PD-ja humbi se nuk u bë dot e djathtë

746
Nga Nebil Çika
Humbja e PD-së në këto zgjedhje është bërë debati politik e mediatik i ditës, duke lenë në hije edhe fitoren e PS-së. Një listë ish drejtuesish dhe njerëz të tjerë të PD-së kanë firmosur një peticion që kërkojnë largimin e Bashës nga kreu i PD si përgjegjësi i vetëm i kësaj humbjeje historike. Vetë Basha ka marrë përsipër përgjegjësinë, ka ngrirë kompetencat e tij organizative dhe PD-ja po përgatitet për zgjedhjet e kreut të ri të saj në 22 korrik. Por ajo që mungon dhe ka munguar në fakt pas çdo humbjeje në PD ka qenë analiza e humbjes, që nëse do të ishte bërë do kishte riparuar apo qartësuar shumë gjëra, para se PD të përfundonte në këtë derexhe. Situata e rëndë në PD nuk është produkt i këtyre zgjedhjeve, as i këtij 4 vjeçari nën drejtimin de jure të Lulzim Bashës, pasojë e një paqartësie e korrektese ideologjike, politike e organizative e saj që në lindje. Nëse do të bëjmë një krahasim me vendet e ngjashme me ne të Evropës ish komuniste, simotrat post komuniste të PD-së kanë kohë që janë shkrirë apo transformuar në forca të mirëfillta të djathta, gjë që PD-ja as nuk e tentoi e as nuk e bëri dot . Shqipëria, PD-ja, për shkaka të natyrës specifike të komunizmit të saj (më gjakatari) dhe politikave makiaveliste të liderit të saj historik Sali Berisha, si në çdo gjë, bën përjashtimin. PD mbijetoi 27 vjet në politikë madje në pushtet si një spekulim. Sali Berisha erdhi tre here në pushtet, me votat e të djathtës, në emër të antikomunzmit dhe i shpërdoroi ato në mënyrën më të keqe të mundshme, duke zhgënjyer në mënyre të vazhdueshme mbështetësit e vet. Megjithatë, ai arriti të marrë përhere vota të djathta duke përdoruar kartë, logjikën e të keqes më të vogël krahasuar me ish komunistet e PS-së. PD e Berishës është përgjegjëse për situatën e rëndë politike ekonomike e shoqërore të së djathtës shqiptare, si ndëshkimi i krimeve të komunizmit, pronat, dekomunistizimi i politikës , shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Por gjithçka ka një kufi, një limit në mënyre të veçantë spekulimi politik. E lodhur dhe e zhgënjyer me PD-në e Berishës elektorati i saj i dha një goditje vendimtare 4 vite më parë gjë që çoi në largimin de jure të tij nga kreu i PD-së. Me ndryshimin zyrtar të kreut të PD-së u ngjall shpresa që PD-ja mund të shpëtohej, nëse lideri i saj i ri do të mund ta bënte atë të djathtë. Kjo ishte shpresë, jo vetëm për elektoratin, por edhe për vetë PD-në dhe mbijetesën politike e elektorale të saj. Duhet thënë se as Basha nuk ia doli dot, nuk e bëri apo nuk e lanë ta bënte, kjo mbetet ende për t’u parë, por është fakt që PD nuk u bë dot e djathtë , gjë që për mua është edhe shkaku kryesor i humbjes drastike të saj në këto zgjedhje. Për shkak të mos pasjes së një lidhjeje të drejtpërdrejtë me komunizmin dhe edukimit perëndimor, Basha personalisht kishte të gjithë pritshmërinë që ta bënte hapin e duhur, një më djathtas se Berisha, por nuk e bëri dot apo tentoi ta bënte më shumë vonesë, gjë që nuk u kuptua e as u besua nga publiku, sidomos nga e djathta elektorale. Personalisht kam mendimin se Basha e pati të pa mundur të vepronte i lirë si kryetar PD-je të paktën deri në 18 shkurt të këtij viti, ku ai mund të pretendohet se mori nën kontroll PD-në. Njerëzit, të djathtët besuan tek ai dhe me mbështetjen masive i dhanë mundësinë të dilte nga tutela e Berishës, dhe ai, megjithëse me vonesë fatale, pikërisht ketë bëri apo të paktën e tentoi ta bëjë, si në retorikë dhe në praktikë. Republika e re u kuptua me shumë si një ndarje me të kalurën, një epokë e re brenda PD-së, ndërkohë që lista e kandidateve për deputetë ishte përpjekja për konkretizim të saj në terren. Por kur gjërat bëhen shpejt e shpejt ka edhe gabime, madje fatale. Nëse Basha tentoi të bënte një ndarje me të kaluarën spekulative e problematike të PD-së ajo duhet të kishte qënë e plotë, parimore dhe jo selektive e pragmatike. Po themi se largimi nga lista e deputetëve e ish njerëzve të Berishës do të kishte qënë dhe më efektive si në përfitime elektorale ashtu edhe në zhvillime