Zaim KUÇI/Nacionalizmi ballkanik dhe ne shqiptarët

Shqipëria nuk është akoma gati dhe nuk e ka shansin për një bashkim kombëtar për shumë arsye

Sigal

Ballkani, ku ne jetojmë, duket se është futur në një spirale humbjeje, qoftë kjo ekonomike, por dhe në fushën e gjeopolitikës. Ajo që, ka mbetur përherë e pandryshueshme, është etja për nacionalizëm, jo në një shtet, por pothuajse tek të gjithë, pasojë e të cilës është projektimi i një gjeopolitike të re krizash, dhe se, në horizont shikohet një perspektive disi jo e qartë, madje dyshuese, me skenarë të hapur ndarje dhe të tjerë, që presin momentin dhe kohën e duhur, për të dalë në skenën e hapur të kontradiktave. Kjo rrokullisje do të vijojë nëse ”tutorët” europiane dhe amerikanë do t’i qëndrojnë larg atij. Janë këta skenarë që mbajnë peng këtë territor shtrirje, që shansi e dha të jetë në pjesën më të privilegjuar gjeografike të Europës. Në Ballkan vazhdon pengu i një të kaluare historike, ku përplaseshin fetë, qytetërimet dhe ideologjitë në dimensione që kalonin rajonin tonë dhe më tej në përmasat botërore. Për këtë arsye, territori i tij ka tërhequr gjithnjë fuqi globale e rajonale për të realizuar interesat dhe prej këndej, nga ku kërkojnë bazë nisje, për t’u zgjeruar në vende e rajone të tjera të botës.

* * *

Pa u ulur në vlerësimin e nacionalizmit ballkanik, për ne shqiptarët, nëse shohim rrugëtimin e historisë sonë, ajo është plagë e pambyllur dhe në se vazhdon kështu ajo do të vazhdojë të rrjedhë dhimbje. Të ndodhur në këtë realitet shqiptar, gjithkush me emër shqiptar, sadopak, ndjehet fajtor dhe kërkon, po sadopak, në mënyrën e vet të japë një kontribut për këtë padrejtësi nga katrahurat e Europës të asaj kohe. Fuqitë e mëdha, të frikësuara nga “Shqipëria e Madhe”, shfrytëzuan mjegullat politike dhe ushtarake, duke copëtuar nga trupi pjesët jetike. Pa dyshim, në këtë vlerësim anatomik etnik, Shqipëria është ajo që do të drejtojë varkën e “nacionalizmit” (me 7.5 milionë shqiptare) në ujërat e trazuara ballkanike, me shtete ku ndjehet pak mentaliteti europian. Duket se shqiptarët e kanë hedhur kartën e nacionalizmit, për shumë e shumë arsye, tashmë me kujdes në treg, prej të cilës me optimizëm presin zgjidhjen e saj. Normalisht shtrohet pyetja, përse duhet të heshtim para një të vërtete historike, ku gjenocidet kundër shqiptarëve janë të shumta dhe për më keq, janë fare të freskëta? Themi e rithemi, se jemi një komb i copëtuar në pesë shtete. Të gjithë kemi bindje, ide dhe dëshira kombëtare, që prej rilindësve tanë për krijimin Shqipërisë etnike dhe deri në ditët, që sot, ato po lulëzojnë në çdo cep të kësaj harte rilindëse. Edhe strategët ushtarakë vlerësojnë ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si dhe pjesët e tjera shqiptare të Maqedonisë, të Malit të Zi, Kosovën Lindore (Luginën e Preshevës) dhe Çamërinë, si një shtet më i fuqishëm shqiptar në rajon, ekonomikisht dhe ushtarakisht etj., në fjalë të tjera, një forcë gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan. Si ushtarak, në se e shohim në aspektin teorik, lëvizjet mbi nevojën e frymës kombëtare, nuk është veçse një iniciativë që hap rrugë për të krijuar vizionin e munguar strategjik për të ardhmen, i cili do të zhvillohet domosdoshmërish nga politikanët, të diturit dhe të urtit, për të fituar padrejtësitë ndaj nesh.

