Xhevat Mustafa/ Brenda një jave, nga “ferri” në “parajsë”

681
Falë vizitës së kryeministrit Edi Rama në SHBA dhe takimeve të tij me presidentin e Bankës Botërore, Jim Yong Kim, me zëvendës presidentin Joe Biden, ku ishte i pranishëm edhe presidenti Barack Obama, mund të thuhet se kemi përjetuar një javë plot befasi e çudira, me ndryshime marramendëse dhe të pabesueshme vlerësimesh dhe realitetesh. Për të qenë objektivë dhe të besueshëm nuk mund të mos pranohet se vizita e kryeministrit Edi Rama në SHBA përbën një ngjarje me rëndësi në marrëdhëniet midis dy vendeve, sidomos për Shqipërinë dhe shqiptarët si komb. Mbështetur në njoftimin konçiz dhe me formulim tejet të kujdesshëm diplomatik të zyrës së zëvendës presidentit Biden, nuk mund të mos ndjehemi të kënaqur dhe mirënjohës se “Presidenti dhe nën presidenti, shprehën vlerësimin e tyre për rolin kritik që luan Shqipëria për çuarjen përpara të sigurisë në rajon dhe ripohuan rëndësinë e mbajtjes hapur të dyerve të integrimit Euro-Atlantik për stabilitetin në Ballkan, se ata “përshëndetën Shqipërinë për rolin e saj udhëheqës në nxitjen e tolerancës fetare, për ndihmesën e rëndësishme në koalicionin ndërkombëtar kundër grupit ISIL dhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria ka ndërmarrë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm…”. 


Gjithashtu, përtej këtij njoftimi, kjo vizitë dhe takimet që u kryen gjatë saj, na shtojnë shpresën dhe besimin se miqtë dhe aleatët tanë amerikanë do të vazhdojnë t’i shtyjnë apo tërheqin politikën dhe qeverisjet shqiptare që të pranojnë sinqerisht dhe kryejnë seriozisht detyrat apo detyrimet parësore të kësaj periudhe para qytetarëve të tyre, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të plotpushtetshëm deri në nivelet më të larta qeverisëse dhe administrative, në kuadër të reformës në drejtësi dhe të dekriminilizimit të politikës. Pa përjashtuar mundësinë e një afeksioni personal të Obamës, Biden dhe Kerry për Edi Ramën, përsëri, do të ishte e pasaktë dhe manipulim i pastër politik dhe propagandistik, nëse mesazhet pozitive, mbështetëse dhe inkurajuese të Obamës dhe Biden interpretohen dhe kuptohen si vlerësime ekskluzive për kryeministrin Edi Rama individualisht apo si ekip dhe maxhorancë, kapur tek fakti kohor se u dhanë gjatë mandatit të parë qeverisës së koalicionit PS-LSI dhe të ekipit qeveritar Rama-Meta. Në fund të fundit, kryeministri dhe delegacioni i tij shkuan në SHBA dhe u takuan me presidentin dhe zëvendës presidentin e SHBA-së jo ngushtësisht si lidership qeverisës dhe politik, por si përfaqësues të qeverisë, shtetit dhe të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Por, ishte e pritshme që sipas një praktike dhe përvoje rreth 25 vjeçare të kishte me bollëk zëra që shkuan në të dy ekstremet. Njëra palë, më së shumti tifozë personalë të Edi Ramës dhe mirënjohës për gjithçka kanë përfituar prej tij gjatë 3 mandateve si kryebashkiak i Tiranës dhe rreth 31 muajve si kryeministër, u përpoq ta interpretonte, vlerësonte dhe propagandonte, si fasadë politike, kryesisht për inat të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës e si investim tejet të parakohshëm elektoral, si fitore historike e personale të Edi Ramës, e pastaj, të PS-së dhe të koalicionit të së majtës. Pala tjetër, më e paktë në aspektin sasior dhe më pak e zëshme në aspektin mediatik, kryesisht për inat ndaj Edi Ramës individualisht e si ekip qeverisës e duke menduar edhe ajo shumë para kohe po për betejën e ardhshme elektorale, u përpoq t’i minimizonte rëndësinë dhe rezultatet e vizitës së tij në SHBA dhe të takimeve me dyshen më të lartë në Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama dhe Joe Biden. 

