Pal Çoli dhe Nikoll Ndoku/ Rubiku, shpresë për ripërtëritje apo në udhëkryq?

2995
Sigal

Në vitet ’30 të shekullit XX në Rubik u kryen kërkime dhe studime gjeologjike nga studiues  e shkencëtarë të huaj. U kryen studime të vazhdueshme në kërkim të gurëve të çmuar të mineralit aty ku është sot miniera, në Velë, Erzë e Kulme. Pasi u zbuluan rezervat e mineralit të bakrit, të drejtën për shfrytëzimin e minierës së re e fitoi shoqëria “Simsa”, e cila në korrik të vitit 1938 filloi punimet në Rubik e në Kulme me sipërmarrës vendas e të huaj italianë. Në fillimet e para miniera kishte afro 500 punëtorë, te cilët punonin në kushte të rënda dhe me paga të vogla.  Shfrytëzimi i minierës së Rubikut bëhej me shumë vështirësi, sepse në galeritë dhe puset e thella kishte shumë ujë, madje kishte shembje të fronteve të punës, nuk kishte mekanizime. Te gjitha proceset e punës kryheshin me forcën e krahut të minatorëve pa përvojë. Ajo plot 50 vite ka prodhuar bakër e flori duke mbajtur peshën kryesore të industrisë përpunuese të bakrit në shkallë kombëtare. Me mijëra gjeologë, minatorë e metalurgë punonin në minierat e Mirditës para viteve ’90 në Rubik, në Kurbnesh, Përlat, Spaç, Kulme, Kaçinar, në Reps e deri në Thirrë të Fanit. Metafora e gurëve të çmuar u ngjiz fort me biografinë e maleve, me portretin e njerëzve të punës që përcillnin heroikën e asaj kohe duke pasuruar më tej historikun e Rubikut që fillon më herët se Kisha e të Shëlbuemit, kuvendi i Benediktit 900-vjeçar, ku shërbyen me devocion figura të ndritura të krishterimit si Shtjefën Gjeçovi, Atë Gjergj Fishta, Pal Doda, Abat Prend Doçi, Misionari austriak Frati Fabian Barcata, autori i romanit  “Lule” dhe i një ditari të gjatë, që kanë në përmbajtjen e tyre jetën e rëndë të banorëve të Rubikut, në kohën kur ishte famullitar në Kryezezë. Gjithë pellgun që vjen brigjeve të Fanit nga Fushë-Arrëz e deri në Skuraj, Barcata me shumë dashamirësi e ka quajtur luginën më të bukur në botë. Dhe vërtet gjithë ai oazë turistik kërkon investime, por më shumë kërkon kujdes dhe përkushtim për ringjalljen e industrisë së bakrit, sepse përmes kësaj lugine kalon rruga e kombit Durrës-Kukës-Prishtinë. Kërkohet vendosmëri dhe këmbëngulje nga qeveria shqiptare dhe pushteti lokal për të përmirësuar gjendjen e rëndë të banorëve.

Sekretet e floririt

Miniera dhe Metalurgjia e Rubikut rifilluan përsëri pas LNÇL në vitin 1946. U ringjall dhe qyteza e Rubikut, që njihet në histori si qyteti i parë i Mirditës. Në uzinën e Rafinimit ishte një repart i veçantë në llojin e vet në Shqipëri. Aty “gatuhej” floriri dhe mbahej sekret. Ky repart sekret është një godinë trekatëshe me dyer dhe dritare me kafaz hekuri si ato të bankës së shtetit në Tiranë. Këtu kanë punuar breza të tërë nga Rubiku në profesionin e metalurgut, i vetmi që quhej “zanat”. Paketimi i arit bëhej në arka prej druri në formë lingote dhe të siguruara. Secila prej tyre, sipas standardeve ndërkombëtare, peshonte 12.5 kg. Pastërtia e floririt të derdhur ishte 99.9 %. Njerëz të veçantë në Rubik mbajnë mend se dy tri herë në vit një makinë e vogël tip “zuk”, e vjetruar, e shoqëruar me policë vinte në uzinën e bakrit në Rubik natën dhe merrte arkat me lingotat e floririt dhe i dërgonte. . . ?! Metalurgët që e gatuanin floririn nuk e dinin se ku shkonte djersa e tyre. Ka mbi 20 vjet që ajo makinë e fshehtë nuk vjen më në Rubik, por hija e saj ka mbetur në kujtesën e metalurgëve, qe sot janë ndarë nga uzina e metalurgjia. Njerëzit në Rubik janë të dëshpëruar, të brengosur se nuk ka punë, nuk shohin të ardhme, ndaj të rinjtë kanë emigruar, madje edhe të moshuar. Janë larguar mbi 500 familje, por kanë ardhur të tjerë nga zona të thella malore si Selita, Kthella, Fani e Repsi. Pavarësisht nga vështirësitë ekonomike, njerëzit këtu ndihen mirë me njëri-tjetrin.