* * *

Për sa më lart, për çështjet ballkanike dhe ato shqiptare, do ta kërkoja zgjidhjen e tyre në vizionin e shkrimtarit Viktor Hygo, në vitin 1870, kohë kur ai hodhi idenë për një “Europë të bashkuar”. Përballë kërcënimit për luftëra të asaj kohe, shkrimtari do të hidhte idenë: “… do të vijë dita kur ti Francë, ti Rusi, ti Angli, ju të gjithë kombet e Kontinentit, pa mbaruar dallimet dhe individualitetet tuaja të shkëlqyera do të shkriheni në një unitet më të afërt dhe më të lartë; ju do të formoni vëllazërinë Europiane… Do të vijë dita kur dy grupimet e mëdha përballë me njëri–tjetrin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtetet e Bashkuara të Evropës do të bashkojnë duart përmes deteve, duke shkëmbyer mallrat, tregtinë,industrinë e tyre, artet e tyre, gjenialitetin e tyre, duke rikrijuar botën, duke kolonizuar shkretëtirat, duke përmirësuar krijimin e të madhit zot” (J.B.Durosselle, “Kongress of Paris, 1849”, faqe 324). Së bashku me këtë ëndërr, diku 140 vjet më parë, ai mbolli një pemë e cila është akoma edhe sot, si një shpresë të realizueshme për vendet evropiane. Ishte një vizion afatgjatë në format romantik, i cili hodhi për të parën herë konceptin “Europë e bashkuar”, për të cilën hedh një paralele vlerësimi edhe pse nuk jemi në kohë . Në të janë analizuar shkaqet e krizave, konflikteve, luftërave europiane, për më tepër është kuadruar shovinizmi dhe nacionalizmi, është dhënë vizioni për europianizimin dhe euroatlantizmin, koncepte që lindën dhe u zhvilluan një shekull më vonë. Dhe më pas do të ishte po francezi Zhan Mone (Jean Monnet) vijuesi i projektit për një Europë të bashkuar, shumë kohë më vonë ai është shprehur se, nëse do t’i duhet ta riniste vizionin për bashkim, ai do ta fillonte projektin duke i dhënë prioritet më shumë kulturës se sa ekonomisë. Sipas meje, ajo që i mungon Ballkanit sot, më shumë për t’u bashkuar, është kultura. Është kjo forcë që bashkon popujt dhe shtetet dhe se, që të fitohet ajo duhet shumë e shumë vite të tjera, që, do të duhet një tjetër Zhan Mone ballkanas, që të hedhë projektin pa kufij edhe për Ballkanin. Personalisht i përkas asaj kategorie shqiptare që të mirën e vendit tim nuk e gjej në thjesht dëshira letrash, deklarata, fjalime të liderëve apo në elozhet nacionaliste, por në atë si duhet bërë më mirë, që natyrshëm të integrohemi së bashku në familjen europiane. Nuk mund të bashkohen shqiptarët me slogane, aq më keq me ato që kanë prapaskenë elektorale. Tashmë në tavolinën mbarë shqiptare janë hedhur disa iniciativa për zgjidhje si: Bashkimi kombëtar shqiptar; Rezoluta e Çamërisë; Ligji për Shtetësinë shqiptare dhe për Paktin Kombëtar të Integrimit. Këto janë dosje që presin studime për zgjidhje në rishikimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. Për të fituar këto çështje madhore kombëtare, na duhet një dosje e “qepur” mirë, me një gjithëpërfshirje, duke na afruar avantazhet dhe disavantazhet në interes të sigurisë dhe mbrojtjes. Do të kërkoja zgjidhjen e këtyre çështjeve madhore kombëtare tek mendimi i kualifikuar i organizmave që kanë kapacitetet formuese dhe përgjegjësinë e deklarimit të çështjeve për sigurinë. Tashmë janë jo pak institute të mendimit ekonomik, të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe jo pak universitete elitare me staf akademik të formuar dhe, shumë e shumë  intelektualë, diplomatë, analistë, specialistë dhe profesionistë, që duhet të hedhin së bashku vizione, projekte apo programe parashikuese ndaj një shumëllojshmërie të gjerë rrethanash afatgjatë në largësi strategjike mbarë kombëtare. Këtu fillon projekti i këtyre çështjeve që sot vërtiten në fjalime politikanësh. Këto çështje, absolutisht, janë objekt i një studimi mbarë kombëtarë që do të thotë, ato duhet të jenë pjesë e punës studimore të dokumenteve themelore të shtetit shqiptar  “strategjia e sigurisë kombëtare” dhe më pas “strategjia ushtarake”. Është e rëndësishme që këto iniciativa duhet të jenë çështje madhore të diplomacisë shqiptare. Për të thjeshtëzuar e qartësuar atë çka duhet bërë nga ne shqiptarët, rolin e institucioneve të larta të shtetit dhe atë të partive politike, për problemet madhore të cilat rrokin interesat strategjike të vendit, po sjell si shembull rrugëtim francez për të miratuar dokumentin “Libri i bardhë”. Me dekret të Presidentit te Republikës, bazuar në raportin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, gusht 2007 u krijua  grupi i punës me personalitete të lartë të shtetit dhe të jetës franceze. Komisioni pluralist, me personalitete të të gjitha disiplinave dhe horizonteve profesionale dhe ato politike, përfshi dhe partitë politike, opozitare, sindikalistë e filozofë prezantoi punën e tij në komisione parlamentare dhe më pas dokumenti kaloi në parlamentin francez. E vlerësoj të nevojshme njohjen e kësaj praktikë, si një eksperiencë frutdhënëse në ndërtimin e një shteti që alternon të përbashkëta koncepte dhe objektiva strategjike me ato të një rajoni dhe Europe të bashkuar, ku secili shtet anëtar/apo gjeografik ka vend dhe sadopak rol të vetin.