Vizita në SHBA e delegacionit qeveritar kryesuar nga kryeministri Edi Rama nuk mund të mos shihet e lidhur ngushtë në aspektin kohor apo si mandat. Fjala është për qenien e administratës Obama-Biden në muajt e fundit të mandatit të dytë dhe përmbyllës, si dhe për praktikën e moçme presidenciale të shtimit të pritjeve të krerëve dhe delegacioneve nga shumë vende të botës, më së shumti për efekt protokollar, memorial, mediatik, elektoral prej tyre. Sipas këtij këndvështrimi shtyhesh të mendosh se vizita në SHBA e delegacionit qeveritar të Shqipërisë, nën kryesimin e Edi Ramës, i ka shërbyer më së shumti kryeministrit individualisht, për të pasuruar dhe shtuar albumin e tij të kësaj kohe me fotografi me presidentin Obama dhe zëvendës presidentin Biden. Nënkuptohet se kjo vizitë mund të vlerësohet edhe si fitore, si ekip e klan politik apo klientelist, tenderash dhe koncesionesh e kontingjentit të qeveritarëve, politikanëve, ortakëve dhe sponsorëve të vjetër e të ri të Edi Ramës. Duke i njohur mirë politikanët shqiptarë të djeshëm dhe ndikimin e fortë të trashëgimisë së tyre tek të sotmit, shumëkujt mund t’i lindë parandjenja se, kur amerikanët vetë i kanë kujtuar dhe do të vazhdojnë t’i numërojnë Obamës jo vetëm gabimin dhe dështimin me Libinë, e pranuar botërisht nga ai vetë më 11 prill 2016, por edhe me Sirinë, Ukrainën, Rusinë, ISIS-in…, si dhe plot dështime të brendshme, ka të ngjarë që Edi Rama të mos ndjehet kaq fatlum, entuziast e krenar për takimin me të dhe ta fusë në një sirtar albumin e fotografive gjatë këtij takimi. Nga ana tjetër, shumica e qytetarëve të thjeshtë, pa çuar as ndërmend nënvlerësimin e mesazheve të reja për mbështetjen politike dhe gjeo-strategjike nga SHBA, kanë të drejtë të jenë më konkretë apo më pragmatistë, të bëjnë pyetjen apo llogarinë logjike e njerëzore: Çfarë fituam dhe do të fitojmë ne si qytetarë nga kjo vizitë? A iu premtua delegacionit të kryesuar nga kryeministri një paketë e madhe me ndihma financiare apo një bum investimesh nga kompani të mëdha industriale amerikane, për të na lehtësuar sado pak e sa më shpejt vuajtjet prej krizës ekonomiko-financiare, varfërisë e papunësisë masive? A na shtohen, qoftë edhe 4- 5 % apo 1. 000 lekë rrogat dhe pensionet qesharake? A na shtohen ushqimet në rafte, frigoriferë, tavolinat e ngrënies…? A na mundësohet të kursejmë pak më shumë, për të blerë një pajisje të re elektro-shtëpiake në vend të atyre të vjetruara? Apo për të shkuar qoftë edhe një javë në plazhet dhe llixhat e vendit ose për një fundjavë si turistë në Kosovë, Greqi, Maqedoni, Mal të Zi, Kroaci…?

 Është një fakt që nuk mund të harrohet shpejt e lehtë se peshën e rezultateve dhe të sukseseve faktike e të besueshme të vizitës dhe takimeve të tij në SHBA e ka ulur po vetë Edi Rama. Së pari, kur foli më shumë si zëdhënës i kundërshtarëve politikë të Donald Trampit, se sa si kryeministër i Shqipërisë. Dashur pa dashur, nga ekstazimi, euforia apo në shenjë mirënjohjeje dhe mbështetjeje edhe ndaj Xhorxh Sorosit, ai duhet t’i ketë çuditur shumë qytetarë amerikanë. Pas çudisë plot prej tyre mund të jenë shtyrë të pyesin njeri-tjetrin e të kërkojnë në harta dhe në wikipedia se “Ku ndodhet Shqipëria?” “Kush është ky Edi Rama, që guxon të gjykojë kandidatët në një betejë presidenciale të politikës amerikane, kur këtë nuk e kanë bërë kryetarë shtetesh dhe qeverish me peshë politike, ekonomike dhe financiare dhjetëra fish më të madhe se sa Shqipëria”? Së dyti, gjatë takimit me presidentin e Bankës Botërore Jim Yong Kim. Në një njoftim për median, kreu i BB citohet të jetë shprehur optimist për ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria Rama dhe rrugën e bashkëpunimit në rajon. “E vlerësoj shumë lidershipin tuaj, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin. Kjo është tejet impresionuese”, ka deklaruar Kim. Por, ky kishte “harruar” dhe Edi Ramës i interesonte të mbulonte realitetin shqiptar edhe me gjethe fiqsh amerikanë, se pak ditë më parë po nga Banka Botërore ishte publikuar një raport alarmant, sidomos për Shqipërinë dhe ne, qytetarët e saj, kuptohet duke përjashtuar klasën politike, ekipet qeverisëse në nivel qendror e lokal si dhe milionerët apo klientët e bankave të Panamasë, Qipros, Luksemburgut, Holandës, SHBA-së… 