Landfilli

Ne vitin 2008 filluan punimet në Rubik për hapjen e një grope septike (Landfill), që do të përdorej për demolimin e mbetjeve të Metalurgjisë Rubik, ku vlera kapte shumën rreth 6 miliard lekë të vjetra. Qëllimi i saj ishte pastrimi i mjedisit dhe largimi i mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri, të seleksionuara si “pika të nxehta”. Që atëherë njerëzit janë të shqetësuar për këtë formë veprimi, që të silleshin në Rubik mbetje të tilla, mbasi për 50 vjet kanë thithur tymin e oxhaqeve të metalurgjisë. Mirëpo Albakri me tender ka shitur në metalurgjinë e Elbasanit krejt çelikun dhe hekurishtet e kësaj metalurgjie për skrap. Kishin mbetur vetëm dy oxhaqe si relike të metalurgjisë së parë Shqiptare. Atëherë pse u bë një shpenzim prej 6 miliard lekë të vjetra? Të groposen vetëm mbetjet teknologjike të metalurgjisë së Rubikut e jo të vijnë nga të gjithë vendet e Shqipërisë. Këtë version banorët e Rubikut e bazonin tek vlera e madhe që Bashkimi Europian ka investuar për këtë landfill e pikërisht në Rubik.  Ndaj sot e kësaj dite banorët ndezin qirinj dhe e kanë emëruar atë si “Gropa e zezë e Rubikut”. Sipas statistikave të publikuara në shtyp sot numërohen në Rubik 120 familje të rrezikuara nga rrezet radioaktive.

Dilemat e njerëzve dhe tranzicioni

Në mëngjes njerëzit ngrihen herët, por gjallëria e qytetit sa vjen dhe po shuhet. Njerëzit kanë dilemat e tyre. Për qytetarët nuk ka asnjë veprimtari. Edhe biblioteka, dhuratë librash nga qytetarët, është e kyçur. Edhe pse bashkia në organikën e saj ka një drejtori kulture, prej vitesh qytetarët nuk po shijojnë asnjë lloj aktiviteti kulturor. Banorët shprehen se në këtë mënyrë po humbet tradita e një qyteti, pasi vite më parë njihej si qytet me vlera kulturore lidhur me aktivitetet që zhvilloheshin për argëtimin e qytetarëve. Ata kërkojnë që pallati i kulturës t’i kthehet qytetarëve, sepse vetë ata e kanë ndërtuar me mund e me djersë dhe jo të jetë pronë e institucioneve fetarë. Deputetët dhe qeveritarët nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre ndaj elektoratit. Për një grusht parash, në qytet kryesisht në lagjen e vjetër u prishën kanalet e ujërave të zeza të ndërtuara që në vitet 1937 – 38 dhe u zëvendësuan me turbina. Duhet të vendosësh kundragaz tani se të zihet fryma. Po kështu ujërat e zeza derdhen direkt në lumin Fan duke ndotur kështu ekologjikisht florën dhe faunën deri në zonën e derdhjes së lumit Mat në det, e cila ka lidhje direkt me zonën e plazheve Tale – Shëngjin e më tej duke i bërë këto plazhe jo vend pushimi dhe kurative, por burim infeksionesh. Por gjithsesi kënaqësia është nga ana jonë që prezantojmë për lexuesit të përditshmen e qytetit tonë buzë një lumi binjak ( Fani i Madh dhe Fani i Vogël ). Ndoshta ndokush edhe mund të kujtohet, se në luginën e bukur të Fanit ndodhet Rubiku i rrethuar nga dy ngrehina, njëra Uzina e Rafinerimit në konservim dhe tjetra Metalurgjia e shkatërruar plotësisht, në qendër Pallati i Kulturës i kthyer në qendër fetare. Le të shpresojmë se qytetit do t’i kthehet e drejta që i takon, mbasi shpresa vdes e fundit tek njeriu.