në PD , të ishte bërë në bllok pa përjashtuar askënd. Por nëse për shumë arsye të justifikuara largon Jozefina Topallin e përndjekur politike dhe lë në lista Genc Pollon, Tritan Shehun, Arben Risatnin, Preç Zogaj etj, pinjollë e bashkëpunëtorë të diktaturës komuniste dhe familjes së diktatorit, kjo pa dyshim krijon një keqkuptim dhe problem të madh në të gjitha strukturat politike e elektorale të djathta. Në përfundim të zgjedhjeve këta emra të “toleruar” nga Basha rezultuan edhe si një katastrofë elektorale, gjë që e përforcon edhe më këtë mendim. Tentativa e Bashës për të bërë shkëputjen nga bataku i PD-së ndeshi në reagimin e të larguarve në faza të ndryshme nga PD. Ata u angazhuan në një fushatë të hapur sabotimi në strukturat e brishta e të hutuara të PD-së dhe në elektorat me synimin e qartë për të rrëzuar Bashën. Në masë pjesë e oligarkisë politike e ekonomike e PD-së qenia në opozitë nuk përben problem për ta, pavarësisht se shumica e elektoratit dhe shqiptarëve mezi e prisnin ndryshimin . Një problem i madh për Bashën ishin strukturat e PD-së të shkrehura në shumicën e vendit. Sikur të mos mjaftonte kjo, vetë Basha nën presionin e atyre që sot i kërkojnë kokën, ndërhyri arbitrarisht në rreth 35 degë, një pjesë e mirë fituese në zgjedhjet lokale, duke larguar kryetarët e zgjedhur me votë të lirë e duke imponuar zgjedhje e zgjidhje pa vullnetin politik të bazës. Në një vendim të pa precedent si ky Basha e la këtë proces në duart e njerëzve të Berishës, sot kundërshtarë të hapur të tij, të cilët në shumicën e rasteve imponuan si lider lokalë njerëz të deklaruar kundër tij në krye të degëve, gjë që e dëmtoi edhe më shumë kontrollin e tij gjithashtu të brishtë në PD. Ai i largoi pjesën më të madhe të tyre nga lista e deputetëve, por u kishte dhënë atyre më parë mundësinë e rikthimit të influencës në bazë, duke u lënë në dorë strukturat në të paktën 35 degë, të cilat ata i përdorën në aksionin e sabotimit të hapur, pasi ngelën jashtë kandidimit. Më thoni sot, cilët nga oligarkët milionerë të PD-së në listën anti-Basha u angazhua në një mënyrë apo tjetrën në fushate?! Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është surprizë, siç po e amplifikojnë opinionin kundërshtarët e Bashës në PD dhe jashtë saj, por një rrjedhoje e rënies së lirë të PD-së që nuk nisi as në këto zgjedhje e as në këto katër vite, por shumë më parë. Basha është përgjegjës që nuk e frenoi, nuk e ndaloi dot me të vetmen mënyre në dispozicion: Ta bënte të djathtë. Koha kur e tentoi ishte e pa mjaftueshme për të, por e mjaftueshme dhe e favorshme për ata që nuk e donin dhe e kundeshtonin këtë. Sot PD-ja ndodhet para një situate kritike, ndoshta shpresa e fundit e saj për të mbijetuar politikisht. Por kjo do të varet shumë nga kjo garë brenda partisë. Shpresoj që palët në të,sidomos Basha të jetë ndërgjegjësuar për rëndësinë e djathtizimit të PD-së. Ai ka mundësinë ta zhvendosë atë ideologjikisht, politikisht dhe sidomos në burime njerëzore djathtas që do të thotë përfundim i punës së lënë përgjysmë, nëse e kishte atë seriozisht. Nuk mjafton që ai të kërkojë falje për ato që nuk bëri dot apo që nuk deshi t’i bëjë Berisha, por t’i premtojë e t’i realizojë ato. Dikur, në kohën e çadrës, i kam thënë që spastrimin ta niste nga plehrat sigurimse, komuniste, imorale e të korruptuara në PD. Sot kur ata po i bëjnë edhe sfidë personale shpresoj ta ketë kuptuar rëndësinë e saj, jo vetëm për mua, për në por në radhë të parë për veten dhe PD-në. Nëse kjo nuk ndodh tani, sido që të shkoje puna e kreut të PD-së, ajo mund ta shtyjë deri në zgjedhjet e radhës ku asgjësimi final do të jete i garantuar. Basha ka të vetmen mundësi, jo vetëm ta rifitojë por ta mbaje gjallë PD-në, duke e çuar tek e djathta, ideologjikisht, politikisht e, sidomos duke rregulluar raportet e pa drejta të përfaqësimit midis bazës antikomuniste e të djathtë dhe përfaqësimit të ish komunistëve dhe kjo nuk mund të bëhet dot, nëse qoftë edhe një komunist, spiun i sigurimit apo kurva të të gjitha kallëpeve i ke nëpër këmbë. Por kur themi kështu, do të thotë vërtet asnjë.
Sigal