Në raportin e këtij institucioni “Ribalancim për një rritje më të fortë”, publikuar më 8 prill 2016 theksohet se “ në Shqipëri, 45. 5 për qind e popullsisë jeton në kufirin e varfërisë me 5 dollarë në ditë. Gjithnjë sipas të dhënave të raportit në fjalë, “në Maqedoni vetëm 16. 4% e popullsisë jeton me 5 dollarë në ditë, në Serbi 14%, ndërsa në Malin e Zi 11. 1%… “. Po më 8 prill 2016 Banka Botërore, ndërsa kishte parashikuar një rritje 3% të ekonomisë shqiptare në fund të vitit 2016, në raportin e fundit bën një korrigjim të vetvetes, duke njoftuar se norma e rritjes do të ulet në kuotën e 2. 7%. Ndër të tjera, BB thekson se “norma e papunësisë mbetet shqetësuese dhe se gjysma e papunësisë është afatgjatë…”. Po në këtë raport njoftohet se borxhi i Shqipërisë, në 70%, është më i larti në Rajon. Pas 5 ditësh, më 13 prill 2016, ndërsa kryeministri dhe delegacioni i tij ishin në SHBA dhe lavdëroheshin për suksese të reformave, bizneset amerikane dhe ato gjermane lëshonin deklarata alarmante dhe shqetësuese. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Marc Crowford, në një intervistë për ABC News, më 13 prill u shpreh se shumica e bizneseve amerikane që kanë pasur dëshirë të investojnë dhe qëndrojnë në Shqipëri tani “janë të frikësuar kur dëgjojnë se kanadezët dhe amerikanët po ikin dhe se po mendojnë t’i transferojnë investimet në Kosovë, Maqedoni, etj”, në vende ku klima fiskale është ndjeshëm më e butë dhe korrupsioni jo kaq gjerësisht i përhapur dhe i pushtetshëm. Po më 13 prill 2016, Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë, DIHA, në një raport të saj, deklaron se “56% e bizneseve gjermane në Shqipëri vlerësojnë se ekonomia shqiptare është përkeqësuar. Shkak korrupsioni, administrata, transparenca e tenderëve…”. Në sinkron me këto detyrohet të shprehet edhe Banka e Shqipërisë. 

Më 16 prill 2016 BSH-ja njofton se tre mujori i parë i vitit 2016 ka treguar se besimi i konsumatorit ka shënuar rënie me 2. 5 pikë përqindje, pas përmirësimit të lehtë të shënuar në tremujorin e mëparshëm. Në tremujorin e parë të këtij viti, balanca e prodhimit ra me 8. 1 pikë përqindje, balanca e gjendjes financiare ra me 7. 7 pikë përqindje, dhe balanca e gjendjes së inventarëve u rrit me 6. 6 pikë përqindje. Mund të thuhet se dita e 13 prillit ka qenë e mbingarkuar me vlerësime negative për Shqipërinë nën qeverisjen Rama-Meta. Kështu, në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, DASH, publikuar po këtë ditë në “Zëri i Amerikës”, shkruhet e thuhet se “Problemet më të mëdha në Shqipëri janë korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë, por veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe të shërbimit shëndetësor, dhuna në familje dhe diskriminimi ndaj grave”. Natyrisht mund të vazhdohej me fakte dhe tregues të tjerë. Gjithsesi gjykoj se edhe këto që u dhanë janë të mjaftueshëm. Rrëshqitja e pandalshme e vendit në krizë e kolaps, thellimi dhe rëndimi i papunësisë, varfërisë, korrupsionit, kriminalitetit, emigracionit, sidomos në masën e moshave të reja, humbja e shpresës dhe e besimit për të ardhmen, prej të paktën 25 vitesh, na rendisin me “meritë” ndër të fundit në Evropë e rajon për shumicën e treguesve të zhvillimit ekonomik dhe të nivelit të jetesës. Megjithatë, kryeministri Edi Rama dhe plot tifozë të tij, sidomos pas “optimizmit dhe impresionimit” të presidentit të Bankës Botërore Jim Yong Kim “për ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria Rama” dhe disa vlerësimeve nga Presidenti Barack Obama dhe zëvendës presidenti Joe Biden, janë ndjerë se kanë kaluar nga “ferri” në “parajsë” gjatë ditëve të vizitës në SHBA. Por, në realitet, pas fasadave, pas komplekseve tejet luksoze të pallateve dhe vilave të banimit, të tregtisë, hoteleve, të turizmit, pas shesheve qendrore dhe këndeve të lojërave për fëmijë, përtej avujve të ekstazës, euforisë dhe sukseseve propagandistike, shumica e qytetarëve vazhdojnë të përjetojnë gjatë 365 ditëve të çdo viti varfëri afrikane apo vuajtje ferri në një vend me pasuri dhe resurse shumë të mëdha nën e mbitokësore, ujore, klimaterike, turistike, ekonomike… 
Sigal