Kolonel në rezervë Mehdi Pogaçi/Shtëpitë e ushtarakëve janë pronë e ushtarakëve dhe Forcave të Armatosura e jo pronë partiake

650
Sigal

Në vazhdim të VKM-së të mbajtur fshehur, të dekretit të turpshëm të Presidentit dhe përpjekjes së pashpresë për tjetërsimin e SHQUP-it, dje Zoti Berisha, në mbledhjen e qeverisë, kërcënoi se “do të heqë statusin e ushtarakut” nëse ushtarakët do të dalin në protesta. Kjo ishte një përpjekje për të dhënë të ashtuquajturën goditje me bisht, të cilën e jep balena mbi barkën e peshkimit, para se të japë shpirt, kur e gjuajnë peshkatarët dhe duke i kërkuar t’i mbytë këta të fundit. Por, në situatën aktuale pas zgjedhore dhe me disa ditë të mbetura ende në qeverisje, kërcënimi i kryeministrit në ikje ngjan më shumë me “këngën e fundit të mjellmës”, ku, sipas gojëdhënave, thuhet se mjellmat para se të japin shpirt lëshojnë disa cicërima apo tinguj, të cilat i quajnë këngë.

Do t’i kujtoja zotit Kryeministër të ikur, se këto ditë pa Parlament, nuk mundet të heqë dot jo statusin e ushtarakut, por nuk bën apo shfuqizon më asnjë ligj. Edhe vendimet e nxjerra në këtë periudhë kohe, pa pëlqimin dhe miratimin e maxhorancës së re, janë nul dhe detyrimisht, duhet të shfuqizohen menjëherë pas ndërrimit të pushtetit në muajin shtator.

Ushtarakët në rezervë, në pjesën më të madhe të tyre, e kanë provuar tashmë “statusin e ushtarakut” të zotit Berisha, pasi marrin një pension të parakohshëm më të vogël se sa merrnin kolegët e tyre disa vite më parë dhe, një pjesë, marrin nga 12-13 mijë lekë, duke qenë njëkohësisht debitorë nga 1 korriku i vitit 2009 dhe duke paguar detyrimet e prapambetura.

Dua të theksoj se qeveria Berisha, ka shkelur ligjet dhe vetë statusin e ushtarakut për shtëpitë e ushtarakëve dhe pronat ushtarake në tërësi. Neni 39 i ligjit nr. 9210 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, datë 23.03.2004 përcakton se:
“Ushtarakëve aktivë dhe në rezervë u njihet e drejta e parablerjes për objektet së bashku me trojet funksionale, të cilat dalin të lira nga ristrukturimi i Forcave të Armatosura dhe mbeten pronë e shtetit, sipas nevojave për strehim. Kriteret e përfitimit përcaktohen nga Këshilli i Ministrave”.

Si shpjegohet fakti që në disa nga shtëpitë e ushtarakëve, si në Shkodër e gjetkë nxirren jashtë familjet e ushtarakëve në rezervë, kur ata kanë të drejtën e parablerjes? Minimumi, atyre duhet t’u jepej vendbanim tjetër edhe sikur ata të ishin dakord ta lëshonin shtëpinë e ushtarakëve.

Zoti Berisha, në mbledhjen e qeverisë pretendoi: “në shtëpitë e ushtarakëve kemi parë vetëm dasma ose ceremoni mortore”. Edhe kjo është e drejtë. Por kush i katandisi shtëpitë e ushtarakëve në këtë derexhe?! Politika e ministrave të Berishës si Imami e kompani, të cilët ndoqën këtë politikë me objektet dhe asetet e ushtrisë, për ta pasur pastaj më të thjeshtë tjetërsimin e tyre, siç po përpiqen tani. Në asnjë nga shtëpitë e ushtarakëve nuk ka pasur drejtues ushtarak aktiv apo në rezervë, por veç lloj-lloj civilësh të lloj-lloj ngjyrimi, të ardhur nga parti të ndryshme politike, për të kënaqur kërkesat e aleatëve të vet dhe për t’i çuar këto shtëpi ushtarakësh në faliment.

Lidhur me të drejtën e protestave paqësore, kujtoj se neni 42, i ligjit të cituar më sipër, pika 1, paragrafi a) përcakton se ushtarakët (oficerë dhe nënoficerë), në lirim dhe në pension, përveç të drejtave të përcaktuara në nenet e tjera të këtij ligji, gëzojnë edhe këto të drejta: a) të anëtarësohen në shoqata ose parti politike dhe të marrin pjesë në veprimtaritë e tyre”. Dhe dihet që veprimtaritë e tyre parashikojnë edhe protesta paqësore, të cilat as kjo qeveri në ikje nuk mund t’i ndalë. Përveç kësaj, neni 43 i Statusit të Ushtarakut përcakton gjithashtu se: “1. Shoqatat e ushtarakëve në rezervë, në lirim ose në pension krijohen dhe funksionojnë sipas legjislacionit për organizatat jofitimprurëse”. Kjo presupozon përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore demokratike, përfshi dhe protestat paqësore.

Në këto 8 vjet qeverisje të zotit Berisha, janë keqtrajtuar ushtarakët, nga ata aktivë e deri te ata në rezervë, lirim e pension, sa asnjëherë tjetër. Ushtarakët e dinin se po të fitonte Berisha edhe një legjislaturë tjetër do t’ua kishe hequr të gjitha të drejtat, jo vetëm pensionin e parakohshëm e atë suplementar, siç bëri në vitin 1996. Por ushtarakët dhe populli shqiptar e panë dhe e kuptuan se ku po shkonte vendi dhe ia dhanë atë që meritonte.
Askush nuk mund t’u mohojë ushtarakëve të drejtat ligjore të përcaktuara në statusin e ushtarakut dhe ligjet e tjera, as të drejtat kushtetuese si qytetarë të Republikës së Shqipërisë dhe as të drejtat demokratike si qytetarë të lirë të botës së lirë. Asnjë diktaturë nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë të ardhme.
Tashmë koha e Berishës, si kryeministër, mbaroi.
Z. Berisha, t’i lerë popullin shqiptar, ushtarakët, por dhe njerëzit e vetë të relaksohen e të punojnë më të qetë, duke mos krijuar tensione artificiale së nuk i shërbejnë as të ardhmes së vendit, as të ardhmes se të kombit dhe as të ardhmes së partisë së tij.