Shpëtimi nga deliri

672
Sigal

Do të ishte mirë që të gaboheshim dhe të mos kishim motive për të shkruar një “memorandum” qetësimi e ndërgjegjësimi për veten, për vendin tonë, për qeverinë që e drejton atë, për shtetin që (nganjëherë) nuk dihet se ku është. Por, ka shumë argumente që nuk na inkurajojnë të heshtim e të bëjmë sikur nuk ndodh asgjë, sikur jemi në rregull, jemi të parët, të dytët, po përparojmë, po bëjmë çudira(!) Ky delir anakronik, këto mburrje të papranueshme për një vend normal, kohët e fundit kanë filluar të kombinohen me ca rivështrime në histori, prej nga del pothuaj se ne shqiptarët jemi “kërthiza e botës”. Këtu ka një gjë që nuk shkon. Ideja është që nuk po dimë ku jemi e ç’po themi, pra lipset të ulemi me këmbë në tokë. Ndërkohë që është e dukshme se lipset të punojmë për të përmirësuar imazhin e vendit, imazhin tonë, një paraqitje me ngjyrime delirante dhe me hipokrizi i Shqipërisë dje dhe sot, nuk i hyn në punë askujt. Madje, duhet thënë se na prish punë.

Le t’ia presim vrullin çdolloj nihilisti e nostalgjiku, duhet të jemi të një mendjeje për disa arritje në kushtet e pluralizmit politik dhe të ekonomisë së tregut, por ndërkohë duhet të shohim në sy hallet e rënda dhe të vërteta të vendit. Në të kundërt, i bëjmë qejfin vetes dhe i hedhim hi syve njëri-tjetrit e partnerëve, duke luajtur rrezikshëm me të ardhmen. Po e themi që në fillim, prirja për ditirambe na ka shoqëruar jetë e mot e, më së fundi, ka ardhur koha të ndalemi njëherë e të flasim shkoqur. Ka ndodhur shpeshherë në historinë e këtij vendi që të inkurajohet njëlloj megalomanie e vetëmburrjeje, një demagogji e maksimizimit të vlerave (që jo gjithnjë janë). Të rivështrosh historinë, nuk do të thotë të gjesh detaje me të cilat mund të mbulosh mangësitë e thellë në atë çke trashëguar. Nëse nuk arrijmë të kemi një pamje reale të së shkuarës, nuk mund të ndërtojmë si duhet të nesërmen, por do të vazhdojmë të vetëmburremi e t’i bëjmë qejfin vetes, pa shkak ose thjesht për interes të ndonjë klani në pushtet, që shpreson se mund të shtyhet pafundësisht me festivitet dhe delirancë.

Ndërkohë që duhet të rigjejmë veten dhe raportet me të tjerët, më së pari në histori, ne ia kemi filluar me disa spekulime pa precedent, duke kërkuar nga periudhat e hershme të vendit një lavdi e mbase zhvillim të paqenë, madje duke shtyrë e sulmuar fqinjët dhe trashëgiminë e tyre, a thua na e kanë ata fajin pse mbetemi gjithnjë prapa të tjerëve; njëlloj megalomanie që nuk e dimë ku mund të na çojë. Këtej, disa gjoja studiues kalojnë me rrëmbim shekuj të tërë duke ngritur ditirambe për një histori e kulturë modeste, jo më e plotë dhe (sidomos) më e dokumentuar se ajo e fqinjëve. Nga ana tjetër, dëgjon drejtues të qeverisë shqiptare, veçmas kryeministrin euforik Sali Berisha të flasin për përparime të papara (domethënë që s’po i shohim?) dhe për renditje në vendin e parë e të dytë, njësoj siç bëhej dikur; (po i kujtoj lexuesit të nderuar vetëm atë çmimin që mori Shqipëria dikur për ushqimin…)

Le të përmbahemi dhe të kuptojmë se nuk duhet të biem në lojën e klaneve. Jemi mburrur pa fund gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare (edhe pse synohej njëlloj zgjimi, kur më në fund të gjithë, me përjashtim të Shqipërisë, i kishin ikur sundimit osman).  U mburrëm 45 vjet të rendit komunist se ishim “kështjellë e pamposhtur në brigjet e Adriatikut” dhe ushqeheshim me tallon. Në dramën e firmave rentiere, u deklarua: “Paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë!” Dhe e pamë të gjithë se ç’mund të fitohej nga ajo lloj megalomanie (që edhe sot vazhdon). E pamë të gjithë se ç’ndodhi me ato para të (pa)pastra. Askush, asnjëherë, nuk i numëroi viktimat dhe dëmet e pallogaritshme njerëzore e shtetërore; askush dhe asnjëherë nuk u përgjigj për atë tragjedi. Në një vend me rregulla dhe me kulturë të madhe, nuk ndodh këso.

