Prof. Dr. Lush Susaj: Kanti, shfronësimi i krimit apo rebelimi kriminal?

Një qeverisja pa ligje, pa ndershmëri, transparencë, njerzillëk dhe rregulla demokratike 

Vendi dhe shoqëria jonë ka nevojë për të vërtetën, për fjalën e lirë dhe veprimin demokratik të çdo qytetari në mbrojtje të demokracisë dhe të interesave tona kombëtare e shtetërore të kërcënuara nga ligësia, injoranca, konfliktualiteti dhe mendjemadhësia e klasës sonë politike. Në lidhje me mendjemadhësinë dhe arrogancën, shkrimtari ynë Ismail Kadare, në “Courrier International” (Paris, 1999), ka shkruar: “Koha e kapardisjes së madhe i erdhi shqiptarëve ose më mirë klasës politike të tyre, atëherë kur ajo pritej më pak: pas rënies së regjimit komunist....Të pajisur jo vetëm me një mendje të varfër, por edhe me karakter të dobët (shpesh pasojë e logjikshme e së parës), pa kurrfarë strukture morale, këta njerëz të rëndomtë nuk e përballuan e as mund ta përballonin misionin që u vuri koha. Në vend të ulnin kokën përpara dramës së popullit të tyre, për të kuptuar më mirë, përse janë në krye të vendit, këto natyra të varfra u dehën nga shija e pushtetit, nga veturat, rojet, pritjet e kamerat e televizionit…”. Situatat e rënda politike, ekonomike dhe shoqërore e këtyre viteve, pikë së pari, kanë buruar dhe vazhdojnë të burojnë nga prishja e kushtetutës, e ligjeve, marrëdhënieve dhe rregullave demokratike. Në këtë mënyrë është goditur baza e rregullit, siguria e lirisë dhe siguria e stabilitetit shoqëror. Në lidhje me ligjin dhe lirinë, me varësin e lirisë nga ligji dhe anasjelltas, Kanti ka shkruar: “E mira publike që duhet të konsiderohet e para, është ajo kushtetutë ligjore, që ia siguron secilit lirinë e vet nëpërmjet ligjeve”. Situata politike dhe administrative e këtyre viteve, karakterizohet nga një mungesë e theksuar e dijes, kurajës dhe guximit për t’u përballur me burimin e të keqes, me ata që kanë shpërdoruar dhe shpërdorojnë besimin dhe pushtetin e deleguar, me ata që vjedhin, që mashtrojnë dhe që turpërojnë pa hesap kombin dhe shtetin e tyre. Në lidhje me politikanët dhe shtetarët pa shpirt, pa njerzillëk, pa nderë e pa burrëri intelektuale, At Gjergj Fishta (Hylli i Dritës, 1932), ka shkruar: “Gjithkund e gjithmonë, ka pasë mbi botë, ku ma shum, e ku ma pak, funksionarë e zyrtarë t'interesuem, ose me e thanë shqip - hajna. Edhe sod, për me folë përgjithësisht, mund të thuhet ashtu si dikur thonte Katoni për kohë të veta: hajnat e gjanave private e shkojnë jetën nder të rrahuna e hekura në burg, ndërsa hajnat zyrtarë, në kadife e pasuni. Shqip, kush vjedh 100 korona, shkon në burg, kush vjedh njëmijë napolona, rri në shpi e vishet në qyrk. Pa nder e burrni, ka pasë thanë dikur Ciceroni, s'mbahet shtet m' kamë. Prandaj, duhet me ruejtë nderin që shteti t'ekzistojë. Pse ku nderi ligështohet, ligështohet edhe shteti. E kur ma nder e burrni të mos ketë, aty shteti vdes e mbaron”. Kriminaliteti, korrupsioni dhe zëvendësimi gradual i funksionimit demokratik të shtetit dhe politikës me funksionimin autokratik, janë ushqyer dhe po ushqehen edhe nga mungesa e vazhdueshme e një qëndrese dhe reagimi të domosdoshëm intelektual, shkencor, kulturor e mediatik. Kjo heshtje shkatërrimtare, duket se nuk është e re, nuk është e rastit. Ajo e ka zanafillën tek mungesa e kahershme e elitës dhe