmime shumë më të larta se tregu. Në minutat e takimit të Komitetit Këshillimor të datës 23.12.2015, cilësohet se Albpetrol ka transportuar naftë bruto me të tretë me çmim 17.5 lekë për ton/km ndërsa Kontraktori transporton me 27 lekë për ton/km, për të njëjtat kushte. Duke marrë në konsideratë vlerën e përfshirë në kosto hidrokarbure për transport, e cila për vitin 2015 është me vlerë 12,611 mijë USD dhe për vitin 2016 me vlerë 5,2017 mijë USD, rezulton se Kontraktori ka shpenzuar më shumë referuar çmimit të tregut vlerën 6,273 mijë USD ose 796,043 mijë lekë, vlerë e cila ka rënduar shpenzimet e kostove hidrokarbure dhe ka ndikuar negativisht në Faktorin R. Nga dokumentacioni i raporteve të kontraktorit, për periudhën janar – mars 2015 në kostot hidrokarbure është përfshirë vlera 21,908 mijë USD, për shpenzime që rrjedhin nga marrëveshja miqësore për ndërprerjen e njëanshme të një kontrate furnizimi me një kompani tjetër. Kontraktori me shkresë nr. 1119, datë 16.07.2015, ka paraqitur pretendimin se shpenzimet si më sipër konsiderohen kosto hidrokarbure, pasi kontraktori ka të drejtë të rikuperojë të gjitha kostot hidrokarbure të përballuara nga ai brenda apo në lidhje me zonën e projektit. Kontraktori pretendon se nuk është pësuar humbje pasi nga prishje e kontratës është akumuluar një fitim më i madh se penaliteti. Veprimi i mësipërm është në kundërshtim me marrëveshjen hidrokarbure Aneksi B, neni 2, Pika 2.14 “Shpenzimet ligjore”. Pavarësisht përqasjes së Albpetrol SHA dhe AKBN, zbritja nga kostot hidrokarbure e vlerës së mësipërme nuk është realizuar, madje AKBN nuk ka përfunduar hapat e parashikuar në marrëveshje për këtë qëllim, por e ka shtyrë këtë veprim për periudhën e auditimit. Sa më sipër, është vepruar në kundërshtim me Aneksin B, Neni 2.14 të Marrëveshjes Hidrokarbure duke përfshirë padrejtësisht në kosto hidrokarbure të rikuperueshme vlera 21,909 mijë USD, ose 2,780,252 mijë lekë.
Ja faktet e shkeljes së ligjit, që kanë shkaktuar abuzime të mëdha financiare
– Me shkresë nr. 359/1, datë 02.02.2015, Albpetrol ka ngritur shqetësimin për rënien e prodhimit të naftës bruto për periudhën tetor-nëntor 2014. Për këtë arsye ka filluar një proces inspektimi të prodhimit pranë vendburimit të Patos-Marinzës. Albpetrol me shkresë nr. 8933, datë 07.12.2015, drejtuar Kontraktorit, për dijeni AKBN dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, ka paraqitur rezultatet e testimit të puseve nga ku ka rezultuar se nga testimi i 147 puseve, 45 kanë rezultuar me diferenca të konsiderueshme të prodhimit faktik, krahasuar me prodhimin e raportuar, me rreth 283 m3 në ditë, në bazë vjetore rreth 103,295 m3, ose rreth 8.5 të prodhimit të përgjithshëm. Ky veprim ka shkaktuar pasoja të rënda financiare për shtetin dhe bazuar në nenin 24, pika 24.2.1, të marrëveshjes hidrokarbure “Mbyllja” si dhe nenin 24, pika 24. 1. a të licencë marrëveshjes “E drejta e AKBN për ta përfunduar marrëveshjen”, ka kryer raportime fallco, pra devijim material. Nga ana e Albpetrol dhe AKBN duhet të bëhej njoftimi përkatës për korrigjim dhe për përfundim të marrëveshjes sipas përcaktimeve të mësipërme në marrëveshje hidrokarbure dhe marrëveshje-licencë. Bazuar në sa më sipër, referuar periudhës së matjes së prodhimit të 45 puseve, shprehur në përqindje, Kontraktorit duhet t’i kërkohesh rishikimi i raporteve 3 mujore duke përfshirë në raportet përkatëse edhe sasinë e pa raportuar afërsisht 137,173 m3, me vlerë 31,399 mijë USD, ose 3,984,533 mijë lekë. Sa më sipër, në përputhje me nenin 24, pika 24.2.1 të marrëveshjes hidrokarbure “Mbyllja” si dhe nenin 24, pika 24. 1. a të licencë marrëveshjes “E drejta e AKBN për ta përfunduar marrëveshjen” duhet të bëhesh njoftimi përkatës.
– Bazuar në VKM nr. 947, datë 29.12.2014, detyrimi i krijuar në vite, deri në muajin qershor 2016, në mënyrë progresive dhe me vlerë, bazuar në VKM nr. 947, datë 29.12.2014, Kontraktori i detyrohet Albpetrol sasinë 76,805.09 ton naftë brut, me vlerë 23,954 mijë USD. Rritja e detyrimit krahasuar me të dhënat e auditimit të mëparshëm (deri mars 2015) ishte në sasinë 39,220 ton me vlerë 15,679 mijë USD. Detyrimi është rritur me vlerë 8,275 mijë USD. Duke marrë në konsideratë auditimin e realizuar nga Albpetrol dhe mosnjohjen e detyrimeve me vlerë 352,513,463 USD, rezultat i të cilit Faktori R rezulton më i madh se 1, bazuar në nenin 9, pika 2 të Marrëveshjes Hidrokarbure, Kontraktori i detyrohet Albpetrol sasinë 3 % të prodhimit për puset e reja dhe jo 1 % të sasisë. Në këto kushte, referuar periudhës së zbritjes së këtyre kostove, për vitin 2014 dhe në vazhdim Kontraktori duhet të përllogariste si sasi të Albpetrol masën 3 %. Sa më sipër si pasojë e kalimit të koeficientit R mbi 1, krahas detyrimit të krijuar në vite ndaj Albpetrol në sasinë 76,805.09 ton (me vlerë 23,954,640.7 USD), Kontraktori i detyrohet Albpetrol edhe sasinë 53,812.3 ton (me vlerë 20,194,234.3 USD). Pra detyrimi që kontraktori ka ndaj Albpetrol duhet të jetë në sasinë 130,617.4 ton me vlerë respektive 44,148 mijë USD.
