‘Teatri me dramën e njerëzve, më i pështirë se dhimbja e goditjeve nga fatkeqësia’

432

Nga Bujar Nishani

Fatkeqësia që ju ra shqiptarëve ne këtë fundviti na tregoi po aq hapur sa egërsia e saj edhe papërgjegjshmërinë, paaftësinë e deri cinizmin e narcizmit antihuman të atij që me tepsinë në dorë ju lut shqiptarëve t’i besonin atij dhe vetëm atij jetën, pronën, sigurinë, qetësinë e ndihmesën në rast nevoje.

Se sa të përmirësuar e kanë jetën e tyre, se sa shumë e kanë zhvilluar apo shtuar pronën e tyre, se sa shumë e kanë shijuar e gëzuar qetësinë, se sa shumë e kanë ndier sigurinë e tyre shqiptarët në këto shtatë vite të qeverisjes së tepsisë, tashmë e dimë shumë mirë.

Ajo që e shtoi edhe më shumë dëshpërimin tek shpresa e humbur ishte dështimi me pasoja kriminale për ti ndihmuar e kursyer më të keqen kur vetë e keqja ju ra mbi kurriz.

Tani kemi dëgjuar publikisht nga zëri i më fatkeqëve, i dëshmitarëve të gjallë nga shumica e familjeve që u shuan nën rrënoja se pothuajse të gjitha banesat e tyre ishin bërë të pabanueshme dhe në rrezik të plotë kolapsi që prej tërmetit të parë në shtator.

Papërgjegjshmëria e pronarit të tepsisë ceku të paimagjinueshmen.

Teksa konsumonte orë të tëra në ekranet e propagandës helmuese duke sharë, kërcënuar e perqeshur gjithkënd, nuk gjeti dot as edhe një minutë të vetme të ngrinte në alarm të gjithë shtetin që e ka rrasur në xhepin e tij narcist e ti largonte ato viktima të mundshme, nga kolapsi i mundshëm i banesave të tyre, nga tragjedia e mundshme, nga goditja e marrë në shtator.

Ajo e mundshmja, fatkeqësisht ndodhi dhe u kthye në të vërtetë.

Jetët e 51 shqiptarëve të mirë u shuan përgjithmonë.

Pas kësaj tragjedie që na pllakosi, pamë se nuk kishim forca njerëzore, mjete të duhura, para mënjanë, të ngrinim një dallgë të madhe pune shpëtimi e solidariteti.

Një qeveri nuk kishte mekanizmin as të një kompanie emergjencash të Kosovës, shtetit më të ri në Evropë.

Morali kishte tjetër formë.

Në vend të fjalës së urtë dhe njerëzore zgjodhi të kërcënojë hapur e publikisht këdo që pipëtinte duke e shpallur veten ‘sulltan’ me urdhër qeverie !

Zgjodhi të burgosë e dhunojë gazetarë e media në vend të angazhimit publik të specialistëve, psikologëve dhe akademikëve, që të shpjegonin gjithçka e të sqaronin e përgënjeshtronin çdo mashtrim e panik që mund të përhapej.

Zgjodhi dhunën në vend të komunikimit njerëzor e të besueshëm.

Zgjodhi karagjozllëkun me dordolecët që ka vënë në qeveri apo në bashki, në vend te përunjes dhe urtësisë së dëgjimit e veprimit.

Kryetari i opozitës i thotë ; ‘ja ku i ke 500 inxhinierë, angazhoi në lehtësimin e hallit’…

Kryeministri tallet e hedh romuze nga kolltukët e ngrohtë të qeverisë ‘pse 500 e jo 600’, bënte qyfyre kur shiu e rrebeshi rrëshqiste mbi qafën e shqiptarëve në tendat mjerane të dhjetorit.

Shqiptarët në tmerr e hall, ky luan kungulleshkash.

Po mirë more, që s’ka fjalë fjalori të shpikur ende për gradën e papërgjegjshmërisë tënde, në daç bëj 600 e në daç 700 po munde, kush është kundër, por opozita po të kujton e ofron me seriozitet resurset që ajo ka identifikuar dhe u ka kërkuar të angazhohen.

Kryetari i opozitës i propozon të ndalohet dhënia e parave të shtetit koncensioneve të oligarkëve, çka është jo thjesht logjike por kushtetuese.

Në rastet e fatkeqësive madhore financat e shtetit drejtohen tek përballimi i fatkeqësisë më përpara se sa tek thesi oligarkëve të korruptuar.

Kryeministrit të vendit i qeshet nga kjo ofertë e opozitës !!

Natyrisht që nuk mund të ndodhë ndryshe kur qytetari nuk konsiderohet dhe trajtohet si detyrë për ti shërbyer por si buratin që mund ta mbash në dollap por edhe mund ta hedhësh në kosh.

Varet nga humori që mund ti krijojë druvarit.

Ajo që kemi kuptuar nga babëzia e 12 viteve në krye të ngritjes së xhunglës së betonit në Tiranë, ajo që pamë pas tërmetit të 21 shtatorit, ajo që përjetuam nën traumën e jetës, shtëpive dhe psikozës së kolapsuar pas natës së 26 nëntorit, na bën të projektojmë fare mirë se çdo të mund të presim në kohën që vjen !

Tërmeti është forcë madhore, mbinjerëzore, por kaosi, anarkia, paaftësia dhe korrupsioni janë tmerri që zgjatet pa fund nga njeriu i papërgjegjshëm.

Nën këtë papërgjegjshmëri, teatri me dramën e njerëzve është më i pështirë se dhimbja e goditjeve nga fatkeqësia.