Vatranët e Usterit sjellin “Zërin e Amerikës” përmes krijimtarisë në gazetari dhe kujtimet e Frank Shkrelit

764
Nga Ardian MURRAJ
Pasditen e 26 Marsit Zhani Lito (kryetari i degës së “Vatrës”- Uster), shprehu mirëseardhjen për z. Frank Shkreli dhe bashkëshorten e tij Viktoria dhe paraqiti një përmbledhje të jetës dhe veprimtarisë, ndërsa njohjen e rreth 30 pjesëmarrësve dhe mysafireve e paraqiti Frankli Zdruli. Shtysë për këtë veprimtari u bë njohja dhe nënshkrimi për lexuesit i botimit para pak kohësh të librit “Demokracia nuk Pret” (përmbledhje shkrimesh për vitet 2014-2015), ku të pranishmit diskutuan anë të ndryshme të historisë dhe aktualitetin e zhvillimeve shqiptare. 
Në fjalën e tij Frank Shkreli çmoi ftesën e bashkatdhetarëve të Usterit duke e cilësuar atë si një nga bashkësitë më të vjetra dhe ndër të mëdhatë në SHBA. Edhe pse larg nga Usteri ( Uashingtoni dhe Nju Jorku ku ai ka jetuar dhe punuar), kjo shënon vizitën e parë tek ky vend që jetohet nga shqiptarë dhe që ka qenë tepër i njohur në lidhjet personale dhe profesionale me njërin prej kolegëve të hershëm të tij në “Zërin e Amerikës”, si Ilia Louis Prifti njëkohësisht pjesë e kësaj bashkësie shqiptarësh dhe Kishës së Shën Marisë. Shkreli u ndal në njohjen me “Zërin e Amerikës”, pasi për 34 vjet ai punoi në të (madje rritur aty). Koha kur ai filloi si gazetar ishte se gjeti ish-luftëtarë të Luftës II Botërore si Louis Prifti, epoka kundër komunizmit ndërkombëtar dhe ku llogorja mbrohej tashmë, jo me plumba dhe bomba, por me fjalën e lirë dhe thënien e së vërtetës. Frank Shkreli kujton se transmetimi i së vërtetës është kryefjala dhe misioni i “Zëri të Amerikës”. Presidenti J. F. Kenedi, në 20-vjetorin e “Zërit të Amerikës” u shpreh se ai mban mbi supe një përgjegjësi të madhe, barra e së vërtetës nuk është e lehtë për t’u mbajtur mbi shpatulla. E vërteta duhet t’i shpjegohet një bote sa kurioze aq edhe të dyshimtë”. 
Ka qenë një nder i madh dhe privilegj për t’i shërbyer së vërtetës në një vend si SHBA, që u bë atdheu i dytë, na priti dhe na dha mundësinë për t’i shërbyer atdheut të të parëve tanë dhe forcimit të lidhjes mes dy vendeve tona mike. Në historitë e viteve të para, 1974 kur fillova punë tregon Shkreli, ishim vetëm pesë veta dhe ata me moshë nga 62-65 vjeçar, ndërsa unë, vetëm 24 vjeç. “Zëri i Amerikës” ka vuajtur për gazetarët profesionistë, por kjo nuk ishte me e keqja,…pas një dite të ngjeshur pune dhe dhënies së transmetimit, ne nuk dinim se sa ishim dëgjuar, për shkak të izolimit dhe të largësisë… Shembja e murit të Berlinit solli dhe fillimin e ndryshimit të gjerave në Shqipëri. Në Mars të 1991, Shqipëria dhe SHBA rivendosën marrëdhëniet diplomatike ku unë isha pjesë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Elez Biberaj ishte në përbërje të Kongresit Amerikan, atëherë ne pamë për të parën herë, jo vetëm që kishim pasur një dëgjueshmëri të madhe dhe të rregullt, por vumë re se “Zëri i Amerikës” në shqip mund të kishte pasur edhe dëgjuesin më të madh në numër krahasuar me shërbimin në gjuhët e tjera. Përveç misionit për lajmin e balancuar dhe gjithëpërfshirës, si mision “Zëri i Amerikës” në një gjuhë si shqipja dhe një vend si Shqipëria i izoluar dhe i censuruar, ne ishim të vetëdijshëm se Liria duhej të mbrohej çdo ditë (citon presidentin Ronald Rregan), pasi po të mos mbrohej ajo