Lexoja këto ditë një libër të një gjuhëtari britanik, (W.F.Bolton “A short history of literary English”); autori, pa kurrfarë kompleksi, tregonte se si ka rrjedhur anglishtja nga disa të folme  lokale gjermane. Nuk do të bënte dobi të zgjeronim argument, por e përmendim këtë fakt thjesht për të kuptuar nevojën e transparencës në trajtimin e disa temave delikate. Çfarë ndodh realisht? Nga njëra anë i thurim vetes ditirambe, nga ana tjetër nuk përkujtojmë përvjetorë të rëndësishëm të institucioneve dhe trashëgimisë reale të vendit, (rasti i Kinostudios apo i njerëzve të nderuar të letrave si Ndre Mjeda, Migjeni). Këto “harresa” ndodhin vetëm në vende të prapambetura, në vende pa rregulla, ku klanet e kanë mendjen te “llogaritë” e tyre të çastit dhe shteti vetë është si ndonjë udhëtar i rastësishëm, të ulem këtu, të pi ujë atje, por ndoshta edhe jo…Nëse ka disa gjëra që nuk shkojnë, për fat të keq jo vetëm në përçartjet e disa shkruesve mediokër, është vetëdija e mburrjes. Nuk mund të sillemi ne sot si qytetarë të një shteti modern, demokratik, edhe pse na duhet të shtiremi pak, ngase kemi përpara edhe një përvjetor të rëndësishëm, (që disa klane do ta pompojnë për t’iu “bashkuar” me sa të mundin historisë).

Aktualisht, ne jemi një shoqëri me probleme të mëdha të karakterit qytetar, për vetë rrethanat; (lëvizjet drejt qyteteve e Tiranës sipas interesave dhe stilit komunist, më pas kaosi i lëvizjeve demografike në fillim të viteve ‘90). Nuk e kam për stil të bëj krahasime me vende më të zhvilluara, por thjesht duhen kujtuar disa hollësi. Në Europë nuk tolerohen ndërtimet pa lejë. Në Kanada, në disa zona të Vankuverit, oqeani apo brigjet e thyera e plot ujdhesa, janë të lira e të virgjëra. Ka edhe atje shumë njerëz që jetojnë në kushte jo të mira dhe që kanë nevojë për më tepër. Por, askush nuk i sulet pronës së tjetrit, askush nuk i sulet bregdetit dhe hajde të bëj një kioskë këtu e një njëzet katësh atje, si në mall pa zot. Vetëm një vend i prapambetur dhe me qeveri klanore mund të lejojë anarkinë, sepse është më e lehtë për të vjedhur dhe për të humbur gjurmët. Kjo është historia jonë, së paku ajo e këtyre njëzet viteve të fundit, (me pak arritje); pra, s’ka shumë për t’u mburrur.

Duhet të jemi me këmbë në tokë, nëse duam që brezat e ardhshëm të mos vënë duart në kokë e të thonë: “Barbarët kanë qenë këtu?” Kjo për disa shkaqe. Bie fjala, për shkak të afërsisë dhe largësisë nga Europa dhe BE. Hymë në NATO me “mik”. Kjo s’mund të përsëritet për BE-në (pavarësisht se ç’po ndodh atje). Po ndërtojmë një shtet në dukje demokratik, por në realitet autoritarist. Mungon siguria në vend dhe nuk luftohen si duhet krimi e korrupsioni. Kemi humbur sensin e shkollimit real, sidomos përsa i takon arsimit të lartë, që është bërë tashmë një histori qesharake; nuk ka mbetur bari e militant partie pa universitet e master. Më tej, e kemi bërë vendin tonë dhe veçmas kryeqytetin ekologjikisht të pajetueshëm. (Nëse jo, sa gjelbërim për kokë na takon dhe ku është?) Gjelbërimin, kërkesat minimale ekologjike dhe jetën në kushte normale, nuk e bëjnë dogmat dhe vetëmburrjet, megalomania e hipokrizia.

Më në fund, jemi në djepin e njëlloj zhvillimi me hope dhe pa parime. Historia, ekonomia dhe kultura nuk krijohen dhe nuk mbrohen në kushte anarkie. Këtej i biem malit në këmbë të Krujës dhe e bëjmë tym e pluhur, këtej duam që Muzeun e Skënderbeut ta vizitojnë turistët (vendas e të huaj). Nuk bëhen të dyja. Ose njërën ose tjetrën. Dhe nëse zgjedhim tymrat e pluhurin, ta lëmë historinë në punën e vet dhe të themi se kishim nevojë për para, u inkurajuan lloj-lloj investime e shfrytëzime pa minimumin e kushteve teknike, pra të hamë e të nginjemi sot për sot. (Mos u fryfshim! Domethënë ata të klaneve). Në s’heqim dorë nga deliret dhe mburrjet, “jeta do të vazhdojë siç ka qenë, domethënë si mos më keq…” (Xhorxh Oruell. “Republika e kafshëve”.)