Prof. Dr. Shenasi RAMA/ E pazëvendësueshme: ideologjia kombëtariste në politikën shqiptare

703
Sigal

Shqiptarët gjenden në një udhëkryq me të vërtetë historik. Mirëpo udhëkryqi historik nuk e ka të shtruar e të dallueshme rrugën, ku duhet të ecim. Kësaj here, për shkak të rrethanave specifike, atë rrugë duhet ta hapim vetë. Duke qenë se kombëtaristët e spikatur shqiptarë gjatë historisë sonë na kanë dhënë vlerat dhe zgjidhjet në nivel parimor, e kemi një strukturë botëkuptimore që do të na orientojë në zgjedhjet që do të bëjmë. Prandaj, pyetja më e rëndësishme, është se cila është rruga që duhet të ndjekim? Në mënyrë të pashmangshme, pra, debati për të ardhmen është ideologjik, sepse ideologjia apo botëkuptimi të tregon rrugën, ku duhet ecur në të ardhmen, çka është e rëndësishme në të shkuarën dhe si të dalësh nga gjendja, ku je i ngërthyer. Dhe problemi më i rrezikshëm në këtë pikë është se në debatin e rëndësishëm politik në shtetin shqiptar mungon ideologjia e duhur. Mungon ideologjia që duhet të japë zgjidhjen e duhur, dhe që do të ndihmonte në shërimin e gjendjes e në vënien në rrugën e drejtë e në shina të forta të historisë së shqiptarëve.

Kombëtarizimi në përplasjen ideologjike

Shqiptarët janë një nga popujt më kombëtaristë. Iniciativat e nismat e shumta në nivel qytetar, në emigracion, apo në shtetin shqiptar, individuale apo kolektive, kulturore apo politike, të mbështetura në traditën apo në bashkëkohësinë, dëshmojnë për karakterin e theksuar kombëtarist të shqiptarëve. Megjithatë, trysnitë, nën të cilat janë gjendur e gjinden shqiptarët dhe braktisja që iu kanë bërë intelektualët e tyre, dhe presionet e fuqishme, që vijnë nga sistemi ndërkombëtar, duket se kanë krijuar çarje të thella, që vetëm po zgjerohen me kohën që kalon. Ndërsa shqiptarët kërkojnë një shtet-komb normal, paritë sunduese të tyre nuk ndjekin zgjidhje kombëtariste, por kanë përqafuar e propagandojnë me një intensitet të madh ideologji që iu shërbejnë interesave të tyre të veçanta si grupe, si shtresa, si klane, dhe si struktura kriminale. Kjo shihet në katër nivele. Në nivelin e politikës dhe të politikanëve, tashmë partitë politike  janë struktura me udhëheqje të konsoliduar, por pa një ideologji të mirëfilltë mbarëshqiptare, shtet-komb formuese e që iu shërben të gjithë shqiptarëve. Politikanët drejtues të shqiptarëve në Tiranës, Prishtinë e Shkup kanë përqafuar ideologji e sisteme vlerash që iu shërbejnë grupimeve të veçanta e shtresës së tyre. Shtresa e politikanëve shqiptarë, pavarësisht kontekstit ku e zhvillojnë aktivitetin, tashmë po përvijohet qartë si oligarkike, kleptokratike, mafioze dhe kriminale. Tipike për këtë fenomen është paria e Tiranës, por, në drejtim të sjelljes ndaj shtetit dhe kombit, nuk bën shumë dallim as paria e Prishtinës, apo e Shkupit. Nuk kanë rëndësi fjalët e sloganet që përdorin, rëndësi ka kuptimi që iu japin. Së dyti, kjo shihet edhe në veprimtarinë e shtresës influente në nivel të shoqërisë që ka përqafuar ideologji qytetërimore apo që e mbështet sjelljen e vet në bindje fanatike fetare. Duke gjetur terren të favorshëm, edhe për shkak të diskreditimit të parisë dhe të injorancës së saj të theksuar ideologjike, e të mungesës së vlerave të saj politike, aktivistë shoqërorë e struktura të caktuara autoritative në nivel të shoqërisë, janë gjallëruar dhe po mbushin hapësirën e lënë bosh. Mirëpo, ata po promovojnë me vetëdije ndasi të caktuara shoqërore, që mund të politizohen shpejt e të bëhen shpërthyese e me efekte shkatërrimtare. Flaka dhe dinamiti duhet të rrinë larg njëra-tjetrës dhe shqiptarëve nuk iu shërbejnë ideologë që fusin fitilat e përçarjes e të vëllavrasjes që po bëhet më e mundshme çdo ditë që kalon. Shkaku kryesor për këtë ecuri është se këto ndasi që po kultivohen me kujdes mbështeten në ideologji që iu shërbejnë grupimeve të veçanta e jo të gjithë shqiptarëve. Në një farë mënyre, këta veprimtarë e funksionarë strukturash, në nivel të shoqërisë e të bashkësisë, po kthehen në forca centrifugale, që po i largojnë shqiptarët edhe më shumë nga njëri-tjetri. Po ashtu, së treti, shtresa influente e parisë dytësore, intelektualët dhe profesionistët kanë bërë zgjedhje ideologjike, që shpesh e influencojnë shoqërinë në drejtimin e gabuar dhe jo të duhur. Bindjet e tyre ideologjike, që iu shërbejnë grupimeve të veçanta të tyre, apo që janë të informuara nga ideologji universaliste e bindje që mund të jenë të vyeshme në kontekste të tjera, nuk iu shërbejnë të gjithë shqiptarëve. Mirë, këta kanë rënë rob të pasurimit, nuk dalin dot nga kornizat e të menduarit, në të cilat janë stërvitur dhe, më e keqja, po shfaqin një shkallë të habitshme oportunizmi e rezinjate të frikshme që i shmang nga përgjegjësia historike dhe që i ndan nga populli, pjesë integrale e të cilit janë, dhe shprehës të vullnetit të të cilit duhet të jenë. Të gjithë këta individë, që shprehen në jetën publike, edhe pse në medium dhe në nivele të ndryshme, kanë sisteme të dallueshme vlerash e bindje ideologjike të ndryshme. Së katërti, problemi është acaruar jashtëzakonisht shumë për shkak se tashmë edhe masa e madhe e njerëzve që janë edukuar jashtë vendit, nuk flasin gjuhën kombëtariste e me ideologjinë kombëtariste. Të rritur në sisteme, në të cilat njerëzit përgatiten për t’iu shërbyer shteteve e kombeve të caktuara, këta flasin me një gjuhë të sofistikuar, por që nuk e shpreh vullnetin e popullit dhe nuk ngjet. Duke kërkuar me transplantue ideologji e sisteme ideologjike, që janë të vyeshme në kontekste të tjera, por që nuk iu shërbejnë shqiptarëve, kjo shtresë e edukuar, që përndryshe do të ishte shumë e vyeshme po izolohet përditë e më shumë. Ç’është edhe më e keqja, kjo shtresë po konformohet dhe po shkrihet në strukturat e parisë, së cilës i përket dhe të cilës po i shërben me bindje.