do të zhdukej pas një gjenerate. “Për Lirinë, duhet të luftohet, Liria duhet të mbrohet çdo ditë dhe t’u dorëzohet brezave të ardhshëm për ta mbrojtur. Detyra e parë e çdo qeverie është mbrojtja e popullit dhe e qytetareve dhe jo të shkatërrojë jetën e tyre. Jemi ne populli që i diktojmë qeverisë se ç’duhet të bëjë dhe jo anasjelltas. Ne populli jemi shoferi dhe jo qeveria. Qeveria është vetura dhe ne vendosim në ç’drejtim duhet të shkojë ajo, cilën rrugë duhet të ndjekë dhe me çfarë shpejtësie.” Veç lajmeve për lirinë dhe demokracinë në SHBA dhe në botë “Zëri i Amerikës”, shërbente njëkohësisht edhe si një urë midis dy kombeve, si një ambasadë shqiptare ku shpesh njerëzit drejtoheshin për informacion, pra që nga qeveria, kongresi, akademikët apo njerëzit e thjeshtë. Prandaj të gjithë presidentët kishin një respekt shumë të madh për “Zërin e Amerikës”, e vizitonin rregullisht dhe sidomos gjatë Luftës së Ftohtë. Xhimi Karter thoshte se “Zëri i Amerikës” është burim inkurajimi për breza të tërë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Xhorh Bush (43), thoshte se “Zëri i Amerikës” i është përgjigjur dëshirës së çdo zemre të njeriut për të jetuar në liri. Në vitet e fundit ndryshimet kanë sjellë përmirësimin profesional dhe teknologjia ka diktuar horizonte të reja.(Fillimi i “Zërit të Amerikës” në shqip ishte më 13 maj 1943, valët e shkurtra në radio për disa dhjetëvjeçarë, pranvera e 90-të solli lidhjet e para telefonike dhe intervistat e para, viti 1999 shënon formatin e ri në video, “Ditari” dhe tani larmia e shpërndarjes në internet. Raporti i fundit tregon se “Zëri i Amerikës” ka ndikimin më të madh në krahasim me çdo media tjetër në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, dhe kudo ku jetojnë shqiptarë. Pra në 75 vjet është mirinformimi i tyre, ndryshe nga mediat në Shqipëri dhe Kosovë ku entet ndërkombëtare si “Freedom House” e cilësojnë si gjysmë të lirë dhe të ndikuar nga subjektet politike dhe interesa të tjera. Në lidhje me këto libri përmbledh shkrime me tema të larmishme si liria e shtypit, fjala e lirë, krimet e komunizmit, dështimi i Shqipërisë post komuniste, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, roli i diasporës, personalitetet e njohura por të harruara, politika e SHBA-së në përgjithësi dhe ajo e ndërkombëtarëve ndaj kombit shqiptar përfshirë vlerat e drejtësisë dhe lirisë. Në vijim takimi u zgjerua në diskutime ku folën Thanas Gjika, mbi vlerat e librit kryesisht nën qartësinë e autorit kur shkruan dhe analizon me frymë, sa reale, aq dhe ndërtuese, duke u shprehur se “shpresa vdes e fundit!”, rrëfimet mbi dëgjimin në radio të “Zërit të Amerikës” në vitet e diktaturës, historitë e dhimbjes nga persekutimi i familjeve Mihallaq e Efi Qeleshi dhe Qemal e Mukades Biçoku. Pyetjet u përqendruan kryesisht në mënyrën e qeverisjes dhe politikës shqiptare, ndikimin ndërkombëtar në rajon, çfarë i duhet tani opozitës, drejtuesve të brezit të ri, etj. Në fund të takimit autori Frank Shkreli, nënshkroi për lexuesit dhe këtu mësuam se vetëm 10% e shkrimeve të tij janë në këtë libër, për të cilin ndihmuan botuesit e gazetës: “Telegraf”, Ëngjëll Musai dhe Klaus Çiraku. Ato përbëjnë pjesën e parë të librit “Demokracia nuk Pret ” me autor Frank Shkrelin dhe të tjera përzgjedhje besojmë se do të pasojnë në të ardhmen e afërt.
voal.ch
Sigal