Prof. Dr. Zamira Çavo: Rama, publicist i mirë, por politikan i keq

559
Sigal

 

 

Rama është një
publicist i shkëlqyer. Administrator i mirë dhe një politikan i keq

Vërtet mendoni
se ky parlament i mbushur më individë të dyshimtë, të paaftë dhe të
papërgjegjshëm do të kishte vullnetin për të luftuar korrupsionin apo të bënin
dekriminalizimin? Madje do t’ju korrigjoja pak: nuk është se nuk kanë dhënë pritshmëritë
tona. Ato nuk kanë filluar si procese!

Jakup B. GJOÇA

Prof.
Dr. Zamira Çavo në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon, se deputetët
gjermanë mbajtën në Tiranë qëndrim institucional. Proceset e integrimit në
Shqipëri nuk kanë filluar si proces, sepse mungon vullneti politik nga të
gjitha partitë politike parlamentare. Zonja Çavo pranon, se kryeministri Rama
nuk ka reflektuar nga këshillat e Znj. Merkel, më shumë deliron, por shuplaka e
BE-së për moshapjen e negociatave është shuplakë ndaj Shqipërisë. Prof. Çavo
pohon se Vettingu nuk mund të pranohet dhe zbatohet nga asnjë palë, sepse e kanë
të vështirë të japin pasurinë që e kanë përvetësuar pa djersë. Edhe lufta ndaj korrupsionit,
sipas Prof. Çavo, nuk mund të zbatohet duke përfshirë të kaluarën, dhe të
përjashtohen të tanishmit. Ndërsa për lidhjen e qeverisjes me krimin, Prof.
Çavo thotë, se “zakonisht krimi, kur lejohet nga shteti, e financon këtë të
fundit në aktivitetin  e tij për mbajtjen
e forcave politike që kanë pushtetin,  në
pushtet”. Për koncesionet, Prof. Çavo thotë, se ato janë shitje e pasurisë së
popullit. Prof. Çavo edhe pse pohon, që nuk beson në reformën zgjedhore, thotë,
se të paktën partitë duhet të përcaktojnë standardet e përzgjedhjes së
kandidatëve për deputetë, që të mos kriminalizojnë parlamentin e ardhshëm, të
dënohet financimi i jashtëligjshëm i partive në fushatë dhe të mos bëhen
koalicione parazgjedhore.

Prof. Çavo, cili është mendimi juaj: 3
deputetët gjermanë që erdhën në Tiranë dhe pohuan, që BE nuk mund të hapë
negociatat me Shqipërinë për anëtarësim, shprehën qëndrime personale, apo
institucionale të Parlamentit gjerman?

– Në çdo
deklaratë që një personalitet bën ndaj një problemi, ka gjithnjë dy elementë:
qëndrimin zyrtar dhe theksimin personal. Ndaj, them se dhe qëndrimi i
deputetëve gjermanë është më së pari në thelbin e vet, qëndrim institucional edhe
pse mund të jetë theksuar me nota personale. Nuk është hera e parë që kemi të
tilla deklarata. Por, pavarësisht kësaj, mendoj se çdo deklaratë e  bërë publike nga përfaqësues të
institucioneve ndërkombëtare, lipset të vlerësohet seriozisht. Nuk ka vend as për
entuziazëm të panevojshëm e as për pesimizëm ekstrem.

Mendoni se në Shqipëri ndonjë parti
politike apo Opozita, do të fitojnë kredo politike, nëse BE nuk i hap
negociatat për anëtarësime me Shqipërinë?

– Nëse do të
kishte të tilla, nuk meritojnë të quhen Parti politike shqiptare! Të fitosh
kredo politike mbi një lajm të keq për vendin është jo thjeshte e pamoralshme,
por antikombëtare. Në fakt, kam vënë re se ka individë, apo edhe ndonjë grupim
të vogël politik, që kanë fërkuar duart nga lajmi se negociatat mund të mos
hapen. Mua më neverisin këto qëndrime, sepse këta ngatërrojnë qeverisjen Rama
me Shqipërinë. Arroganca e e kryeministrit dhe vetëbesimi i tij i tejskajshëm
për hapjen e këtyre negociatave  bëjnë që
shtyrjen e tyre ta konsiderojnë si shuplakë për Ramën, kur në fakt është një
shuplakë për të gjithë ne. Duhet të jemi të bindur se Evropa është e vetmja
rrugë që mund të ndryshojë të ardhmen tonë. Pavarësisht se do na duhet të
sakrifikojmë, do përfitojmë standarde e nuk do duhet të diskutojmë më për
drita, ujë, rrugë, dhe dinjitete njerëzor.