Mungesa e kombëtarizimit ideologjik

Mungesa  e kombëtarizimit në debatet e përditshme në shtyp e në media, por edhe në politikën e ditës,  nuk do të thotë se nuk ka nevojë për një ideologji të tillë, apo se nuk ka një ligjërim të qartë kombëtarist. Arsyeja është se, edhe pse shqiptarët dhe politikanët e mendimtarët po merren intensivisht me personat, interesat dhe problematikën imediate mbaszgjedhore, konflikti ideologjik që ka të bëjë jo vetëm me gjendjen prezente, por, mbi të gjitha, me të ardhmen afatgjatë, nuk ka shkuar kund. Më shumë se kurrë, sot ndjehet nevoja e ideologjisë dhe e diskutimit ideologjik. Gjatë dy-tre ditëve të fundit, një seri shkrimesh e shqiptimesh në shtypin e përditshëm e vënë në dukje qartësisht debatin ideologjik dhe praninë e përplasjes ideologjike. Dallimi është se në shtypin e në mediat e Tiranës mungon e vetmja ideologji që duhet të jetë e pranishme, dhe që është zgjidhja e vërtetë:  kombëtarizmi. Për shumë shkaqe, e ndër më kryesoret janë rrethanat tona specifike, e shkuara e jonë historike, përbërja e parisë, mendësia popullore dhe trysnitë e shumta të jashtme, kombëtarizmi duket se ka qenë ideologjia e panevojshme e tranzicionit. Asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës. Pavarësisht cektësisë së argumenteve, ekstremizmit, dogmatizmit dhe varfërisë konceptuale, debati që po zhvillohet në të gjitha nivelet në shoqërinë shqiptare është thellësisht ideologjik. Ndeshja ideologjike është e dallueshme në të gjithë nivelet e organizimit shoqëror.  Argumentet që përdoren, edhe kur janë të pasistemuara apo të mbështetura në premise kontradiktore e përjashtuese, janë të hedhura me përsëritje të rregullt e me një intensitet që i bën të duken të pakontestueshme. Diskreditimi i përpjekjes gjatë zgjedhjeve të fundit për ta përdorur kombëtarizimin si bindje të masave dhe si ideologji, por në funksion të interesave të grupeve të caktuara dhe të individëve të veçantë nuk është diskreditim i ideologjisë. Në fakt, kjo që ndodhi gjatë zgjedhjeve të kaluara vë në dukje nevojën e jashtëzakonshme që ka shoqëria shqiptare për një ideologji të tillë.

Në vend të përfundimit

Përplasja ideologjike që po materializohet në shtetin shqiptar është me rrezikshmëri të lartë, sepse po kthehemi qëllimisht në kaosin totalitar e në ndasitë e manipuluara e të kultivuara të frikshme të fillimit të shtet-formimit. Këto ndasi e papajtueshmëri që mund të politizohen lehtësisht janë të përcaktuara nga katër faktorë: feja, interesat klasore, dallimet kulturore, dhe nga influenca e ideologjive universaliste. Ideologjia e vetme, që mungon dhe u shërben të gjithë shqiptarëve, është kombëtarizmi.