Rekordet e Maos në lumin Jance dhe efekti në Shqipëri

251

Duke lexuar e dëgjuar në mënyrë të përsëritur në vite nga media e shkruar dhe ajo elektronike për rekordet e notit të Kryeministrit Sali Berisha, veçanërisht në këto situata krize dhe varfërie të skajshme ekonomike të popullit tonë, memoria më kthen rreth 46 vjet pas, në një ngjarje të ngjashme të përjetuar personalisht. Në rastin konkret, këtë shkrim nuk e lidh me Kryeministrin Berisha, me të cilin njihem prej disa dekadash, por me ata gazetarë, të cilët nuk duhet të ndjekin kryeministrin në jetën e tij private, por në veprimtarinë e tij shtetërore, lidhur me punët që ai bën, në raport me interesat e vendit që drejton. Se për ndryshe, këta gazetare dhe të tjerë pas tyre mund ta shpien punën deri në ndonjë shfaqje teatrale si kjo qe do të sjell më poshtë në vëmendjen e publikut.

Gjatë viteve 1966-’68 kreva studimet pasuniversitare pranë Akademisë së Shkencave të Kinës në fushën e radiokimisë dhe të kimisë bërthamore. Mbërritja ime në Kinë dhe periudha e studimeve pasuniversitare atje, përkoi me fillimin e një lëvizje të madhe violente masive në të gjithë Kinën, që u quajt “Revolucioni i Madh Kulturor Proletar”, i nxitur dhe udhëhequr nga Mao Ce Duni, i cili kishte humbur mbështetjen e shumicës së Partisë Komuniste të Kinës, e si pasojë lëvizja përfaqësonte në të vërtetë një përleshje ndërmjet palëve kundërshtare, të militantëve të Kryetarit të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), Mao Ce Dunit, për të ruajtur pushtetin e tij personal nga njëra anë dhe të pjesës më të ndriçuar te vendit në mbështetje të Presidentit të Republikës Popullore të Kinës dhe zëvendëskryetarit të kësaj partie, Liu Shao Çisë, nga ana tjetër. Popullit kinez dhe veçanërisht rinisë ju bë thirrje nga Mao Ce Duni për të përmbysur me forcë pushtetin partiak të Liu Shao Çisë dhe mbështetësve të tij, që sipas Mao Ce Dunit, kishin hyrë në rrugën borgjezo-kapitaliste. Kjo përplasje e nxitur dhe e bazuar në konflikte interesash të grupeve të ndryshme politiko-shoqërore, u shtri në të gjithë Kinën dhe shpuri në dhunë masive, në kaos, në përçarje dhe amulli ekonomike shkatërrimtare 10 vjeçare për të gjithë vendin.

Por çfarë lidhje ka noti në këtë mes?!!.

Qysh para Revolucionit Kulturor, në opinionin publik kinez, flitej për kultin perandorak dhe njëherazi një rënie shëndetësore dhe mendore të Mao Ce Dunit për shkak të pleqërisë (atëherë ai ishte 72 vjeç), nga njëra anë dhe për dështimet e “Hopit të Madh” të ideuar prej tij, të cilat i kishin shkaktuar dëme të pallogaritshme ekonomisë dhe popullit kinez, nga ana tjetër. Në këto rrethana, mbështetësit e Maos, për të provuar publikisht se ai ishte shëndosh e mirë dhe i aftë për të udhëhequr Revolucionin Kulturor dhe popullin kinez, organizuan më 16 korrik të vitit 1966 hedhjen e tij në lumin më të madh të Kinës, në Jance pranë qytetit të Vuhanit, në jug të Kinës, për të demonstruar vitalitetin dhe fuqitë fizike të tij nëpërmjet një notimi publik. Kjo shfaqje teatralo-politike u realizua në prani të qindra mijëra gardistëve të kuq, të ushtrisë dhe sigurimit publik kinez, me fjalime ceremoniale, me ovacione, brohoritje, himne dhe këngë për Kryetarin Mao, nën tingujt e tambureve, të gongeve dhe të muzikës revolucionare, dhe nën breshërinë e topave. Kryetari Mao,i veshur me një rrobdishambër të bardhë banje, përshëndeste publikun me dorë i hipur në një barkë nga e cila hidhet në lumë i shoqëruar nga shumë notarë për sigurinë e tij. Ai notoi për rreth një orë në lumë, duke demonstruar stile të ndryshme noti në drejtim të rrjedhës së lumit. Ngjarja u trumbetua në të gjithë Kinën, dhe u ndoq me urdhër dhe mbikëqyrje të gardistëve të kuq, në të gjitha kolektivat punonjëse të Kinës, nëpërmjet shfaqjeve televizive, të mbledhur në sallat e qendrave të punës, duke hedhur parulla të shumta, me thirrje dhe brohoritje masive për shëndetin e mirë dhe jetëgjatësinë e Kryetarit Mao.

