Zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi ironizon me Ballën: Je lodhur duke lobuar për kriteret historike!

851
Sigal

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka reaguar me një status pas deklaratave të kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, i cili në një intervistë për Deutsche Welle tha, se është “i bindur, që veprimi i Presidentit të Republikës në rastin e zhdekretimit të datës së zgjedhjeve ka qenë një veprim antikushtetues”’. Sipas Ballës, edhe vetë Presidenti i Republikës e di këtë gjë. Në reagimin e tij, Blushi shprehet ndër të tjera se, siguron Ballën se kreu i shtetit nuk e ka shkelur kushtetutën, ndërsa i kujton se zëdhënësi i tij është vetë ai. Reagimi i zëdhënësit të Presidentit të Republikës Tedi Blushi: E falënderoj zotin Taulant që ka vendosur të luajë edhe rolin e Zëdhënësit të Presidentit, por e sqaroj se Zëdhënësi zyrtar jam unë!

Të jetë i qetë dhe i sigurt, se jo vetëm Bundestagu apo OSBE/ODIHR, por e gjithë bota e di që Presidenti Meta nuk ka shkelur Kushtetutën.

Presidenti Meta, jo vetëm ka respektuar Kushtetutën, por edhe:

– Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

-Vendimin e Gjykatës së Strasburgut që përcakton se e drejta e zgjedhjes nuk është procedurale, por substanciale për të garantuar rendin demokratik;

– Detyrimet e Shqipërisë ndaj Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për garantimin e lirive dhe pluralizmit politik;

– Kriteret e Kopenhagenit, që janë në themel të BE.

Për këto ka folur qartë dhe Raporti Final i OSBE/ODIHR për zgjedhjet antikushtetuese dhe të paligjshme të 30 qershorit!

Ia kujtoj zotit Taulant të gjitha këto, meqë sot ka qenë shumë i hutuar kur ka folur në emër të Presidentit.

Ndoshta është lodhur duke lobuar në Berlin për vendosjen e kritereve historike për çeljen e negociatave!