– Bazuar në raportet e kontraktorit për të ardhurat e shpenzimet për periudhën nga fillimi i marrëveshjes deri në qershor 2016. Deri në vitin 2013 janë miratuar planet vjetore, ndërsa për periudhën më pas nuk ka miratim. Kontraktori ka paraqitur plane dhe zbatim të tyre pa marrë miratimin e Albpetrol dhe AKBN, të cilat kanë devijime të rëndësishme nga marrëveshja. Këto devijime kanë ndikim negativ të konsiderueshëm të faktorin R. Pavarësisht se nuk ka miratim për to Albpetrol SHA nuk ka ndjekur hapat e mëtejshme që parashikon marrëveshja, si dhe nuk janë marrë masat përkatëse për konsiderimin thyerje marrëveshje dhe për kërkimin e riparaqitjes së raporteve përkatëse në përputhje me planin e zhvillimit. Sipas planit të zhvillimit është parashikuar të shpenzohen 404 milionë USD për arritjen e prodhimit në sasinë 2.72 milionë ton, ndërkohë që shpenzimi është realizuar me vlerë 1.28 miliardë USD, prodhimi i realizuar është 3.6 milionë ton. Pra janë parashikuar shpenzime në masën 14.8 % krahasuar me prodhimin e naftës brut, që në fakt shpenzimet e realizuara janë në masën 33.5 % të prodhimit. Rritja e shpenzimeve nuk është justifikuar me rritjen e prodhimit. Rritja e shpenzimeve ka ndikim negativ në faktorin R, ndërsa rritja e prodhimit ndikon në rritjen e të ardhurave dhe rrjedhimisht përmirësim të faktorit R. Në këto kushte, rezulton se nga ana e Kontraktorit bëhen përpjekje për mbajtjen e Faktorit R më të vogël se 1, duke shmangur vlerën e fitimit me Qeverinë Shqiptare.
– Kontraktori nuk i është përmbajtur planit të zhvillimit të vitit 2006, rishikuar në vitin 2009.
– Duke krahasuar rritjen e shpenzimeve me rritjen e prodhimit të raportuara nga Kontraktori, pjesa takuese e rritjes së prodhimit me 919 mijë ton duhet të shoqërohej me rritje të shpenzimeve me vlerë rreth 136 milionë USD. Në këto kushte, bazuar në planin e zhvillimit, shpenzimet janë rritur në mënyrë të pa justifikuar me vlerë rreth 682 milionë USD.
– Mos respektimi i planit të zhvillimit dhe marrëveshjes në tërësi, ka cenuar interesat e Shtetit Shqiptar, për zonën me prodhimin më të madh në shkallë vendi dhe me burim nafte me cilësi të mirë.
– Plani i zhvillimit të vitit 2006 u rishikua në vitin 2009, në kundërshtim me interesat e shtetit shqiptar në këtë marrëveshje, megjithatë, kontraktori nuk ka zbatuar as këtë plan duke krijuar të ardhura të munguara për shtetin. Për më tej, në vitin 2016, nga ana e kontraktorit është kërkuar dhe ka marrë miratim ndryshimi i planit të zhvillimit, duke planifikuar Faktorin R më të madhe se 1, në fund të marrëveshjes, në kundërshtim të hapur me marrëveshjen hidrokarbure dhe planin e zhvillimit të paraqitur nga vetë kontraktori në vitin 2006 dhe të rishikuar në vitin 2009.
– Për periudhë e auditimit, kontraktori ka raportuar shpenzime me vlerë më të madhe se të ardhurat, duke bërë që Faktori R (sipas raporteve të kontraktorit), të jetë më i vogël se 1. Rritja e shpenzimeve dhe zvogëlimi i të ardhurave për vitin 2016, ka ardhur duke u thelluar, nga ku rezulton se shpenzimet e akumuluara krahasuar me të ardhurat janë më të mëdha se në vitin 2015, pra duke zvogëluar më tej Faktorin R.
– Përfshirja në kosto hidrokarbure e këtyre shpenzimeve ka ndikuar negativisht në Faktorin R, sipas të cilit nuk janë arritur përfitimet e parashikuara për Qeverinë Shqiptare. Vetëm si pasojë e mos respektimit të marrëveshjes dhe planit të zhvillimit sa më sipër, Qeveria Shqiptare rezulton me të ardhura të munguara me vlerë rreth 341 milionë USD (50 % e fitimit, sipas përcaktimeve në marrëveshje). Veprimi i mësipërm, i cili ka të bëjë me fryrje artificiale të shpenzimeve, veprim i cili është vërtetuar edhe nga auditimi i mëparshëm i ushtruar nga Albpetrol, për llogaritë kosto hidrokarbure të audituara për periudhën tetor 2012 deri shtator 2013, nga ku kanë rezultuar kosto hidrokarbure të pa pranuara me vlerë 352 milionë USD.
( vijon ) 
Sigal