Prof. Artan Fuga: Krimi i përditshëm administrativ ndaj trashëgimisë pronësore para të cilit çdo hajdut bankomati do të dukej thjesht si një engjëll i pafajshëm

407

Çfarë do të rrëfej në korrik? Unë i mbetem bindjes të Rusoit, Lokut, Hobsit, se origjina e pronës është vjedhja. Vjeeeedhjaaaaaa! Origjina, flas. Nuk përjashtoj aspak që pastaj prona rishpërndahet, rikrijohet, evoluon, jo vetëm me anë të vjedhjes, por edhe me punë të ndershme. Pra, edhe kur është fjala për njohjen e të drejtave pronësore të ish-pronarëve, ka nevojë për një analizë socio-ekonomike dhe etike. Nuk ia përtoj as kësaj. Por, kjo është tjetër punë. Por, ama kur hedh vështrimin mbi atë se çfarë u kanë bërë ish-pronarëve, se çfarë praktikash dhe mashtrimesh janë bërë me pronën e tyre, sesi i kanë; fyer, mashtruar, dhunuar, tallur, përbuzur pronarët që u takonte prona e tyre e trashëguar nga tufat e mashtruesve, kopilëve, matrapazëve, të korruptuarve deri në palcë, nuk ka Evropë, Australi, Amerikë, Azi që e pranon! I marshim të keqen Kinës! Këtu në veting duhet të kalojë shteti, jo thjesht individi! Po ju them se nga analizat e mia studimore më rezulton se asnjë regjim i mëparshëm, as gotët, ostrogotët, vandalët, bullgarët, serbët, osmanët, madje as komunizmi, nuk ka bërë këtë batërdi mbi pronat e familjeve shqiptare, se çfarë është bërë dhe po bëhet edhe në minutën që ju po lexoni këtë tekst me pronat e familjeve shqiptare. Batërdi. Batërdi e bërë nga sipër, shoqëruar me një urrejtje turmash kundër të drejtës së trashëgimisë pronësore, si dhe nga nëpunës lapangjozë, të frikur, ziliqarë, pa kulturë, hipur mbi një pasuri arkivore të bërë si sirtarë dollapësh prostitutash që ushtrojnë zanatin pa leje, një krim shtetëror permanent që sot ka marrë përmasat e një tragjedie, një drame, një komedie që nuk ka tjetër regjisor që e vendos në skenë, apo aktor që e luan, në heshtjen e madhe të të gjithë krahëve të politikës, që bën zhurmë për babalen, babolen, bobalen, bobolen, obobobobo!, për të hequr vëmendjen e publikut nga tragjikomedia e jetës së sotme. Nëpunës që nuk njohin e zbatojnë ligjin e që duhen fshirë nga i pari tek i fundit. Komunikime shkresore absurde. Nëpunës që për një rrogë mujore sa për të mbajtur frymën, janë gati të bëjnë sikur nuk shohin, sikur nuk dëgjojnë. Nuk ka platformë kryeministrore vetëqeverisjeje që i përmban ato që ne si qytetarë shohim e prekim në zyrat e nëpunësisë. Trajtohemi si qenër. Rrihemi me fjalë si majmunër. Shihemi si bretkoca. Mbesim jashtë si miza. Shkelemi si milingona. Ku t’i shkruash të gjitha këto? Ku? Duhen superkompjutera në “cloud” për të mbajtur nuk e di sesa mijëra megaoktet, për të shkruar skeçet absurde të jetës sonë të përditshme! Ne jetojmë në një spital të madh psikiatrik administrativ. Mjafton të rrëfesh këtë katrahurë, këtë pabesi, këtë maskarallëk që u bë në kurriz të shqiptarëve për të kuptuar, se përse vuajmë, përse Evropa na përbuz si lapangjozë, përse na trajtojnë sikur jemi pa din e pa iman. Do e rrëfej gjatë korrikut këtë tmerr e zheg, këtë përvëlim e mallkim, sapo të lirohem pak nga punët e përditshme që bëj për të fituar bukën prej varfanjaku. Për të treguar këtë vjedhje në dritë të diellit që nuk ka polic a kryepolic, prokuror a ministër të brendshëm që e heton dot, lëre ta ndalojë. Një vjedhje para së cilës çdo hajdut bankomati, çdo vjedhës automjetesh, çdo vjedhës energjie elektrike, uji, etj., do të ishte dukur si një i pafajshëm naiv, si një engjëll i vërtetë, si kulmi i ndershmërisë.