Mendoni se kryeministri Rama reflektoi  apo u justifikua,  ndaj këshillave të deputetëve dhe të Merkel,
për konkretizimin e kushteve të BE për hapjen e negociatave?

– Të dyja
bashkë. Unë uroj shumë që të këtë reflektuar, por, duke e parë në aktivitetin e
politik të kryeministrit të këtij mandati, them se zoti Rama e ka shumë të
vështirë të reflektojë, më shumë ai deliron. Dhe vazhdoj t’i mbetem mendimin që
kam thënë katër vite më parë, se ai është një publicist i shkëlqyer, një
administrator i mirë dhe një politikan i keq!

– Përse reformat e luftës së
korrupsionit, të dekriminalizimit, zgjidhja e të drejtës së pronës, etj, nuk
kanë dhënë pritshmërinë e kërkuar?

– Mund të
përgjigjegjesha vetëm me tre fjalë: mungon vullneti politik! Vërtet mendoni se
ky parlament i mbushur më individë të dyshimtë, të paaftë dhe të papërgjegjshëm
do të kishte vullnetin për të luftuar korrupsionin, apo të bënin
dekriminalizimin? Madje do t’ju korrigjoja pak: nuk është se nuk kanë dhënë
pritshmëritë tona. Ato nuk kanë filluar si procese!

– Prof. Çavo, vërtet duhet të besojmë që
reforma në drejtësi ka ngecur, ngaqë nuk është miratuar ligji i Vettingut apo
ka arsye të tjera politike?

– Vettingu është
domosdoshmëri. Nuk ka shqiptar të mos e pres me padurim këtë proces. Por nuk ka
për të ndodhur. E dini përse? Sepse asnjë grup politik, qoftë në maxhorancë
qoftë në opozitë nuk është i interesuar që ky proces të ndodhë. Po t’i shtojmë
këtyre edhe grupet e gjyqtarëve të niveleve të ndryshme, apo të drejtuesve të
lartë të administratës publike, është e qartë se të gjitha këto grupime më lehtë
e çonin popullin në revolucion, sesa të dorëzonin pasuritë e vëna pa të drejtë!
Do vazhdojnë ta tundin kartën e Vettingut, si 
justifikimin e luftës së tyre politike për pushtet!

– Jepet përshtypja nga maxhoranca, që
reforma në drejtësi do të prekë vetëm Ish-ët qeveritarë dhe korrupsioni nuk ka
aspak të bëjë me qeverinë e tanishme. A ka korrupsion në qeverinë e Rilindjes
Socialiste, ndaj edhe kryeministri është peng i korrupsionit?

– Unë besoj se
është një perceptim popullor, që korrupsioni ka kapur shtetin dhe, personalisht
,them se ka 26 vjet që ndodh kjo kapje. Nuk besoj se mund të bëhet një reformë
që ka efekt  për të kaluarën dhe
përjashtoka të sotmit. Zakonisht ngulmohet për të kundërtën. Gjithsesi, jam e
bindur që një ditë Populli do ta kryejë vete procesin e vënies para bankës së
të akuzuarve të kësaj kaste politike të korruptuar.

– Shqiptarët çfarë shpresojnë nga
reforma në drejtësi?

– Kam frikë së
shqiptarët nuk shpresojnë asgjë nga kjo reformë dhe më duket se janë realist.
Ama them se shqiptarët gradualisht po e krijojnë një ndërgjegje politike për ta
vlerësuar situatën politike me mendjen e tyre dhe jo me mendjen e politikës dhe
opinionistëve tellallë të saj. Për mua, kjo vlen më shumë se çdo reformë që shkruhet
në letër dhe nuk zbatohet kurrë. Populli mund të gabojë përkohësisht, por nuk
mund të gabojë vazhdimisht.

– De facto, Shqipëria është në fushatën
zgjedhore të 2017. Ju, çfarë konstatoni në qeverisjen e Rilindjes Socialiste
deri tani: Arritjet, apo dështimet?!

