Robert MALIQI/ A do të jetë Edi Rama një Matteo Renzi?

606
Sigal

Qeveria e Sali Berishës kishte krijuar një gërvishtje jo vetëm me opozitën, por edhe me shoqërinë civile

SHPRESA  KUNDËR  URREJTJES

–        Shqipëria mbetet me nivelin më të ulet të GDP-së për fryme në Europë

–        Dërgesat e emigrantëve nga 1 miliard dollarë kanë rënë në 500 milionë

–         Konsumi aktual individual, gjithashtu mbetet më i ulëti në Europë.

–        Sot ish- ministra i sheh me vila dhe makina luksoze me lekët e taksapaguesve

–        Politikat e gabuara ekonomike në bujqësi, naftë, shëndetësi nuk duhet të përsëriten

Gabimet e mëparshme ekonomike nuk duhet të kthehen në faj, pasi do jenë me pasoja

Ekonomia e vendit, tani është në pikën më të dëshpëruar

 Kjo do të ishte një shprehje e goditur për atë që po shikojmë muajt e fundit në debatet politike, në Parlament, në mediat vizive dhe të shkruara. Rezultati i Edi Ramës dhe i së majtës në zgjedhjet e 23-Qershorit ishte spektakolar. Një rezultat që tregoj se pakënaqësia ndaj Qeverisë së Berishës ishte në maksimum. Qeveria e Sali Berishës kishte krijuar një gërvishtje jo vetëm me opozitën, por edhe me shoqërinë civile, e cila ishte gjithnjë e më e mërzitur nga vështirësitë e sigurimit të shërbimeve nga qeveria. Por ishte edhe fushata e Edi Ramës e moderuar pa sharje e fyerje që ndoshta solli një fitore të paimagjinuar.

Ai u shfaq me një metodë të re, me metodën e demokracisë pjesëmarrëse. Me një demokraci pjesëmarrëse nga poshtë, ku politika mund të përfitonte nga shoqëria civile, ku njerëzit u bënë pjesë e një projekti për një jetë më të mirë e për një shoqëri më të mirë, por edhe me premtimin se me marrjen e pushtetit do të bënte reforma themelore në  ekonomi, arsim, shëndetësi, në drejtësi, në bërjen e urbanizimit e më pas të legalizimeve. Luftë pa kompromis krimit  e korrupsionit. Gjithashtu, ju  premtoj familjarëve të Gërdecit, të 21 Janarit, të Deputetit të PS të vrarë, të  kryekomunarit, të gjyqtarit të Vlorës, të Oficerit të SHISH  se përgjegjësit kryesor, të këtyre ngjarjeve që me të drejtë kanë tronditur gjithë opinionin publik dhe shtetin  do ti çojë përpara  drejtësisë. Shumë dosje të korrupsionit si ajo e e rrugës Durrës- Kukës, Dosja e marrëveshjes se ujërave Detare e shumë të tjera që janë në prokurorinë e përgjithshme do ti kërkonte kësaj të fundit që t’i shpejtonte. Dhe përgjegjësit të merrnin dënimin që meritonin.

Ky fat që i erdhi Edi Ramës  duke marrë 2/3 e deputetëve, numrin e duhur për të bërë të gjitha reformat n.q.s  do ta shpërdoroj do të jetë një gabim i madh.

“Gjeneralët  përpara se të jenë të zotë duhet të kenë fat”, ka thënë Napoleoni

Dhe këtë fat Edi e pati jo vetëm për fitoren por edhe për faktin se u votua nga 1.000.000 milionë shqiptarë. Shqipëria pas këtyre zgjedhjeve tregoj ka të gjitha kapacitetet që të ndryshojë qeverisje.

Këtë javë edhe një lider tjetër  i ri Matteo Renzi korri një fitore të pa parë në Itali, duke marë  41 % të votave sa votat  e mara nga Grilo e Brluskoni së bashku.