etikes së mirëfilltë intelektuale, filozofike, akademike e shkencore. Kemi të bëjmë me një boshllëk të frikshëm që është krijuar dhe akumuluar në vitet dhe shekujt e jetesës së gjatë nën pushtimet dhe diktaturat e errësirës, të cilat nuk e kanë pranuar as dashur ndonjëherë dijen, ligjin as kulturën. Në një qeverisje pa ligje, pa ndershmëri, transparencë, njerzillëk dhe rregulla demokratike, nxitet konflikti, ekstremizmi dhe përçarja shoqërore, si dhe reduktohet në maksimum puna, prodhimi, mirëqenia dhe forca integruese dhe progresive të shoqërisë. Përfituesit e kësaj situate janë vetë shkaktarët e saj. Përfitojnë ata që për vite me radhë shpërdoruan dhe defaktorizuan administratën dhe institucionet, ata që vodhën dhe shkatërruan drejtësinë, ekonominë, kulturën, shkencën, mediat, shëndetësinë etj. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë thjesht, me një apo me dy qeverisje të gabuara, me një apo me dy ekipe qeveritarësh të korruptuar, nuk kemi të bëjmë me një grup të vogël njerëzish. Përkundrazi, në këto 26 vite, numri i atyre që shpërdoruan pushtetin e deleguar të popullit, numri i atyre që u pasuruan shpejt përmes vjedhjes dhe abuzimit me ligjet, pushtetin dhe pasurinë publike, është shumë i lartë. Ata janë të shumtë, janë shumë të lidhur dhe bashkëpunues ndërmjet tyre. Janë shumë të ngjashëm për nga sjellja, perversiteti, ligësia dhe origjina e tyre politike e shoqërore. Janë shumë të ngjashëm sepse janë formësuar dhe rritur së bashku në kënetën apo habitatin e tyre të krimit dhe korrupsionit të krijuar në këto 26 vite pa ligje, pa nder dhe pa dinjitet politik, shtetëror e kombëtar. Janë të ngjashëm dhe njëlloj të interesuar për ta paralizuar dhe mbytur lirinë dhe reagimin qytetar e shoqëror përmes skemave të njohura të përçarjes dhe funksionimit kaotik pa meritokraci dhe rregulla demokratike. Pavarësisht nga teatri politik që konsumohet në parlament, në institucionet e tjera dhe në mediat e vendit, anëtarët e kësaj bande janë pasues, mbrojtës, inkurajues dhe komplementarë të sundimit, të hajdutërisë dhe të krimit të njëri tjetrit. E gjithë marrëdhënia specifike ndërmjet tyre buron, shfaqet dhe shquhet nga sjelljet dhe metodat e tyre të ngjashme, thelbi qëndron tek interesat e tyre të përbashkëta. Kjo situatë mund të vrojtohet dhe mësohet shumë lehtë, mjafton që secili nga qytetarët e varfër e të pa punë, të shikojnë me pak kujdes firmat ndërtuese, bizneset, investimet dhe projektet që janë me nga dy tre koka të cilët kanë baltosur qeverisjen duke bllokuar lëvizjen dhe qarkullimin e vlerave të mirëfillta politike, intelektuale e shtetërore. Mjafton të shihen me më shumë kujdes krushqitë midis tyre, punësimet nepotike në institucionet e larta, dyshtetësit, blerjet dhe depozitat e dyshimta, si dhe aksionet dhe investimet e tyre të përbashkëta jashtë vendit. Me pak kujdes do të mund të kuptohet se si vepron ai mekanizmi që kanalizon çdo qindarkë të dhuruar apo e dalë nga buxheti i shtetit drejt në skemën dhe llogarit e tyre, pa gjeneruar as punë, as mirëqenie dhe as zhvillim. Nga ky këndvështrim, ndofta kemi përfunduar në krahët e mafies, ndofta ka ndodhur ajo ajo droja apo frika që dikur (në vitin 1994), na patën paralajmëruar kolegët tonë italian dhe anglez duke na thënë se: në këtë mënyrë se si po funksionojnë gjërat në Shqipëri, rrezikoheni