Numri i studentëve në universitetet publike hyn në cikël rënës

811
Numri i studentëve që ndjekin arsimin e lartë në universitetet publike për të tretin vit radhazi është futur në cikël rënës. Sipas të dhënave të INSTAT në vitin shkollor 2017 ndoqën studimet e larta në universitet publike 115, 093 studentë me një rënie 5 për qind në raport me një vit më parë. Ky është viti i tretë me rënie ne nivelin e lartë të studimeve në universitetin shtetëror, pas kulmit në të cilin shënoi numri i tyre gjatë vitit 2013-2014. Ekspertët e tregut pohojnë se rënia po vjen për disa arsye që lidhen me zgjerimin e tregut privat të universiteteve private, rritjen e tarifave për studimet master në sektorin publik dhe faktorët të tjerë demografike që lidhen me emigracionin e lartë ndër të rinj dhe plakjen e popullsisë. Gjatë vitit 2015 tarifat e studimeve master në sektorin publik të arsimit të lartë u rriten me mbi 20 për qind. Bashkë me disa tarifa shërbimesh që studentet paguajnë në universitetet e shtetit tani pagesat master kanë shumë pak diferencë me privatin. Teksa numri i studentëve në shtet ra, në ato private në vitin 2016 erdhi me rritje me një shtesë prej rreth 1 mijë studentësh, teksa numri i tyre për vitin 2017 ende nuk është zyrtarizuar. Por faktori demografik duket se do të jetë vendimtar për popullimin e universiteteve në vijim. Gjithnjë e më shumë të rinjtë shqiptarë të demotivuar se sistemi studimeve të larta është larg tregut të punës po orientohen të studiojnë jashtë vendit apo edhe të emigrojnë. Përgjatë këtyre 3 viteve shpenzimet për të studiuar jashtë janë rritur më 94%. Sipas Kombeve të Bashkuara përgjatë vitit 2015 zëri i shpenzimeve të Shqipërisë për edukim kapi shifrat e 10.6 milionë dollarë, ndërsa në vitin 2013 ky zë ishte rreth 5.5 milionë dollarë. Projeksionet për të ardhmen janë për një rënie të mëtejshme, për shkak të uljes drastike të nxënësve të regjistruar në arsimin fillor. Sipas statistikave të INSTAT, në vitin shkollor 1996-1997 kishte 560 mijë nxënës të regjistruar në arsimin 9 vjeçar. Sot, pas 20 vitesh, numri i tyre ka rënë me rreth 217 mijë, apo gati 40% më pak. Rënia e numrit të nxënësve ka ardhur në proporcion të drejtë me tkurrjen e peshës së grup moshave të reja. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 1989, popullsia në moshën 0-14 vjeç ishte rreth 1 milionë persona, ndërsa në vitin 2017 ka zbritur në vetëm rreth 522 mijë persona, pothuajse përgjysmim. Pesha e popullsisë 0-14 vjeç ka zbritur në 18% të totalit, nga 32% që ishte në vitin 1989. Në të kundërt, teksa vendi ka përjetuar pas viteve ’90 rënien e lindshmërisë dhe emigracionin masiv, -ku janë larguar më së shumti moshat e reja -, është rritur pesha e të moshuarve. Popullsia mbi 65 vjeç zinte 13% të totalit në vitin 2017, nga vetëm 7.4% në vitin 2001, po sipas INSTAT. Ky ndryshim i strukturës së popullsisë pritet të ketë efekte të rënda në një të ardhme të shpejtë, si në strukturën e forcës së punës, kërkesë ofertën për punë (me ndikim në profilet e universiteteve) ashtu dhe në skemën e pensioneve dhe kostos për kujdesin e të moshuarve. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017, popullsia në grupmoshën nga 15-44 vjeç, që është pjesa më energjike e tregut të punës, ra me 162 mijë persona në krahasim me vitin 2001, ose me 11.6%. Rënien më të fortë shihet ta ketë grupmosha 15-19 vjeç, me më shumë se 24%. Më tej, rënie të madhe ka pësuar popullsia në moshën 35-45 vjeç, kur në vitin 2017 numërohen 330 mijë persona më pak se në vitin 2001. Më pas, struktura e popullsisë në moshë pune shënon rritje të fortë për moshën 45-64 vjeç, duke u shtuar me 208 mijë persona ose 38% në krahasim me vitin 2001.
Sigal