Përralla dimri me… premtime

850
Sigal

Vangjush Saro

Si ishte kjo puna e raportit të Parlamentit Evropian, se ndonjëherë edhe ne që shkruajmë nuk jemi krejt të qartë(suar)? “Prisni dhe shpresoni!” (A. Dyma) Tre dekada u bënë që presim. Apo s’i numëroj mirë e, ndoshta s’e kuptoj si duhet “përrallën”?

Lexuesi i nderuar, sigurisht, e kupton menjëherë se për çfarë përrallash (mund të) bëhet fjalë në këto radhë. Jemi në prag të dimrit dhe kjo stinë, imazhet e saj, janë shumë pranë kuptimit të parë dhe kuptimit të dytë të fjalës “përrallë”. Ky zhanër interesant i letërsisë dhe artit, në vetvete, është i dashur për njerëzit, sido që ato (përrallat) të ofrohen: Duke i lexuar vetë, duke i dëgjuar nga të tjerët apo duke i parë në ekran. Por metafora na nxjerr sakaq nga kjo ndjesi ngrohtësie, deri diku edhe romantike, paçka se edhe në përralla nuk mungojnë “vizatimet” e frikshme, për të na hedhur në realitetin e egër, në përrallat me premtime, që tashmë politika dhe institucionet, ato të vendit dhe ato të huaja, i prodhojnë me shumicë. Këto ditë, pra, kemi një raport të Parlamentit Evropian për 5 vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, raport, siç përkthehet në disa medie, “i miratuar me 44 vota pro, 5 kundër dhe 5 abstenime.” Parlamenti Evropian, thuhet “ka mirëpritur progresin e Shqipërisë, por eurodeputetët kanë ngritur si shqetësim nivelin e korrupsionit dhe mungesën e efikasitetit në drejtësi”. Në diskutime, lexojmë më tej, janë përmendur disa çështje të nxehta; si negociatat me Greqinë, veçanërisht respektimin e të drejtave të pakicave në vendin tonë. Por zihen goje edhe… ndërtimet e Hidrocentraleve në disa lumenj në vendin tonë.