Mateo Renzi pas fitores spektakolare u shpreh se pas këtij rezultati asnjë nuk ka me dyshim për të vazhduar rrugën e nisur dhe Reformat e nisura. Renzi tani ka një moment të arte për të shkuare në  zgjedhjet në vjeshte, për të forcuar pozitat e qeverise edhe në Parlamentin italian. Por ai u shpreh se edhe pse nuk i ka votat për të bërë reformat e nisura ai do të vazhdoje duke bashkëpunuar me opozitën ku “Forca Italia” është një parti e rëndësishme në parlamentin Italian.

Po të shikojmë politikën tonë sot është krejt ndryshe. Kemi një opozite që edhe pse ka pësuar një humbje të thelle jo vetëm që nuk po reflekton për humbjen por mendjen e ka tek grevat dhe demonstratat.  Me diskutimet e pafundme në parlament shihet se opozita po largon vëmendjen nga boshllëqet ekonomike që ka lënë duke ja faturuar tashmë përgjegjësitë qeverisë së re “Rama”. Sot është momenti më delikat, ku duhet një bashkëpunim pozitë-opozitë për të mbështetur politikat ekonomike që do t’i shërbenin perspektivave të qëndrueshme  për të ardhmen e sigurt ekonomik të vendit. Do të ishte shumë kuptimplote që në kushtet aktuale ekonomike që ndodhet vendi ynë të gjitha partitë të kontribuojnë në tavolinat e reformave, të shprehin mendime e ide pozitive për të mirën e vendit Ndodhemi  pranë marrjes së  statusit të vendit kandidat për në BE.

Edi Rama nuk e ka luksin që ka Mateo Renzi në Itali ku partitë opozitare janë bashkëpunuese në reformat e ndryshme që po bene Qeveria e re. Dhe ky stabilitet i politikes italiane i dha rezultatet shumë shpejt duke patur ngritje pozitive në bursat e Italisë. Do të ishte një veprim shumë sinjifikativ, tepër emancipues  që ajo që po ndodh në politiken Italiane të ndodhte edhe të ne. Për interesat e mëdha kombëtare, ku bota ndodhet nën ethet e krizës, një bashkëpunim i të gjitha partive për reforma në ekonomi do të ishte një nismë, e cila do të përmendje si një risi në politikën e ashpër shqiptare. Në 24 vjet shtet-postkomunist, ne më shumë kemi parë një shfaqje komedike teatrale, politike me parullat gati “Nano ik”, “Fino ik”, “Pandi ik”, “Meta ik”  dhe tani “Rama ik”. Por po ashtu kemi pasur të njëjtën melodi komikotragjedike “Sali ik”. Mund të themi se sa herë vjen në pushtet një parti, pas disa muajsh fillojnë demonstratat me të njëjtën fizionomi “Ik, ik, ik”. Të gjitha demonstratat, grevat, debatet pa krye në kundërshti të reformave kryesisht atyre ekonomike ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit… Pa një stabilitet politik nuk mund të tërhiqen jo vetëm  e investitorët  e huaj, por as emigrantët tanë që tani janë në mëdyshje, të kthehen në atdheun e tyre apo të pleqërojnë me keqardhje larg vendit të tyre. Madje, mund të themi, se kriza e fundit botërore, grindjet komike të partive politike, reformat e cunguara ekonomike, kanë bërë që emigrantët vitet e fundit, të tremben të investojnë në atdhe, madje të tkurrin duart edhe për dërgesa kursimesh apo në ndihmë të familjarëve. Nga 1 miliard dollarë që ishin dërgesat dhe investimet e emigrantëve deri në vitin 2011, tashmë ato janë rrudhur në 500 milionë, thuajse as gjysma. Në këtë drejtim, e ardhmja është ende më e errët duke pasur parasysh se kriza ka bërë që nga Greqia dhe Italia katër vitet e fundit të kthehen mbi 150 mijë emigrantë.