* * *

Strategët, analistët dhe specialistët e fushave të ndryshme do t’u duhet të analizojnë dhe të japin zgjidhje disa elementë që influencojnë direkt mbi sigurinë e Republikës së Shqipërisë. A do të kemi mosmarrëveshje me vendet me të cilat Shqipërinë e lidhin interesa strategjike për sot e për nesër? Teza për bashkim kombëtar nuk u prit mirë edhe nga aleati strategjik i Republikës së Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët reaguan me nota jo miqësore kundër kësaj teze: “Jo frymës nacionaliste në Shqipëri, nuk mbështesim ndryshim kufijsh”. Duhet gjetur formati i duhur dhe për t’u shprehur për Kosovën pasi, Europa vlerëson se Kosova e ka zgjidhur problemin e Pavarësisë. A do të kemi acarim të Marrëdhënieve të Shqipërisë me Rajonin ku janë hedhur disa  projekte të BE-së? (Projekti “Ballkani në të Ardhmen e Europës”). Duhet vlerësuar seriozisht emigracioni masiv i pas viteve 90-të.  Vetëm në dy shtete fqinjë janë 1.3 milionë shqiptarë, dhe mijëra të tjerë në vendet e tjera. Jam i mendimit që, para se të hidheshin këto ide, që vërtet janë madhore për Republikën e Shqipërisë, do të duhej një parapërgatitje dhe më pas prezantim para publikut shqiptar “Dosja”. Bashkimi kombëtar të jetë pjesë e strategjisë evropiane. Europa sot nuk është më ajo e viteve të fillimit të shekullit 19 dhe 20-të, por një Europë që jeton në kohën e globalizmit. Kufijtë janë dhe mbeten vija imagjinare…në se jemi të bashkuar. Ndoshta RSH do t’i duhet të fillojë bashkimin e shqiptarëve me një plan (testi) riatdhesimi të emigrantëve të kohës të para luftës dhe atë masiv pas viteve 90 të, në se ka kapacitete pritëse për ta. Dihet tashme që emigracioni shqiptar paraqitet si një nga vendet me tregues më të lartë në botë. Nuk mund të kemi komb të konsoliduar kur ne shqiptarët (banorë brenda kufirit të 1913) nuk duam të punojmë e kontribuojmë në vendin tonë, por endemi dhe si « endacakë » në botën e punës evropiane, kjo për faktin se ata nuk gjejnë mundësi, strehë për jetesë brenda kufijve tanë. Për mendimin tim, do të thosha se Republika e Shqipërisë nuk është akoma gati dhe nuk e ka shansin për një bashkim kombëtar për shumë e shumë arsye, le të jetë kjo një e drejtë shpirtërore, një propagandë, një ideal  i natyrshëm shqiptar. Le të mbetet një çështje për planifikim afagjatë të bashkimit kombëtar. Shpresoj dhe uroj që Kombi shqiptar të bashkohet në Bruksel, në se do të punojmë së bashku. Ne shqiptarët, për t’u bashkuar, më shumë jemi penguar nga çështjet e brendshme, midis nesh se sa ato të faktorit të jashtëm.