Dhe më në fund: Parlamenti Evropian është shprehur i prerë në qëndrimin e tij, se negociatat për anëtarësimin do të hapen kur Shqipëria “të përmbushë kushtet e nevojshme, e jo në ndonjë datë të caktuar.” Përralla me premtime dhe me kështu… hiq e mos këput, nuk ligjërojnë vetëm partnerët, madje mund të thuhet, se ata janë disi të përmbajtur dhe nuk tregojnë edhe aq keq. Përralla, por çfarë përrallash me premtime pa përfundime, rrëfejnë politikanët dhe zyrtarët shqiptarë; të të gjitha kohëve. Rrëfejnë sa të mbetesh gojëhapur. Për të mos ikur nga tema, shfletoj qetësisht një shkrimin tim të para disa kohëve, shkrim ku vija në dukje ngadalësinë dhe pasigurinë e të ecurit drejt institucioneve evropiane e, duke marrë me vete zvarrë edhe lloj-lloj premtimesh të zyrtarëve vendas. Pastaj lexoja në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave (të atëhershëm) ku midis të tjerave, thuhej: “Gjatë kësaj vizite, ku Kryeministri Sali Berisha u takua edhe me pushtetarët lokalë, u shpreh se në shtator do të fillojë edhe projekti për thellimin e shtratit të lumit Buna.” Dhe më tutje, fjalët e këtij politikani kaq shumë të diskutuar: “Në shtator, kam rënë dakord me Kryeministrin e Malit të Zi të nisim bashkërisht punën për thellimin e Bunës, pra, ta bëjmë të lundrueshme dhe kjo e rrit shumë kapacitetin tërheqës të saj. Kësaj here u bashkuan shumë gjëra, fryrja e detit, fryrja e liqenit, por ne do t’i kapim problemet një nga një…” Kjo përrallë, që na kujton edhe një sërë përmbytjesh, kohë pas kohe, me të cilat mbase janë përmbytur edhe premtimet, më bie ndërmend sakaq edhe një tjetër aso: Premtimin për të mbajtur të paprekur qendrën e kryeqytetit, Tiranës, përndryshe iniciativën e dikurshme të ish-Ministrit të Kulturës të Shqipërisë, Kryeministri i tanishëm i këtij vendi të zhytur në përralla, z. Edi Rama; formulimi ishte i bukur, përrallor: “Kthim në identitet”. Besoj, nuk ka pse të thuhen shumë fjalë në këtë temë. Por në rastin e parë, të gjithë janë dëshmitarë, jo vetëm të përmbytjeve në vijim e të ngecjes në baltë(ra) të ëndrrës me transport ujor, por ç’është më e keqja, të ngecjes së aktivitetit ekonomik në një gjendje pasigurie në qytetin e dashur verior. Në rastin e dytë, pa qenë kundër ndërtimit e ndryshimit, kemi shumë rezerva për kullat e gjithkundshme, që (dale dale se ku të të dalë kjo punë) i janë bërë barrë kryeqytetit, sidomos bash në territorin e palumtur ku ishte ‘projektuar’ “kthimi në identitet”. Përtej dy episodeve të përmendura më sipër, mund të përmendim edhe njëqind premtime të tjera. (“Budallenjtë na marrin për budallenj”. Stendal.) Ato kanë të bëjnë me qetësinë. Rendin. Prosperitetin. Punësimin. Mjekësinë falas. Vlerësimin e rolit të femrës në jetë dhe në politikë, gjer te ca shifra të mjera… Deputetët do të jenë njerëzit më të mirë, do t’i zgjidhni ju… Do luftojmë abuzimet dhe korrupsionin. Si dreqin e thashë këtë? Pastaj… si ishte kjo puna e HEC-eve? Ka lidhje me negociatat? Kanë qenë gjithaq një premtim edhe hallet e mjedisit e të natyrës, pse jo. Do bëjmë reformë në drejtësi!… Por nga BE sapo janë pyetur se ku po shkojnë pa Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. (Knut Fleckenstein: “Nëse ky sistem nuk funksionon normalisht, atëherë është e pamundur të arrihet sukses në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”) Tani, shtoi këtyre çoroditjen e atij elektorati të shkretë, që ngopet me zhgënjime, si edhe kjo e çeljes së negociatave, dhe tabloja bëhet krejt gri. (“Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë.” E. Kant) Por ndërkaq, këta Falstafë* i mbajnë disa lloje premtimesh; bie fjala, premtimet ndaj familjeve të tyre, ndaj klaneve, ndjekësve të verbër etj. Dhe kështu, trego përralla e ngopi të tjerët me lugë bosh, trego përralla dhe rregullo veten, fëmijët e farefisin, ata ia panë mirë hairin politikës. (“Tash n’smoking, tash në bon-jour/ ju që dje s’kishit as ushkuer…” Gj. Fishta) Dhe qëndrimi në vend apo hapat e pa ndjerë përpara, të paktët hapa, nuk se i shqetësojnë shumë. Përkundrazi, ka një prirje të vazhdueshme për të fshehur qëllimet e vërteta, humbjet, premtimet, ka gjithnjë zell për konflikte të tjera pa përmbajtje, si të thuash, për zënka të formës; po ashtu, nuk mbaron patetizmi e histeria për lavdërime, për dekorata, për të lartësuar vend e pa vend “antikomunizmin” e leverdishëm, a thua për të çarë sërish “me shpatë në dorë historinë”…  Më duket me shumë vend, edhe ngado duket sikur, vjen kjo thirrje e dëshpëruar e F. Konicës: “Përmbi të gjitha, heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën. Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Po mjaft lëvdime!…”  Thirrje në erë. Mbase do të dëgjohet në brezin tjetër…!