Masmedia e shkruar dhe ajo televizive në ditët dhe javët në vazhdim, trumbetonte vazhdimisht dhe pareshtur shëndetin e shkëlqyer të Kryetarit, stilin e lartë të notimit dhe rezultatin rekord të notit prej 15 km në 65 minuta.  Në këto rrethana,nuk vonuan edhe përgjigjet humoristike të kundërshtarëve të brendshëm dhe masmedias së huaj, duke e ftuar Maon në kampionatin botëror të notit ose duke e qesëndisur atë se edhe një arkivol në drejtim të rrjedhës së lumit do të ecte me të njëjtën shpejtësi. Madje kishte edhe versione se gjatë notimit në lumë, Maua mbahej nga polumbarët e zhytur poshtë tij. Ironia e këtij spektakli qesharak ishte se ai kryhej në kushtet e varfërisë ekstreme të popullit kinez dhe në shkatërrimin drastik të ekonomisë së vendit.

Pas “suksesit të notit”, mbështetësit e Kryetarit Mao, gardistët e kuq morën zëmër dhe u lëshuan me dhunë mbi organet e Partisë dhe të Pushtetit në të gjithë Kinën. Industria e lehtë kineze filloi të prodhojë vetëm një portret atë të Mao Ce Dunit, vetëm një libër, veprat dhe citatet e Mao Ce Dunit në të gjitha gjuhët e botës, vetëm një këngë, disqe me këngë për Mao Ce Dunin. Altoparlantët e vendosura në çdo rrugë, shkollë, spital, institucion, fshat apo komunë buçitnin  vetëm himne, lavde dhe muzikë për Kryetarin Mao, lexim citatesh nga librushkat e tij gjatë gjithë ditës dhe me një ton në kupë të qiellit.

Këto shfaqje te shëmtuara, që nuk ndodhnin as në epokën e skllavërisë e dhanë edhe produktin shkatërrimtar gjatë 10 viteve (1966-76) në Kinë, që e shpuri vendin në nivelin zero. Pas vdekjes së Maos dhe ndëshkimit të bandës së tij, “Banda e të Katërve”, përfshi edhe bashkëshorten së tij Jiang Qing (1976-78), Republika Popullore e Kinës, nën udhëheqjen e personaliteteve të shquara, reformatoreve Li Hsien Nien (Li Xianian), Li Fu Çun dhe Ten Sjao Pin, bëri kthesën e madhe me reforma të mëdha ekonomike, të cilat e çuan vendin në bumin e zhvillimit të madh ekonomik kinez.

Gjykoj se, një gazetë apo gazetar serioz nuk duhet të merret me jetën private të çdo qytetari, qoftë ky edhe kryeministër. Se për ndryshe do të vazhdonim praktikën e regjimit monist, kur asokohe gazetarët i serviloseshin diktatorit me titujt e bujshëm gazetaresk, se “Dy Luanë ka sot bota, një Azia dhe një Europa” (duke bërë fjalë për dy diktatorët e atëhershëm: Mao Ce Dunin dhe Enver Hoxhën). Ndërsa tani, ndoshta po ata tipa gazetaresh duke marre shkas edhe nga ky shkrim mund të përsërisin se “Dy notarë ka sot bota, një Azia dhe një Europa”.

NGJARJA

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i “frymëzuar nga shpirti Olimpik”, qëndroi në ujë për 141 minuta, në bregun e Dhërmiut, ku ai kaloi një fundjavë pushimesh në fund të muajit korrik. Një vit më parë, po në detin Jon, kryetari i Partisë Demokratike kishte qëndruar në ujë për 132 minuta. Kryeministri e interpretoi rekordin e tij të ri të notimit, nga ora 9:10 deri në 11:31, si një ogur të mirë për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Më 10 gusht, po në Dhërmi, Berisha theu rekordin e tij të muajit korrik nga ora 9:10 deri në orën 12:02, duke qëndruar në ujë plot 172 minuta.