Kriza botërore

Nga kriza e sotme botërore Shqipëria mbetet me nivelin më të ulet të GDP-së për frymë në Europë.  Konsumi aktual individual, gjithashtu, mbetet më i ulëti në Europë.

Kurse në realitet po  shikojmë një padurim nga opozita kurrë të gjithë e dimë se kjo Qeveri ka një mandat 4-vjeçar dhe se është vetëm në fillimin e mandatit.

Tendenca e Opozitës është shumë e shpejtë që ta kapë qeverinë  e re në gabime, apo të akuzojë Kryeministrin për trafik droge. Është shpejtë sepse në jemi një popull që harrojmë shpejt

Sot bilancet ekonomike bëhen ndryshe

Patjetër që këto bilance nuk do të bëhen si në regjimin komunist. Madje sot korrupsioni ka të tjera mënyra matjeje. Të gjithë e dimë që bllokmenët jetonin në vilat luksoze për kohën. Por e dimë shumë mirë që nuk i kishin pronë të tyre por të shtetit. Makinat që udhëtonin po ashtu ishin në pronësi të shtetit. Sot sheh që të gjithë ish ministrat e të gjitha qeverive dhe kryesisht ata të ish -qeverisë “Berisha” janë bërë për 8 vite me vila me luksoze, me makina superluksoze edhe për ironi të fatit i kanë në pronësi të tyre dhe jo si ish bllokmenët. A do të jetë qeveria e re “Rama” si Shpresë për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë, ekonominë, arsimin aq problematik, Shëndetësinë, për të hapur vende të reja pune.

Fryma e re dhe ekonomia shqiptare

Fryma e re e politikanëve të rinj shqiptarë, kryesisht atyre të opozitës duhet të konvergojë me interesat ekonomike të vendit dhe jo të partisë.  Aktualisht në grupin parlamentar të opozitës ka personalitete të tilla, si Bogdani, doktor Halim Kosova , Tabaku, Mima etj., që duhet të dalin nga logjika e bojkotit dhe e përkrahjes vetëm të protestave kundër qeverisë duke lënë mënjanë problemet e shumta ekonomike që zgjidhen me rrugën e dialogut dhe të peshimit të problematikave të kohës në interes të vendit dhe jo të partisë.

Le të shpresojmë për të mirrën e vendit se shpresa logjika, arsyeja e drejta do të fitojë, ndaj urrejtjes. Ajo që në presim si popull në këtë krizë ekonomike botërore, është një kompromis, një konsensus në bërjen e ligjeve dhe reformave, por një kompromis i sinqertë e real pa prapaskena dhe sa më gjithë përfshirës  me shoqërinë civile dhe të gjitha palët e interesuara. Maxhoranca, pra qeveria e sotme ka një eksperiencë të madhe në opozitë, ka parë gabimet e mëdha të qeverisë së Berishës në drejtim të ekonomisë. Ndaj duhet të jetë koshiente të mos bjerë në ato gabime që do ta çojnë ekonominë shqiptarë drejt greminës, por t’i korrigjojë ato në drejtim të progresit. Politikat e gabuara ekonomike në bujqësi, naftë, shëndetësi, që bëri sidomos qeveria “Berisha 2”, duhet të jenë pika orientuese të qeverisë “Rama 1”.  Kur gabimi përsëritet ai kthehet në faj dhe ky faj do të jetë katastrofik për ekonominë shqiptare dhe për vetë popullin shqiptar. Le të shpresojmë për një opozitë konstruktive, pro edhe për një pozitë korrekte, me vizion të qartë për ekonominë e vendit, e cila tani është në pikën më të dëshpëruar. Qeveria “Rama” ka shansin e fundit që ekonomia shqiptare në shohë dritën e lulëzimit dhe të tejkalimit të krizës. Ky është guri i provës për Ramën. Populli i dha besimin, ai duhet ta justifikojë.