– Do isha jo
realiste në nëse nuk do njihja arritjet e kësaj qeverie. Vënia nën kontroll e
territorit, (nuk guxojmë më të ndërtojmë ku të na vijë për mbarë), rilindja
urbane (me qytetet që kanë rivitalizuar urbanizimin e fshatrave që i kemi
quajtur qytete), pagesat e faturave në energji elektrike apo ujë, reformën e
pensioneve, ligjin antiduhan që e bëri të funksionojë, regjistrimin real të
bizneseve në Shqipëri. Dështimet? Do ta filloja me reformën në shëndetësi,
pastaj me atë në arsim, në ekonomi, në administratën publike, etj. Por mbi të
gjitha do të quaja dështim parcelizimin e qeverisë me parcela të PS dhe LSI.

Kultivimi në masë dhe në gjithë Shqipërinë
me kanabis a ka të bëjë me akuzën e Opozitës, se qeveria bashkëpunon me Krimin,
apo është pasojë e varfërisë?

– Në asnjë rast
varfëria nuk mund të shërbejë si shkaku kryesor i një aktiviteti kriminal
kolektiv  dhe pse mund të jetë ushqyes i
tij. Aktivitete kriminale në masë të gjerë, realizohet vetëm kur nuk funksionon
shteti, ose kur ky i fundit e lejon me një sy këtë aktivitet. Ndaj është
foshnjarake të mendosh se nga varfëria njerëzit mbjellin kanabis. Unë mendoj se
kjo çështja e kanabisit ndoshta do t’i “hajë kokën” atyre që e lejuan.

– Mendoni se një shumë financiare e
trafikimit të Drogës në Shqipëri do të financojë fushatën elektorale të partive
politike në 2017?

– Nuk di ta them
këtë, por zakonisht krimi, kur lejohet nga shteti, e financon këtë të fundit në
aktivitetin  e tij për mbajtjen e forcave
politike që kanë pushtetin,  në pushtet.

– 1.7 miliardë lekë të reja të Buxhetit
të Shtetit për 2017 janë parashikuar për të paguar koncensionet e kësaj
qeverie, vetëm për 2017. Mendoni se bashkëpunimi PPP është në të mirë të
shqiptarëve, të ekonomisë, apo është një aferë korruptive?

-Di të them me
siguri se mallkimi popullor do bjerë si mbi qeverisjen Berisha, ashtu dhe mbi
qeverisjen Rama pikërisht për këto koncensione. Kurrë nuk besoj se koncensionet
janë gjëja me e mirë për një vend. Jo! Ato janë shitje e interesave të
popullit!

 

 

Standarde për përzgjedhjen e kandidatëve
për deputetë, për të mos kriminalizuar edhe parlamentin e ri

– Kriminalizimi i Parlamentit erdhi edhe
për shkak të pasojave të Kodit Zgjedhor, të Listave të Mbyllura për kandidatët
për deputet. Ju, si e shpjegoni, që as Maxhoranca, por as Opozita nuk duan që
të zhbëjnë Kodin Zgjedhor dhe përse nuk duan që elektorati të votojë
drejtpërdrejt kandidatët për deputetë?

– Është e kotë
të diskutojmë tani ndryshimet në Kodin zgjedhor. Nuk do bëhet asgjë! Nuk ka më
kohë, sepse askush nga ata që kanë në dorë këto ndryshime nuk duan të
ndryshojnë asgjë! Mendoj se ne, si Shoqëri Civile dhe ju si media duhet të bëhemi
bashkë për të detyruar partitë që, më së paku, të detyrohet të shpallin
parakohe standardet, me të cilat duhet të zgjedhin deputetet e ardhshëm të
Parlamentit shqiptar. Ndryshe, Parlamenti i ri do të jetë edhe më monstruoz se
ky që kemi!

E dyta, gjë që
duhet të bëjmë së bashku është të detyrojmë partitë te mos hyjnë në koalicione
parazgjedhore. Koalicionet le t’i bëjnë pas zgjedhjeve, në raport me rezultatet
që do arrijnë.

 E treta, është transparenca e burimeve financiare.
Por, që të arrihet kjo, është e domosdoshme të ndryshojë Kushtetuta, e cila
duhet të dënojë penalisht ato parti që mashtrojne në burimet e tyre financiare.

– Atëherë, çfarë duan të arrijnë me
reformën e re zgjedhore, sidomos mazhoranca, që ka shumicën e votave për ta
miratuar?

– Ku është kjo
reformë zgjedhore? Unë shikoj vetëm ndonjë shkëndijë pozitive sikundër është
deklarimi nga zoti Kokëdhima për të detyruar Partinë Socialiste të zhvillojë
zgjedhjet primare në parti. Tjetër zë nuk dëgjoj. Të tjerat, janë vetëm buri që
mbysin realitetin e mosbërjes së një reforme të vërtetë zgjedhore.