nga mafia dhe krimi i organizuar dhe do ta keni shumë të vështirë betejën me ta. Nuk ka situatë pa zgjidhje, ndërsa zgjidhjet janë dhe bëhen edhe më të vështira për një popull me zhvillim të vonuar shoqëror e politik. Përvoja dhe filozofia historike dhe politike, ka plot shembuj mbi mënyrën se si mund të veprohet në rastet e krizës së besimit, mungesës së përfaqësimit dhe funksionimit normal të politikes, administratës dhe institucioneve shtetërore. Nga ky këndvështrim, mendoj se është me interes që të rikujtojmë disa rreshta nga esetë filozofike dhe iluministe të Emanuel Kantit (sh. XVIII). Kanti ka shkruar: “Çdo kundërvënie kundrejt pushtetit më të lartë, çdo kryengritje nga e cila plas një rebelim, është krimi më i lartë dhe më i dënueshëm në bashkësi, sepse shkatërron themelet e saj... Gjithashtu nuk mund të ndërhyjmë e të themi se është i drejtë ligji i gjendjes së jashtëzakonshme që në fakt është një marrëzi, e drejtë e presupozuar për të bërë padrejtësi në kushtet e vështirësive më të larta…”. Në të vërtetë, filozofet dhe përvojat e larta shtetërore, nuk mund të lexohen e as që mund të kuptohen ndonjëherë nga politikanët mediokër dhe shtetarët që abuzuan dhe u pasuruan me shpejtësi përmes shpërdorimit të hapur të institucioneve, përmes korrupsionit dhe vjedhjes së hapur të parasë dhe pronës publike. Në këto kushte, dihet se si dhe sa pakësohen hapësirat e dobishme të paqes dhe të bashkëpunimit shoqëror, sepse mbushen me konfliktualitetin, me sherret, me ndasitë dhe përplasjet kaotike. Përçarja shoqërore e politike, konfliktualiteti e deri dhe rebelimi kriminal ndaj shtetit dhe institucioneve, nuk janë trashëgimi, detyrim dhe as dukuri natyrore. Përkundrazi, mund të shmangën përjetësisht duke ndërtuar shtetin ligjor përmes meritës, dijes dhe fjalës së njerëzve të urtë, duke ndërtuar shtetin ligjor mbi bazën e mësimeve të filozofisë dhe përvojave më të mira rajonale e botërore. Filozofia dhe historia e zhvillimit shtetëror e shoqëror duhet lexuar dhe analizuar në shërbim të ndërtimit të shteti që funksionon mbi parime dhe ligje demokratike. Në esenë filozofike të Kantit (f 80), thuhet: “Në qoftë se rreziku që kërcënon bashkësinë, si rezultat i durimit të gjatë të padrejtësisë së kryetarit, është më i madh se sa meraku i rrëmbimit të armëve kundër tij: atëherë populli mund t’i bëjë rezistencë atij, dhe, në emër të kësaj të drejte, mund të braktisë kontratën dhe mund ta shfronësojë atë si tiran”. Të mendosh i lirë, të shkruash dhe të reagosh për interesat e vendit dhe të shoqërisë shqiptare, është njëra nga përgjegjësit dhe detyrat më të rëndësishme, sepse nga heshtja dhe mungesa e reagimit qytetar, buron e gjithë ligësia administrative e politike. Nga mungesa e reagimit buron korrupsioni dhe varfëria, rritën ato speciet e njohura të përbindëshave, rriqnave dhe krimbave të errësirës. Nga heshtja e gjatë ndaj konspiracionit, klanit abuzivist, nepotizmit, përçarjes, korrupsionit dhe reduktimit të skajshëm të lirisë, përsëri mund të gjendemi përpara zgjedhjes midis shfronësimit të krimit apo rebelimit kriminal. Emanuel Kant, filozofi që citova më sipër, sugjeron rrugën e reagimit intelektual e qytetar që synon shfronësimin e krimit, prishjen e kontratës me të gjithë ata që qeverisjen guxojnë ta degradojnë në dhunë dhe sjellje tiranike.