Sokol Olldashi:Rrugët drejt Shqipërisë Europiane

40

* ministër i Transporteve

Çdo kush në këtë vend e di që Partia Demokratike ka ndërtuar rrugë, shumë rrugë, rrugë lokale, rrugë kombëtare , rrugë rurale. Më shumë së 10 mijë kilometra që lidhin qytetet, qytetet me qendrat e komunave dhe komunat me fshatrat. Ne i kemi ndërtuar këto, sepse ne besojmë tek rrugët. Ne besojmë se rrugët, qofshin autostrada apo rrugë lokale, përmirësojnë jetën e njerëzve, shkurtojnë distancat, kursejnë kohë, krijojnë mundësi për të hapur një biznes, për të gjetur një punë, për të transportuar prodhimin në tregje brenda apo jashtë Shqipërisë. Prandaj, ne ndërtojmë rrugë. Sepse e dimë që rrugët janë çelësi për një vend të zhvilluar, janë damarët që të bëjnë të mundur zhvillimin ekonomik. Thënë thjesht, zhvillimi dhe rrugët janë e njëjta gjë. Ndërkohë, ka ca të tjerë, që kanë humbur rrugën, janë në autobus duke dremitur në marrëzinë e tyre. Nuk na duhen. Sepse, rezultatet tona flasin vete. Ne mund të rrimë ditë me radhë dhe të numërojmë mbi 2,500 projekte rrugore, ne mund të rrimë me ditë me radhë dhe të masim mbi 10 mijë e 400 kilometra rrugë që kemi ndërtuar. Por, kjo është e panevojshme, sepse shqiptarët e dinë se sa kemi punuar, ndërsa ata që janë në autobus, do të shtrëngonin edhe më keq sytë për të mos parë atë që ka kohë që ju prish gjumin. Për të shkuar nga Tirana në Kukës duheshin 7 orë, tani shkohet për 90 minuta dhe për dy orë e gjysmë je në qendër të Prishtinës. Në këtë rrugë kalon Edi Kokëdhima, por nuk do ta shohë.  Për të sjellë bulmet nga Labëria, nga Tepelena apo Gjirokastra në Tiranë, më parë duheshin 4 orë, tani për më pak se dy orë mbërrin në qendër të kryeqytetit. Në këtë rrugë kalon bulmeti, kalon edhe Edi Kokëdhima, por nuk do ta shohë. Për të çuar produktet bujqësore të Myzeqesë në Tiranë duheshin dy orë e gjysmë, për t’i çuar në Vlorë, duhej më shumë se një orë. Sot, nga Fieri në Tiranë duhen vetëm 70 minuta, ndërsa nga Levani në Vlorë, vetëm 12 minuta. Në këtë rrugë kalojnë perimet edhe Edi Kokëdhima, por nuk do ta shohë. Tani duhet një orë e 20 minuta për të shkuar nga Tirana në Elbasan dhe nuk duhet t’i flasësh vërtetë shoferit. Duhen dy orë e gjysmë për të sjellë një kamion me hekur, sepse duhet ti biesh nga Durrësi. Brenda pak javësh, do të duhen vetëm 15 minuta dhe madje gjatë udhëtimit, edhe mund t`i flitet Koços, sepse autostrada e re është thjesht një vijë e drejtë. Për të shkuar në plazhet e mrekullueshme të Jonit, pak kohë më parë, duhej një ditë e tërë. Ne e rindërtuam rrugën e bregut, nga Vlora në Sarandë dhe sot, nga Tirana në Sarandë duhen vetëm 3 orë. Rruga është aty, por Edi Kokëdhima nuk do të shkojë dot. Për të shijuar alpet e magjishme të veriut, pak kohë më parë, as që bëhej fjalë. Duhej një ditë e gjysmë. Sot, në vetëm 3 orë, mund të jesh në Valbonë. Bjeshkët sot, kanë mbetur të Namuna vetëm për Edi Kokëdhimën. Shqiptarët po i quajnë Bjeshkët e Bekuara. Për të sjellë produktet e mrekullueshme të fushës së Korçës në Tiranë, pak kohë më parë duheshin 4 orë e gjysmë. Sot, vetëm 2 orë. Për të dalë nga Tirana, në një nga akset që çon në Veri, Perëndim, Lindje apo Jug, duheshin 30 minuta. Ne po ndërtojmë unazën e madhe të kryeqytetit për t’i dhënë shpejtësi dhe lirshmëri lëvizjes së qendrës më të madhe urbane dhe ekonomike të vendit. Ende nuk ka përfunduar. Kemi arritur shumë, por e dimë se kemi ende shumë për të bërë. Rruga është zhvillim! Këto janë rrugët drejt Shqipërisë së zhvilluar. Këto janë rrugët drejt Shqipërisë Europiane.